Rusia pret propozime konkrete nga Trump për Ukrainën

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Llavrov, ka thënë se premtimi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për të “punuar shumë” për zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë meriton vëmendje, por Moska do të presë për propozime konkrete.

“Ne do të presim për propozimet e tyre. Kur pyetemi për këtë, gjithmonë theksojmë se në çdo rast, politikanët që thonë se janë për paqe dhe jo për luftë meritojnë vëmendje. Por, nuk kemi ide se çfarë saktësisht do të propozojnë,” tha ai në një konferencë për shtyp pas Forumit Ndërkombëtar të 15-të Sir Bani Yas në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), të premten.

Kur u pyet nëse qëndrimi i pjesëmarrësve të Forumit Ndërkombëtar Sir Bani Yas ndaj situatës në Ukrainë ka ndryshuar, diplomati i lartë rus tha se vërejti “më shumë mirëkuptim”.

“Forumi preferon të mos i bëjë publike detajet e operacionit të tij. Por, nuk mendoj se i ofendoj pjesëmarrësit kur them se përgjigja për pyetjen tuaj është pozitive dhe ka shumë më tepër mirëkuptim dhe realizëm,” tha ai.

Sa i përket bisedës telefonike të Presidentit rus Vlladimir Putin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Llavrov vuri në dyshim se çfarë nënkuptojnë gjermanët dhe anëtarët e tjerë të BE-së dhe NATO-s kur thonë se do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme.

“E nevojshme për kë? Absolutisht jo për popullin ukrainas,” theksoi ai.

Duke komentuar për numrin në rritje të thirrjeve nga vendet e BE-së dhe NATO-s për të vendosur kontakte me Moskën në nivele të ndryshme, Llavrov tha: “Kjo do të thotë se ata ndoshta nuk janë krejtësisht të humbur si politikanë.”

Për sa i përket bazës së mbrojtjes nga raketat që ShBA-ja e ka hapur në Poloni, 165 kilometra nga kufiri i Rusisë, diplomati i lartë tha se kjo konfirmon vlerësimet e Rusisë të bëra 10 deri në 15 vjet më parë kur ShBA-ja u tërhoq nga Traktati i Mbrojtjes Kundër-Raketore, duke pretenduar nevojën për të mbrojtur BE-në kundër Iranit dhe Koresë së Veriut.

“Ne analizuam planet e tyre dhe mënyrën se si duken dhe thamë menjëherë se kjo nuk kishte asnjë lidhje me Iranin, por ishte më tepër një përpjekje për të krijuar avantazhe të njëanshme në një përballje me vendin tonë, për të rritur tensionet dhe për të ndjekur një politikë për të frenuar Rusinë. Të gjitha vlerësimet tona kanë dalë të vërteta,” tha ai.

Në përgjigje të raporteve të medias që pretendojnë se Kina është e pakënaqur me bashkëpunimin tepër të ngushtë të Rusisë me Korenë e Veriut, Lavrov pohoi se bashkëpunimi me Phenianin nuk duhet të errësojë marrëdhëniet e Moskës me Pekinin.

“Është e pamundur të futet një përçarje mes Rusisë dhe Kinës. Nuk kemi marrë asnjë mesazh lidhur me marrëdhëniet tona me Republikën Popullore Demokratike të Koresë,” tha ai.

Ministri theksoi se Rusia dhe Kina kanë konsultime të rregullta për të koordinuar “problemet e krijuara nga amerikanët dhe aleatët e tyre në dhe rreth Gadishullit Korean.”

“Çfarë qëndron pas kësaj? Rrethet perëndimore të shkencës politike po spekulojnë se çështja e Ukrainës duhet të përmbyllet, Rusia duhet të merret parasysh për disa nga kërkesat e saj legjitime dhe më pas të përdoret si pjesë e një koalicioni kundër Kinës. Është një llogaritje e drejtpërdrejtë,” tha ai, duke shtuar se përpjekje të tilla po ndjekin “qëllime absolutisht të paarsyeshme.”