“Sa më gjatë t’i mbash problemet përbrenda, aq më shumë do të lëndojnë ato”

Një ditë një profesor universiteti i pyeti studentët e tij, se sa mendonin se peshonte shishja e ujit që ai po mbante në dorë. “500 gramë” tha një student. “600 gramë” bërtiti një tjetër pas tij. Profesori pa drejt tyre dhe tha: “Në fakt, nuk kemi se si ta dimë peshën e saktë, nëse nuk e peshojmë shishen”.

Pastaj, ai i pyeti: “Imagjinoni sikur unë ta mbaj disa minuta në dorë këtë shishe. Çfarë mendoni se do të ndodhë?”

“Asgjë”, – u përgjigjën thuajse njëzëri studentët në sallë.

“Po sikur unë ta mbaja këtë shishe në dorë për disa orë?”, – vazhdoi me pyetjet e tij profesori.

“Epo ndoshta krahu juaj do të niste t’ju lodhej dhe t’ju dhimbte”, – u përgjigj njëri nga studentët.

“Po sikur ta mbaja për 24 orë?”, – pyeti sërish profesori.

“Krahu juaj do të paralizohej, ose do të ishit në dhimbje të madhe”, – ia ktheu po i njëjti student.

“Gjatë gjithë kohës pesha e shishes me ujë nuk ndryshoi. Ajo që ndryshoi, ishte thjesht koha se sa do ta mbaja unë në dorë”. – shtoi me filozofi profesori.

Mësimi që ai po përpiqej t’u jepte studentëve të tij, ishte se shishja e ujit përfaqësonte problemet, sfidat, shqetësimet, ankthet, pasiguritë, të cilat sa më gjatë t’i mbajmë brenda vetes sonë, aq më shumë dhimbje do të na shkaktojnë. Një nga thëniet më të veçanta dhe më të fuqishme që kam dëgjuar ndonjëherë, është ajo e Nelson Mandela-s: “Kur po dilja nga dera që më çonte drejt portës së lirisë sime, unë e dija se nëse nuk i lija pas zemërimin dhe urrejtjet e mia, do të isha sërish në burg”.

Falja dhe aftësia për t’u ngritur nga rrëzimet që na i provokojnë të tjerët janë dy aftësi tepër të rëndësishme, sepse vetëm kështu ne mësojmë të pranojmë faljet që kurrë nuk i kemi marrë vetë. Unë mendoj se nuk mund ta ngresh veten duke rrëzuar dikë tjetër.

Mund ta kemi zemrën të thyer; besimi ynë mund të jetë keqpërdorur prej të tjerëve; mund të kemi pësuar zhgënjim nga ata që nuk e prisnim; mundet që besnikëria jonë të jetë testuar prej të tjerëve. Falja nuk do ta ndryshonte sjelljen negative të të tjerëve, por do të bënte që negativiteti të mos ndikonte tek ne. Kjo është arsyeja se pse duhet t’i lëmë pas gjërat negative dhe të shohim përpara. Problemet nuk kanë fund, ama për të jetuar një jetë të lumtur, duhet t’i lëmë pas gjërat negative dhe të mendojmë me optimizëm se çfarë do të na sjellë e ardhmja. / bota.al