Rusia po e përdor Serbinë për të destabilizuar Kosovën, por edhe vendet tjera Ballkanike ku jetojnë shqiptarët.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, i cili gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend e vlerëson relativisht të qetë dhe pa tendenca të përkeqësimit.
“Vendet ballkanike të cilat po kalojnë nëpër sfida të ndryshme për shkak të influencës së Rusisë e cila përmes Serbisë çdo herë ka tendenca që ti destabilizojë ato vende ku janë të përqendruar shqiptarët e sidomos në Kosovë, e cila kjo e fundit pra Serbia vazhdimisht është e interesuar që të mos jetë stabile dhe të mos ketë progres qoftë ekonomik, qoftë politikë ne arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Islami ka thënë se enklavat serbe, sidomos veriu i Kosovës mbetet target i Serbisë, e cila e përdor për qëllime të veta sa herë i nevojitet qoftë për fitimin e poenëve politikë të pushtetit në Serbi, por edhe në situata të caktuara kur në arenën ndërkombëtare pozicioni i Serbisë dobësohet.
“Edhe në të ardhmen do të priten provokime të tilla por që kryesore është që institucionet e Kosovës të jenë të vetëdijshme ti ndërmarrin një sërë veprimesh për neutralizimin e aksioneve apo qoftë veprimeve të pandërgjegjshme të institucioneve të Serbisë dhe në anën tjetër presioni i vazhdueshëm i Bashkësisë Ndërkombëtare mbi Serbinë do të ishte mënyra me e mirë që ajo pjesë e Kosovës të jetë stabile”, ka thënë ai .
Ai po ashtu ka komentuar edhe situatën e krijuar në Maqedoni, duke thënë se ata që tentuan ta destabilizojnë këtë vend kanë dështuar.
Islami edhe për situatën në Maqedoni vlerëson se ka gisht “Rusia”.
“Ajo skenë nuk do të doja të përsëritet as të mos e shohim për shkak se atje ata i kemi fqinjë. ne si vend por edhe vendet demokratike dëshirojnë ta shohin një Maqedoni demokratike e integruar në Bashkimin Evropian dhe ajo situatë për fat të mirë është qetësuar duke iu falënderuar dy komuniteteve atij shqiptar dhe maqedon dhe se ata të cilët kanë tentuar ta destabilizojnë Maqedoninë kanë dështuar , pra natyrisht unë mendoj se këtu ka gisht edhe Rusia përmes agjenturave të ndryshme dhe unë besoj që Maqedonia do ta kalojë këtë sfidë”, ka përfunduar Islami .