CNN raporton se 54.5 % e nxënësve në studim kishin një përqendrim të urinës nën konsumin minimal ditor të ujit.
“U habita që një në katër fëmijë nuk pinte ujë gjatë gjithë ditës”, thotë autorja e studimit, Erica Kenney.
Jo të gjithë fëmijët dhe adoleshentët ishin të dehidratuar në mënyrë të njëjtë, sipas studimit. Djemtë ishin 76% më shumë të hidratuar se vajzat.
“Por ndërsa dehidratimi i lehtë nuk është kërcënues për jetën, mospirja e ujit në sasi të mjaftueshme dëmton sistemin konjitiv, jep dhimbje koke, madje edhe të vjella në disa raste”, thotë Anisha Patel, një pediatre në Universitetin e Kalifornisë, në San Francisco.
Tek fëmijët më të vegjël, simptomat përfshijnë nervozizëm, urinim jo të shpeshtë, gojë të thatë, dhe fëmija qan pa lot. “T’i mbash fëmijët të hidratuar i ndihmon ata të mësojnë dhe të performojnë më mirë në shkollë”, thotë Patel, transmeton rtk.
Por sa ujë duhet të pinë?
Për fëmijët dhe adoleshentët, sasia e ujit që duhet të pijnë varet nga disa faktorë, përfshirë moshën dhe aktivitetin fizik e mendor.
Sipas ekspertëve, fëmijët nga 1-3 vjeç duhet të pijnë katër gota ujë në ditë. Për fëmijët nga 4-8 vjeç duhen mesatarisht 5 gota ujë në ditë. Kur fëmija arrin 9 vjeç, kërkesat ndryshojnë sipas gjinisë. Për meshkujt nga 9-13 vjeç rekomandohen 8 gota ujë në ditë, ndërsa për vajzat 5 të tilla.
Ekspertët janë dakord që fëmijët duhet të qëndrojnë larg pijeve me sheqer apo kafeinë, pasi kanë përmbajtje të tjera jo të nevojshme për shëndetin. Më keq, pijet me kafeinë janë diuretike, që do të thotë se shkakton urinim më të shpeshtë. Pra, kafeina e përkeqëson dehidratimin.