Rusia regjistron rekord vdekjesh nga COVID-19

Rusia sot regjistroi 652 viktima të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 134.545, sipas task-forcës ruse të urgjencës së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendi ka shënuar një rënie të lehtë të numrit të rasteve të koronavirusit, me 20.616 infeksione të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin në 5,49 milionë dhe rastet aktive në 374.975.

Numri i të shëruarve nga sëmundja u rrit me 14.697, duke arritur në 4,98 milionë që nga dje, shtoi task-forca.

Megjithëse Moska raportoi më pak raste, 6.209, krahasuar me një ditë më parë, kryeqyteti rus është ende në krye të rajoneve me më shumë raste.

Kryeqyteti gjithashtu përbën numrin më të lartë ditorë të viktimave, pasi 121 persona vdiqën nga virusi në Moskë gjatë ditës së kaluar.

Autoritetet lidhën shifrat në rritje me përhapjen e të ashtuquajturit lloji indian Delta i COVID-19, i cili është më ngjitës, agresiv dhe më i vështirë për trajtim.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergej Sobyanin, tha se po të mos ishte varianti Delta, Moska do ta kishte mundur virusin shumë kohë më parë.

Javën e kaluar, zyrtarë në disa rajone ruse, duke përfshirë Moskën dhe rajonet e saj përreth Moskës, urdhëruan vaksinimin e detyrueshëm të disa kategorive të punonjësve, duke futur dënime për mosrespektim.

Masa shtesë u njoftuan në kryeqytetin Moskë, duke përfshirë kufizime për restorante, vende të argëtimit dhe sportive.

Autoritetet ruse gjithashtu përpiqen të nxisin fushatën e vaksinimit përmes reklamave sociale dhe punës edukative pasi vetëm 11,46 për qind e popullatës ruse ka marrë vaksinë kundër virusit deri më tani.

Që nga dhjetori 2019, pandemia ka marrë gati 3,93 milionë jetë në pothuajse gjithë globin, me më shumë se 181,43 milionë raste të raportuara në gjithë botën, sipas Universitetit Johns Hopkins të SHBA-së.

SHBA, India dhe Brazili mbeten vendet më të goditura. /aa