Meqë kjo çështje u shtrua për t’u diskutuar, u bë e nevojshme me rrënjë për t’u sqaruar.
Për detyrë t’i falim i kemi pesë namaze në ditë:
Namazin e Sabahut, Namazin e Drekës, Namazin e Ikindisë, Namazin e Akshamit dhe Namazin e Jacisë.
Para se të obligoheshin pesë namazet, i Dërguari a.s. falte Namaz Sabahu, Namaz Ikindie dhe falte Namaz Nate.
Kur themi me këtë rast: Namaz Sabahu e Namaz Ikindie, fjala është për një namaz dyrekatësh që falej para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij, kohë që përkojnë me kohët e Namazit të Sabahut e të Namazit të Ikindisë, kohë të përmendura në Kuran me shprehjet: El-gadatu dhe El-ashij – Kable tuluishshmesi dhe Kablegurubiha.
Kështu ishte deri në Natën e Israsë e të Miraxhit, kur na u obliguan në ditë përfundimisht 5 namazet.
Atë natë, rrugës për tek Allahu i Dërguari ynë a.s. pa pejgamberët e tjerë duke falur namaz, se namazi ishte obligim për të gjithë pejgamberët dhe për të gjithë besimtarët.
Kur u takua drejtpërdrejt me Allahun mbi qiellin e shtatë, në Sidretulmunteha, Allahu ia shtroi për detyrë 50 namaze. Namazi është i vetmi ibadet që është obliguar duke qenë i Dërguari a.s. mbi qiej dhe duke komunikuar Allahu me të drejtpërdrejt.
Musai a.s. e këshilloi të Dërguarin tonë a.s. që t’i kërkonte Allahut të ulte numrin e namazeve të obliguara në ditë. I Dërguari unë a.s. atë natë disa herë shkoi prej Musait a.s. tek Allahu duke ia kërkuar uljen e numrit të namazeve dhe Allahu i ulte për çdo vajtje e lutje nga pesë derisa mbetën vetëm 5 namaze dhe Allahu i tha që për këto 5 do të shpërblejë si për 50.
Kur i tha Allahu që për 5 namazet do të shpërblejë si për 50, prej atëherë edhe çdo vepër e mirë tjetër e pjesëtarëve të ymetit të Muhamedit a.s. do të shpërblehet më së paku dhjetë për një.
Namazet fillimisht u bënë obligim me nga dy rekate, me përjashtim të Namazit të Akshamit që u obligua me tri rekate. Pasi i Dërguari a.s. u shpërngul në Medinë, namazeve me dy rekate iu shtuan edhe nga dy rekate, me përjashtim të Namazit të Sabahut, kurse Namazi i Akshamit mbeti siç ishte me tri rekate.
Namazi i parë nga këto 5 namazet e obliguara që fali i Dërguari a.s. ishte Namazi i Drekës. Ditën e hënë, ditën e parë që u kthye i Dërguari a.s. nga Miraxhi, në fillimin e kohës së Namazit të Drekës i erdhi Xhibrili a.s. dhe për dy ditë rresht u falën bashkë duke i dalë imam Xhibrili a.s. të Dërguarit a.s. për t’ia mësuar në ditën e parë kur hyjnë kohët e namazeve dhe në ditën e dytë kur mbarojnë kohët e tyre.
Pesë namazet janë të përmendura në mënyrë implicite në shumë ajete të Kuranit. Kurani është i ndërlidhur me fjalët e veprat e të Dërguarit a.s., fjala dhe vepra e të cilit janë praktikum dhe zbërthim i Kuranit. Nëpërmjet po atyre, nëpërmjet të cilëve na ka mbërritur Kurani, na kanë mbërritur edhe fjalët e të Dërguarit a.s..
Fjalët e të Dërguarit a.s. dhe përshkrimet e praktikës së tij lidhur me pesë namazet, me kohët e tyre dhe me të tjera detaje janë nga ato prej transmetuesish të besueshëm (kredibilë) dhe të ardhura nga shumë burime (hadithe mutevatire).
Se janë pesë namaze të obliguara në ditë, është njohuri aksiomatike fetare, pra që nuk ka arsye për t’u mos ditur e për t’u vënë në diskutim.
Herën tjetër shkruajmë për përmendjen në Kuran të secilit prej pesë namazeve të obliguara.
Prof. Ilmi Rexhepi