Rusia dhe Kina i propozuan Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) lehtësimin e sanksioneve që zbatohen ndaj Koresë së Veriut për programin e saj bërthamor, me arsyen se ato ndikojnë në situatën humanitare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dy vendet përgatitën një projektligj për KS-OKB-në për lehtësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut.
Në projektligjin e siguruar nga gazetari i AA-së, bëhet thirrje për heqjen e sanksioneve të cilat “ndikojnë mbi të drejtën civile dhe situatën humanitare” në Korenë e Veriut.
Po ashtu në projektligj kërkohet që të hiqet ndalesa ndaj eksporteve për produktet e detit dhe të tekstileve të Koresë së Veriut si dhe lidhur me kufizimet për importimin e naftës së rafinuar.
Për pranimin e një projektligji në KS-OKB është e nevojshme që të paktën 9 nga 15 anëtarët e saj ta miratojnë dhe që vendet anëtare të përhershme SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca të mos përdorin të drejtën e tyre për veto.
Raportuesi special i OKB-së për Korenë e Veriut, Tomas Ojea Quintana ka bërë më parë thirrje për lehtësimin e disa sanksioneve për shkak të rrezikut të urisë.
Ai vuri në dukje se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka izoluar vendin për shkak të masave të ashpra që ka marrë për arsye të pandemisë dhe se populli ka mbetur i privuar nga nevojat themelore. Quintana paralajmëroi se rreziku i urisë do të rritet për sa kohë që kufijtë qëndrojnë të mbyllur.
KS-OKB-ja që nga viti 2006 e deri më tani zbaton sanksione ekonomike dhe ushtarake ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit të saj bërthamor. /aa