Ballina Autorë Opinione Rutinë vrastare

Rutinë vrastare

Hoxhë Justinian Topulli

Humbja e shpresës dhe pesimizmi, janë prej shkaktarëve kryesorë të dembelizmit dhe dështimit. Asnjë ndryshim për mirë nuk vjen pa punë dhe përpjekje të lodhshme, sfilitëse dhe të gjata madje. Pa lodhje dhe përpjekje vetëm e keqja del në krye. Ligësia zë rrënjë dhe përhapet, pikërisht për shkak të përtacisë dhe pasivitetit pritës nga të tjerët, ndërsa e mira do vetëm punë nga gjithsecili, që të mbahet në këmbë.
Kush nuk e ka kuptuar këtë nga Libri i Zotit dhe historitë e profetëve, do ta kuptojë nga jeta, ndoshta atëherë kur do të jetë tepër vonë, kur nuk i ka ngelur më të presë, vetëm se vdekjen. E ndërsa ai që as jeta nuk e mëson, ai është i vdekur përmbi tokë.
Por më pengues sesa këta, janë ata që mendojnë se rutina e “punës” që bëjnë përditë quhet vepër dhe përpjekje për ndryshim, ndërkohë ky është mashtrimi më i madh që i bën kjo shumicë vetvetes, sepse veprat që sjellin ndryshimin duhet të jenë si orteku apo si ai biznesi i suksesshëm që nis me pak dhe nuk ndalet duke u rritur, rritje kjo, e cila patjetër kalon përmes dështimeve dhe humbjeve, por përsëri ngrihet.
Është për të të ardhur keq, që nga kjo mendësi vuan një pjesë e madhe e shqiptarëve dhe e besimtarëve madje, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se infektojnë edhe të tjerët me këtë helm toksik të pasivitetit relativ dhe jo vetëm ndotin mjedisin e bashkësisë me këtë frymë, por detyrimisht, një pjesë do të bëhen dashur-padashur edhe pjesë mbështetëse e së keqes, qoftë kjo drejtpërdrejt, qoftë kjo me heshtje dhe pasivitet sehirxhinjsh.
Rutina, vërtet krijon qoshkun e rehatshëm të gjithsecilit, por njëkohësisht vret edhe të mirën e përgjithshme, ajo vërtet të ruan nga sprovat dhe sfidat e mëdha e të panjohura, por varros për së gjalli çdo mundësi dhe shpresë për ndryshim. Kush mendon dhe beson se përmes rutinës do të ndryshojë veten dhe shoqërinë, vetëm se gënjen veten, sado i ditur të jetë, për më tepër, nuk ka kuptuar si duhet çelësin e ngadhënjimit të profetëve dhe atyre që kanë sjellë ndryshimet në historinë e gjatë të bijve të Ademit në këtë tokë.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli

Exit mobile version