Rusia tregon interes për dronët luftarakë të Turqisë “Bayraktar TB2”

Presidenti rus, Vladimir Putin do të presë në një takim homologun e tij turk, Recep Tajip Erdogan për bisedime rreth bashkëpunimit ushtarak, më 5 gusht në qytetin turistik të Soçit, njoftoi të mërkuren Kremlini.

Rusia thuhet se është e interesuar për dronet luftarake të Turqisë “Bayraktar TB2” për t’i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.

Avioni pa pilot tashmë është përdorur me sukses kundër trupave ruse nga pala ukrainase.

“Në takim do të diskutohet tema e bashkëpunimit ushtarako-teknike mes Rusisë dhe Turqisë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov tha se fakti që Moska dhe Ankaraja po bisedonin për çështje të ndjeshme ushtarake tregon sesa i ngushtë ishte besimi mes dy vendeve.

Por ai refuzoi të thoshte nëse axhenda e takimit do të përfshinte përpjekjet e përbashkëta në prodhimin e dronëve nga kompania turke “Baykar”.

Rusia ka hedhur poshtë spekulimet se po kërkon të blejë drone nga Irani, pasi Putin dhe Erdogan u takuan në kryeqytetin iranian të Teheranit, javën e kaluar.

Më herët, Rusia i shiti Turqisë sistemin e saj të mbrojtjes raketore S-400, një anëtare e NATO-s, për të krijuar pakënaqësi ndaj SHBA-së.

CNN Turk raportoi se Putini ka propozuar të punojë së bashku me Turqinë në prodhimin e dronëve të “Baykar” dhe se një fabrikë mund të ngrihet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Droni luftarak Bayraktar TB2 i Turqisë është përdorur tashmë në disa luftëra, për shembull nga Azerbajxhani në konfliktin e tij me Armeninë për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ai konsiderohet preciz dhe efektiv dhe mund të qëndrojë në ajër deri në 27 orë.

Ukraina po përdor gjithashtu dronët “Bayraktar”. Në fillim të pushtimit rus, në internet qarkulluan video të tankeve ruse të shkatërruara nga këta dronë.

Nëse Rusia do të prodhonte dronët në bashkëpunim me Turqinë, Moska do të kishte akses edhe në teknologjinë e një shteti anëtar të NATO-s.

Turqia është dalluar si ndërmjetëse në konfliktin e Ukrainës dhe së fundmi ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të rifilluar eksportet e grurit nëpërmjet porteve detare të Ukrainës. /atsh