Rusia ka përdorur të drejtën e vetos për projektrezolutën e Këshillit të Sigurimit (KS) pranë OKB-së mbi ndalimin e luftimeve në Halep dhe ndalimin e fluturimeve të avionëve ushtarakë mbi qytet, raporton Anadolu Agency (AA).
Që prej fillimit të konfliktit në Siri, KS është kritikuar për mos gjetjen e një zgjidhjeje, ndërkohë edhe një herë projektrezoluta e Këshillit për Halepin është bllokuar nga Rusia.
Projektrezoluta e hapur për votim e cila është përgatitur nga Spanja dhe Franca, është përkrahur nga më shumë se 40 vende të botës.
Projektrezoluta e cila parashikonte ndalimin e luftimeve në Halep si dhe ndalimin e fluturimeve të avionëve ushtarakë mbi këtë qytet, është bllokuar nga Rusia e cila është anëtare e përhershme e KS. Ndërkohë që 11 nga 15 shtete votuan pro, projektrezoluta është kundërshtuar edhe nga Venezuela.
– Kina dhe Angola abstenuan
Kjo është hera e pestë që Rusia bllokon një tentativë të KS për dhënien fund të veprimeve ilegale të regjimit të Asadit.
Rusia dhe Kina që prej vitit 2011 dhe deri më tani kanë vendosur katër herë veto në lidhje me Sirinë. Në projektrezolutën e vitit 2014 kërkohej që krimet e luftës të Asadit të gjykohen në një gjykatë penale ndërkombëtare.
Kina për herë të parë nuk vendosi veton, por abstenoi në një projektrezolutë ndaj Sirisë.