Rutte: Bosnjë e Hercegovina mund të llogarisë në mbështetjen e palëkundur të NATO-s

NATO gjatë një takimi të nivelit të lartë në selinë e saj në Bruksel ka riafirmuar angazhimin e saj të palëkundur ndaj sovranitetit, sigurisë dhe stabilitetit të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka pritur në takim kryetaren e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, duke theksuar partneritetin gati tre dakadash të aleancës ushtarake me vendin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me Cvijanoviqin, Rutte tha se Bosnjë e Hercegovina mund të llogarisë mbështetjen e palëkundur të NATO-s.

“Derisa i afrohemi 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit vitin e ardhshëm, angazhimi ynë ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe stabiliteti rajonal mbetet i vendosur. Ne mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tuaj. Një Bosnjë e Hercegovinë e qëndrueshme dhe e sigurt si dhe një Ballkan Perëndimor paqësor janë në interesin tonë strategjik”, tha Rutte.

Shefi i NATO-s theksoi mbështetjen afatgjate të aleancës për forcat e armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, reformat e mbrojtjes si dhe ngritjen e kapaciteteve përmes iniciativave të tilla si paketa e ndërtimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe përpjekjeve të përditshme në selinë e NATO-s në Sarajevë.

Ai gjithashtu theksoi natyrën plotësuese të mbështetjes së NATO-s për procesin e pranimit të Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian (BE).

“NATO vazhdon të punojë me BE-në përmes operacionit ‘Althea’, me mbështetjen e marrëveshjeve të ‘Berlin Plus’. Siguria e Bosnjë e Hercegovinës ka rëndësi për rajonin dhe aleancën dhe ne nuk do të lejojmë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet”, shtoi ai.

Cvijanoviq, nga ana e saj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s, veçanërisht në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ne i jemi mirënjohës NATO-s për mbështetjen që na është dhënë gjatë gjithë viteve dhe ne në fakt presim që kjo mbështetje të jetë aty sa herë të jetë e nevojshme. Dhe, gjithashtu, unë do të doja t’ju falënderoja në veçanti për mbështetjen që na është dhënë në drejtim të ngritjes së kapaciteteve, mbrojtjes dhe ndërtimit të kapaciteteve përkatëse të sigurisë dhe ne do të donim që në fakt mbështetja të vazhdojë në të ardhmen”, tha Cvijanoviq.