Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov përshëndeti normalizimin mes Türkiye-s (Turqisë) dhe Armenisë, duke thënë se kjo do të çojë në përmirësim të përgjithshëm në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai gjithashtu u shpreh i sigurt se Armenia do të zgjidhë përfundimisht marrëdhëniet me fqinjin tjetër të saj, Azerbajxhanin.
“Ne kemi një mirëkuptim të përbashkët që procesi po ecën përpara. Ndoshta do të preferohej një ritëm më i shpejtë, por megjithatë, procesi është duke u zhvilluar dhe po arrihen rezultate të rëndësishme pozitive, deri më tani është një rezultat i ndërmjetëm. Por nuk ka dyshim se do të ketë marrëveshje përfundimtare. Ne po bëjmë çmos për të kontribuar për këtë”, tha ai në një konferencë për media në Jerevan, pas një takimi me homologun e tij armen Ararat Mirzoyan.
Ai shtoi se Baku dhe Jerevan kanë “vizionin e tyre specifik” lidhur me mënyrën se si të ndërveprojnë në fazën aktuale, por të dyja palët kanë “të njëjtin mirëkuptim” se marrëveshjet e fundit të paqes mbeten një “udhërrëfyes shumë i qartë” për t’u ndjekur.
Lavrov vuri në dukje se takimi i komisioneve nga Armenia dhe Azerbajxhani për përcaktimin e kufirit tashmë është mbajtur dhe takimi i ardhshëm do të jetë në Moskë në të ardhmen e afërt.
Ai shtoi se edhe grupi trepalësh i punës nën drejtimin e zv.kryeministrave për zhbllokimin e lidhjeve transportuese dhe ekonomike ka bërë përparim të dukshëm.
“Hapja e një rruge hekurudhore (që lidh Armeninë dhe Azerbajxhanin) është rënë dakord, tani koordinimi i një rruge automobilistike është afër fundit”, tha ai.
Lavrov tha se Rusia është e gatshme të ndihmojë në përfundimin e një traktati paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe në përgjithësi të zgjidhë problemet humanitare që vazhdojnë në këtë rajon.
Mirzoyan vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e Türkiye-s për normalizim.
“Ne jemi të kënaqur që dëgjojmë deklaratat e lidershipit të lartë turk se ata janë të gatshëm të normalizojnë marrëdhëniet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike me Armeninë, si dhe të hapin kufijtë”, tha ai.
I pyetur për protestat kundër orientimit të autoriteteve armene, Mirzoyan tha se njerëzit shprehin të drejtën e tyre për tubime publike dhe nuk ka krizë politike në Armeni.
– Pastrimi i minave në portet detare të Ukrainës
Lavrov tha se ushtria ruse ka hapur korridore të sigurta nga portet e Ukrainës për më shumë se një muaj çdo ditë, në lidhje me eksportin e grurit nga Ukraina.
Bregu i detit është nën kontrollin e Ukrainës dhe pengesa kryesore për kalimin e anijeve janë minat e Ukrainës në daljet nga portet, tha ai.
Rusia shpreson që Ukraina të kuptojë se nuk ka alternativë përpos heqjes së minave nëpër portet për të siguruar eksportet e gruri.
Ai gjithashtu u shpreh pozitiv “për përpjekjet e kolegëve turq, të cilët po përpiqen të bindin Kievin për nevojën për të ndaluar vonimin e këtij procesi”.