Rusia: Veprimet ushtarake të Izraelit përkeqësojnë situatën në Siri

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Mariya Zakharova, në lidhje me zgjerimin e okupimit të territorit sirian nga Izraeli pas rënies së regjimit Baath, tha se këto veprime ushtarake qartazi nuk i shërbejnë qëllimit të stabilizimit të situatës në Siri, raporton Anadolu.

Zaharova bëri një deklaratë për veprimet e Izraelit në Siri në konferencën javore për media që mbajti në kryeqytetin Moskë.

Pyetjes së gazetarit të agjencisë Anadolu se “Si i vlerëson Rusia sulmet e Izraelit ndaj Sirisë dhe kërcënimet e saj kundër forcave opozitare në vend?”, Zaharova iu përgjigj se Izraeli ishte i përfshirë në situatën në Siri dhe nuk e fshehu këtë.

Zaharova përmendi rëndësinë e respektimit të normave juridike ndërkombëtare në lidhje me Sirinë dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë. “Siria ka ekzistuar si një vend sovran dhe duhet të vazhdojë të ekzistojë në atë mënyrë. Vendi ynë ka pasur gjithmonë këtë qasje”, tha ajo.

Duke vënë në dukje se Izraeli është i vendosur në zonën tampon të Lartësisë Golan të Sirisë, Zaharova tha:

“Këto veprime të Forcave të Armatosura izraelite shkelin kushtet e marrëveshjeve të bëra mes Sirisë dhe Izraelit në vitin 1974. Veprimet e ushtrisë izraelite, e cila nisi sulmet me raketa kundër elementëve ushtarakë dhe civilë në territorin sirian, shkaktuan shqetësim serioz në komunitetin ndërkombëtar. Këto veprime ushtarake qartazi nuk i shërbejnë qëllimit të stabilizimit të situatës në Siri, përkundrazi, përkeqësojnë situatën jashtëzakonisht të vështirë që është krijuar në vend ditët e fundit”.

Zaharova deklaroi se situata ushtarako-politike në Siri është “e rëndë” dhe se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet fqinje, duhet të veprojnë me përmbajtje, të marrin përgjegjësi dhe të shmangin veprimet që do të përshkallëzojnë situatën në Siri.