Rutte: Turqia një aleate shumë e rëndësishme në NATO, ka të drejtë sovrane për të punuar me partnerët e BRICS-it

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi Turqinë për luajtjen e një “roli jetik” në krahun juglindor të aleancës dhe për ofrimin e kapaciteteve të NATO-s në tërësi, duke theksuar se është e drejta sovrane e Ankarasë të punojë me partnerët e vendeve anëtare në organizatën BRICS, transmeton Anadolu.

“Të mos harrojmë se Turqia është një aleate shumë e rëndësishme në aleancë. Ajo ka një nga forcat ushtarake më të pajisura në NATO. Ajo luan një rol jetik në pjesën e saj të gjeografisë së NATO-s. Ajo i ofron NATO-s shumë aftësi në tërësi”, tha Rutte në kryeqytetin estonez Tallinn.

Deklaratat e tij erdhën si përgjigje ndaj një pyetje në lidhje me marrëdhëniet e Turqisë me organizatën BRICS, përderisa samiti i 16-të i organizatës ndërqeveritare po zhvillohet në Kazan të Rusisë.

Rutte shprehu kënaqësinë që Turqia “tashmë për kaq shumë vite” është një pjesë integrale e aleancës. Turqia është anëtare e NATO-s që nga viti 1952.

Brenda aleancës së 32 vendeve, theksoi Rutte, gjithmonë do të ketë debate.

Duke theksuar se Ankaraja “po punon drejt ose me disa prej partnerëve të BRICS-it”, Rutte tha se Turqia ka “të drejtën sovrane për ta bërë këtë gjë që mund të çojë në debate herë pas here, dypalëshe ose edhe brenda NATO-s”.

“Por kjo nuk do të thotë se Turqia nuk është… ajo është ende dhe do të jetë gjithmonë, për bindjen time absolute… shumë popullore në NATO. Pra, duhet të sigurohemi që ta shfrytëzojmë në maksimum njëri-tjetrin dhe jemi kaq të lumtur që ata janë një aleat i yni”, tha Rutte.

NATO do të marrë përditësime mbi pretendimet për vendosjen e trupave të Koresë së Veriut

I pyetur për “trupat e Koresë së Veriut në Ukrainë”, një pretendim që së fundmi u përmend nga Ukraina dhe Koreja e Jugut, shefi i NATO-s njoftoi se dje ai ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.

Ai tha se javën e ardhshme Koreja e Jugut do të dërgojë ekspertë për të informuar NATO-n në lidhje me këtë.

“Atëherë do të shohim nëse Koreja e Veriut me të vërtetë po mbështet apo jo luftën e paligjshme të Rusisë në Ukrainë. Nëse do të ishte kështu, nëse ata do të dërgonin trupa në Ukrainë, kjo do të shënonte një përshkallëzim domethënës”, paralajmëroi Rutte.

Më tej, ai tha se do të ishte “një përshkallëzim domethënës”, por theksoi se në këtë moment ai akoma nuk mund t’i konfirmojë pretendimet.

Gjatë një konference të përbashkët për media javën e kaluar me shefin e NATO-s, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pohoi se 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut mund të bashkohen me forcat ruse që luftojnë në Ukrainë.

Zelenskyy gjithashtu tha se sipas inteligjencës ukrainase ka informacione se Koreja e Veriut dërgoi personel taktik dhe oficerë në territoret e pushtuara të Ukrainës.

Deklaratat e presidentit ukrainas erdhën disa momente pasi Rutte tha se NATO nuk ka “asnjë provë që ushtarët e Koresë së Veriut janë të përfshirë në luftë”.

Të premten, gjithashtu edhe Koreja e Jugut pohoi se Koreja e Veriut ka dërguar 1.500 ushtarë në Rusi në bordin e anijeve të marinës më 8-13 tetor, për të mbështetur Moskën në luftën e saj të vazhdueshme kundër Ukrainës.

Rutte udhëtoi për në kryeqytetin estonez Tallinn për t’u takuar me presidentin Alar Karis dhe kryeministrin Kristen Michal.

Gjatë ditës së nesërme, ai së bashku me presidentin Karis do t’u drejtohen trupave në bazën ushtarake Tapa dhe do të takohen gjithashtu me ministrin e Punëve të Jashtme, Margus Tsahkna.