Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për ngadalësimin e shkëmbimeve të të burgosurve

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për ngadalësimin e shkëmbimeve të të burgosurve mes dy vendeve, transmeton Anadolu.

Avokati i popullit ukrainas, Dmytro Lubinets, tha në rrjetet sociale se po i bën thirrje homologes së tij ruse, Tatyana Moskalkova, që t’i sigurojë atij një listë të të burgosurve ukrainasë të luftës që Moska është gati t’i kthejë urgjentisht.

Avokati ukrainas bëri thirrjen e tij mes pretendimeve të Rusisë se Ukraina refuzon të kthejë qytetarët e saj, duke theksuar se “Ukraina është gjithmonë e gatshme të pranojë të gjitha listat dhe të gjithë qytetarët tanë”.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të shkëmbejmë robër lufte. Zakonisht, Federata Ruse i ngadalëson këto procese. Dhe e përdor atë si një metodë për të ndikuar në shoqërinë ukrainase”, tha ai.

Dje, Moskalkova tha se Moska ka kërkuar vazhdimisht që të intensifikohet shkëmbimi i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Megjithatë, për shkak të politizimit të çështjes nga pala ukrainase, proceset e shkëmbimit janë jashtëzakonisht të vështira dhe të ngadalta”, tha Moskalkova.

Në të njëjtën ditë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, gjatë një konference për media akuzoi Ukrainën për sabotimin e procesit të shkëmbimit të të burgosurve, duke pretenduar se këto procese janë “të motivuara politikisht” nga ana e Kievit dhe po përdoren si “mjet mediatik”.

Zakharova pohoi se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë propozoi transferimin e 935 të burgosurve ukrainasë të luftës si pjesë e shkëmbimeve të këtij viti, por shtoi se Kievi ra dakord vetëm për kthimin e 279 të burgosurve.

Rusia dhe Ukraina kanë kryer shumë shkëmbime të burgosurish që nga fillimi i luftës mes dy vendeve më 24 shkurt të vitit 2022.

Shkëmbimi i fundit midis Moskës dhe Kievit u zhvillua në mes të tetorit, kur të dy vendet shkëmbyen 95 robër lufte secili.