Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se zhvillimet e fundit në Sudan janë rezultat i “politikës së dështuar” të qeverisë që është ndjekur në dy vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Dëshpërimi dhe gjendja e vështirë e shumicës dërrmuese të popullsisë u injoruan praktikisht nga autoritetet e përkohshme, nga patronët dhe konsulentët e tyre të huaj”, tha mbrëmë Zakharova në një deklaratë.
Ajo shtoi se ndërhyrja e huaj në shkallë të gjerë çoi në humbjen e besimit në qeverinë e përkohshme.
“Sudanezët mund dhe duhet të zgjidhin vetë problemet e brendshme dhe të përcaktojnë drejtimin e zhvillimit sovran të vendit të tyre bazuar në interesat kombëtare”, tha Zakharova.
Ajo shtoi se Rusia do të vazhdojë të respektojë zgjedhjen e popullit sudanez dhe t’u ofrojë atyre të gjithë ndihmën e nevojshme.
Kreu i këshillit ushtarak në pushtet të Sudanit, gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan, dje shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shpërndau këshillin dhe qeverinë sovrane kalimtare.
Masa erdhi disa orë pasi ushtria arrestoi kryeministrin Abdalla Hamdok dhe ministrat në qeverinë civile.
Al-Burhan njoftoi gjithashtu pezullimin e disa dispozitave të dokumentit kushtetues që përshkruan tranzicionin politik në Sudan.
Sipas Ministrisë sudaneze të Informacionit, një forcë ushtarake arrestoi Hamdok herët të hënën pasi ai refuzoi të mbështeste atë që e përshkroi si “grusht shteti”.
Pas një grushti të dështuar ushtarak muajin e kaluar, tensionet e thella midis ushtrisë dhe administratës civile shpërthyen në Sudan pas protestave të fundit rivale në Khartoum.
Para shpërbërjes, Sudani administrohej nga Këshilli Sovran i përbërë nga autoritete ushtarake dhe civile, i cili duhej të mbikëqyrë periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e planifikuara për vitin 2023, si pjesë e një pakti për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit Forcat për Liri dhe Ndryshim. /aa