Rusia pretendoi se Ukraina tentoi të godiste stacionin e kompresorit që furnizonte gaz përmes tubacionit TurkStream, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë thuhet se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi nëntë dronë ukrainas që shkonin drejt stacionit të kompresorit Russkaya pranë fshatit Gai-Kodzor në rajonin jugor rus Krasnodar.
Në deklaratë thuhet se nuk kishte viktima në mesin e personelit të vendosur në stacion, megjithëse infrastruktura brenda objektit pësoi dëme të vogla për shkak të fragmenteve nga dronët e rrëzuar.
“Ekipet e reagimit emergjent të PJSC Gazprom eliminuan menjëherë pasojat e rënies së fragmenteve dhe dëmet u riparuan”, thuhet më tej në deklaratë, duke shtuar se nuk ka pasur ndërprerje në funksionimin e stacionit.
Gjithashtu bëhet e ditur se sulmi kishte për qëllim të ndalonte furnizimet me gaz rus në vendet evropiane.
Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar ende pretendimet e Rusisë.