Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë nga 115 të bu’rgosur lu’fte me ndërmjetësimin e EBA-së

Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sot të burgosur lufte me 115 pjesëtarë ushtarakë nga secila palë, me ndërmjetësim nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes thuhet se 115 ushtarakët rusë të kapur nga forcat ukrainase në rajonin kufitar të Kurskut u kthyen nga territori nën kontrollin e Kievit.

I gjithë personeli ushtarak rus i liruar ndodhet aktualisht në Bjellorusinë fqinje, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ata do të transferohen në Rusi dhe do të marrin trajtim dhe rehabilitim në institucionet mjekësore të drejtuara nga Ministria e Mbrojtjes.

Ata lirohen në këmbim të 115 ushtarakëve ukrainas, shtohet në deklaratë.

Ministria tha se Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmuan me përpjekjet e ndërmjetësimit gjatë shkëmbimit.

“Sot janë kthyer në shtëpi edhe 115 mbrojtës të tjerë. Këta janë luftëtarë të Gardës Kombëtare, Forcave të Armatosura, Marinës dhe Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për shkëmbimin e të burgosurve në X.

“I jam mirënjohës çdo njësie që plotëson fondin tonë të këmbimit. Kjo ndihmon për të çuar përpara lirimin e personelit tonë ushtarak dhe civilëve nga robëria ruse. Falënderoj ekipin dhe partnerët tanë, Emiratet e Bashkuara Arabe, për kthimin e njerëzve tanë në shtëpi”, shtoi ai.

Rusia dhe Ukraina kanë kryer 55 shkëmbime të robërve të luftës që nga fillimi i konfliktit mes dy vendeve më 24 shkurt 2022.

Para shkëmbimit të fundit, të dy vendet shkëmbyen secili nga 95 të burgosur lufte në korrik.