Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rusia dhe Koreja e Veriut diskutojnë për bashkëpunimin ushtarak

Rusia dhe Koreja e Veriut diskutojnë për bashkëpunimin ushtarak

Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Andrey Belousov dhe ministri i Koresë së Veriut, No Kwang Chol diskutuan për bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së bërë nga Ministria ruse e Mbrojtjes, Belousov në kuadër të vizitës së tij në Phenian, kryeqytetin e Koresë së Veriut u takua me ministrin e Mbrojtjes, No Kwang Chol.

Në deklaratën e tij në fillim të takimit, Belousov tha se Koreja e Veriut është një vend mik. “Ndërveprimi i besueshëm mes liderëve të dy vendeve luan një rol kyç në forcimin e marrëdhënieve Rusi-Kore e Veriut. Marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen në çdo fushë, përfshirë dhe bashkëpunimin ushtarak”.

Belousov tërhoqi vëmendjen se në muajin qershor mes Rusisë dhe Koresë së Veriut u nënshkrua marrëveshja e partneritetit strategjik. “Kjo marrëveshje luan një rol stabilizues në Azinë Verilindore, siguron kontribut pozitiv në ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë në rajon dhe ul rrezikun e përjetimit sërish të luftës në Gadishullin Korean, përfshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore. Marrëveshja në fjalë është baza e sistemit të ri të sigurisë në Euroazi”, tha ai.

Ministri rus theksoi se janë pro zbatimit të marrëveshjeve të arritura në nivel të lartë mes dy vendeve.

Ministri i Koresë së Veriut, No Kwang Chol tha se i kushtojnë rëndësi marrëdhënieve me Rusinë dhe se dëshirojnë t’i forcojnë vazhdimisht këto marrëdhënie. “Bashkëpunimi ndërmjet Ministrive të Mbrojtjes së dy vendeve po zhvillohet”, potencoi No Kwang Chol.

Exit mobile version