Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka kryer një sulm me armë të precizitetit të lartë kundër elementëve në industrinë ushtarake të Ukrainës dhe bazave ajrore, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e bërë nga ministria thuhet se Ukraina po përpiqej të dëmtonte elementët energjetikë dhe ekonomikë rusë.
“Si përgjigje, Forcat e Armatosura Ruse nisën një sulm kundër elementëve industrialë ushtarakë dhe bazave ajrore të Ukrainës me një armë me rreze të gjatë dhe precizitet të lartë. Objektivi i sulmit u arrit. Elementët e identifikuar u goditën”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu theksohet se zyrtarët ukrainas kanë bërë deklarata se këto sulme janë kryer kundër infrastrukturës civile dhe u theksua se “këto deklarata nuk pasqyrojnë të vërtetën”.
“Shumë fotografi dhe imazhe të publikuara në Kiev tregojnë se shkatërrimi ka ndodhur si rezultat i rënies së një rakete të sistemit të mbrojtjes ukrainase. Administrata e Kievit gjithmonë bie në histeri përpara samitit të NATO-s. Qëllimi i provokimeve të tilla është të sigurohet që administrata e Kievit të financohet dhe lufta të vazhdojë deri në ukrainasin e fundit”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se Rusia nisi një sulm intensiv me raketa në kryeqytetin Kiev dhe se në këtë sulm u dëmtuan një spital për fëmijë, ndërtesa civile dhe infrastruktura.