Rusia do të fillojë prodhimin e vaksinave COVID-19 për 2 javë

Grupi i parë i vaksinave të Rusisë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), që pritet të dalë në prodhim brenda dy javëve, do të caktohen për imunizimin e mjekëve para se të shkojnë në publikun e gjerë, tha sot ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Mikhail Murashko, raporton Anadolu Agency (AA).

Prodhimi i vaksinave në Rusi do të jetë i orientuar për nevoja vendore, i përshtatur për të mbuluar kërkesat e brendshme, tha Mikhail Murashko në një konferencë shtypi në Moskë duke dhënë detaje shtesë rreth vaksinës së shumëpritur.

Ndërkohë, Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF) po negocion prodhimin e vaksinës jashtë vendit.

I pyetur për sigurinë, Alexander Gintsburg, kreu i Institutit të Kërkimeve të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya, i cili zhvilloi vaksinën pionier, tha se vaksina bazohet në një platformë shkencore të hulumtuar mire.

“Platforma ka qenë në zhvillim për 25 vjet me qëllim të terapisë së gjeneve, por në fund të vitit 2014 u përdor për të krijuar ilaçe për të luftuar viruset që ndryshojnë në mënyrë rapide”, tha ai.

“E njëjta platformë u përdor për të zhvilluar vaksinat kundër Ebola, MERS (Sindromi Respirator në Lindjen e Mesme) dhe një numër sëmundjesh tjera. Ajo lejoi krijimin e vaksinës së Ebolës brenda një periudhe mjaft të shkurtër prej 15 muajsh, e cila më vonë u vlerësua shumë nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë)”.

Ai shtoi: “Teknologjia nuk është unike, po ashtu përdoret në Britaninë e Madhe dhe Kinë, por në rastin tonë, ajo ka avantazhet e saj”.

Vaksina do të monitorohet dhe ka një pasaportë dixhitale, me të gjitha lëvizjet dhe rezultatet e vaksinimit të përcaktuara për t’u gjurmuar dhe ekzaminuar, shpjegoi ai.

Duke vazhduar observimin e të gjithë marrësve të vaksinave deri më sot në të gjitha fazat e provave, njerëz dhe kafshë, askush nuk u infektua, tha Murashko.

– Vaksina për fëmijë dhe të moshuar

Gintsburg tha se e njëjta vaksinë do të përdoret për fëmijët dhe të moshuarit, por doza dhe si duhet të administrohet vaksina kanë nevojë për hulumtime shtesë, të cilat mund të fillojnë pasi të përfundojnë provat mbi të rriturit.

Për më tepër, vaksina për fëmijët do të ekzaminohet gradualisht në tre grupe, fëmijë më të rritur, grupi i mesëm dhe më i ri.

Megjithëse fëmijët janë më pak të rrezikuar nga infeksioni, ata nuk janë imunë, pasi aktualisht nëntë fëmijë në Rusi vuajnë nga një formë e rëndë e virusit.

Sa për të moshuarit, Gintsburg, 68 vjeç, tha se ai vetë u vaksinua pesë muaj më parë dhe ndjehet mirë.

Vaksina do të administrohet përmes dy injeksioneve, së pari me një shishkë të shënjuar në blu dhe më pas tre javë më vonë, nga një shishkë e shënuar në të kuqe. Dallimi është në llojet e adenovirusit të përdorur për shpërndarjen e vaksinës në qelizat e trupit.

Sipas udhëzimit të tij për përdorim, ai mund të përdoret për njerëzit e moshës 18-60 vjeç dhe mund të kombinohet me antigjenë të tjerë, përfshirë kundër gripit.

Për efektin maksimal, agjentët e imunizimit duhet të injektohen në një interval prej dy ose tre javësh, duke i dhënë kohë sistemit imunitarë të qetësohet pas aktivizimit, i provokuar nga futja e substancave të huaja.

Marrësit e vaksinave do të monitorohen nga mjekët, dhe po ashtu po zhvillohet një aplikacion mobil, në mënyrë që pacientët të shtojnë në mënyrë rutinore të dhëna për gjendjen e tyre dhe të informojnë shpejt mjekët për ndërlikimet e mundshme.