Rusia: Ukraina sulmoi me dron zonën e centralit bërthamor Zaporizhzhia

Rusia pretendon se ushtria ukrainase kreu sulm me dron në zonën e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim në llogarinë në rrjetet sociale të termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin rus, thuhet se një dron i ushtrisë ukrainase është rrëzuar në zonën e centralit.

“Nga sulmi nuk ka të vdekur apo të plagosur. Nuk ka dëmtime në termocentral. Duke kryer sulme ndaj termocentralit, Forcat e Armatosura të Ukrainës po shkelin drejtpërdrejt parimet e vendosura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB)”, thuhet në deklaratë.

– Centrali më i madh bërthamor në Evropë

Termocentrali bërthamor Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë.

Rusët morën nën kontroll centralin në mars të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret në tetor 2022 për transferimin e termocentralit në pronësi të Rusisë.

Ka patur sulme me dronë dhe artileri rreth centralit, i cili aktualisht është nën kontrollin ushtarak rus, ndërkaq Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet.