Kremlini konfirmoi sot një marrëveshje me SHBA-në për të garantuar sigurinë e transportit detar në Detin e Zi, një ditë pasi delegacionet nga Moska dhe Washingtoni zhvilluan konsultime në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë më herët se Rusia dhe SHBA-ja ranë dakord të “sigurojnë lundrim të sigurt, të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi” pas bisedimeve në Riad.
Ajo tha se SHBA-ja do të ndihmojë në rivendosjen e aksesit të Rusisë në tregjet botërore për eksportet e bujqësisë dhe plehrave, dhe të dy vendet kanë rënë dakord gjithashtu të zhvillojnë masa për të ndaluar goditjet ndaj objekteve energjetike në Rusi dhe Ukrainë.
Një deklaratë e Kremlinit konfirmoi marrëveshjet në Riad, duke përfshirë sigurimin e zbatimit të Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi, si dhe ndihmën e Washingtonit në rivendosjen e eksporteve të Moskës të produkteve bujqësore dhe plehrave.
Kremlini vuri në dukje se paragrafët e lartpërmendur të marrëveshjes do të hyjnë në fuqi sapo të hiqen disa kufizime dhe sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë ato të vendosura ndaj Rosselkhozbank dhe organizatave të tjera financiare.
“Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për të arritur një paqe të qëndrueshme”, shtoi Moska zyrtare.