Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rusia me mbi 900 viktima nga koronavirusi për herë të parë

Rusia me mbi 900 viktima nga koronavirusi për herë të parë

Rusia raportoi të mërkurën 929 viktima nga koronavirusi – shifra më e lartë ditore në këtë vend, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar.

Në total, numri i viktimave nga koronavirusi në Rusi ka kaluar 212,000 dhe kjo është shifra më e lartë në Evropë.

Rusia ka regjistruar zyrtarisht më shumë se 7.6 milionë raste të të infektuarve.

Numri i rasteve atje është në rritje qysh në muajin gusht, kryesisht për shkak të variantit Delta të koronavirusit, i cili është më ngjitës.
Disa vaksina të prodhuara në Rusi janë në dispozicion tash e sa muaj, por një pjesë e madhe e popullsisë është skeptike ndaj vaksinimit.

Sipas ueb-faqes Gogov, e cila mbledh të dhëna për koronavirusin në rajonet e Rusisë, më pak se 30 për qind e popullsisë ruse është vaksinuar plotësisht deri më 6 tetor.

Përkundër rritjes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, zyrtarët nuk kanë vendosur kufizime të mëdha.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se izolimet do të ishin “një skenar absolutisht i padëshirueshëm për çdo rajon”. /rel

Exit mobile version