Rusia vazhdon sulmet masive ndaj Ukrainës për të dytën ditë me radhë – VIDEO

Igor Konashenkov

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se forcat e armatosura ruse vazhduan të godasin objektet e infrastrukturës ushtarake dhe energjetike të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse kryen një sulm masiv me armë me precizitet të lartë me rreze të gjatë veprimi ajrore dhe nga deti në objektet e administratës ushtarake dhe të sistemit energjetik të Ukrainës. Objektivi i sulmit është arritur. Të gjitha objektet e caktuara janë goditur”, tha Konashenkov në një konferencë për media në Moskë.

Ai shtoi se u penguan përpjekjet kundërsulmuese të ushtrisë ukrainase pranë qytetit Kupiansk, në lumin Zherebets dhe në rajonin e Zaporizhzhia.

Putin të hënën tha se objektivat në Ukrainë u goditën në përgjigje të shpërthimit të së shtunës në urën e Kerçit dhe “sulmeve të tjera terroriste” të kryera nga inteligjenca e Ukrainës.

Përderisa Kievi nuk e ka marrë në mënyrë eksplicite përgjegjësinë, në deklarata të shumta nga zyrtarë të lartë ukrainas theksohet mundësia që autoritete ukrainase të jenë përgjegjëse. Në njërën nga këto deklarata, ndihmësi presidencial Mykhailo Podolyak tha se shpërthimi ishte vetëm “fillimi”.