Rusia ka bllokuar gati 70 për qind të detit Azov rreth gadishullit të aneksuar të Krimesë, sipas një deklarate të marinës ukrainase.
Flota ruse po planifikon manovra ushtarake në portet ukrainase të Mariupol, Berdyansk dhe Henichesk, njoftuan forcat detare. Ende nuk ka konfirmim nga pala ruse.
Të enjten, roja kufitare ruse akuzoi një anije të marinës ukrainase se po i afrohej ngushticës Kerç pa leje. Qeveria ruse foli për një provokim të rrezikshëm, ndërsa Kievi hodhi poshtë akuzën, me argumentin se anija “Donbas” nuk ishte larguar nga ujërat e saj territoriale.
Deti Azov është një det i brendshëm me Rusinë në lindje dhe Ukrainën në perëndim. Ai është i lidhur me Detin e Zi nga ngushtica Kerç.
Në nëntor 2018, tre anije ushtarake ukrainase u rrëmbyen nga roja kufitare ruse teksa përpiqeshin të kalonin ngushticën. 24 marinarët u liruan vetëm pas disa muajsh negociatash.
Incidenti përkeqësoi më tej marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike.
Ukraina është përplasur me Rusinë që kur fqinji i saj aneksoi Krimenë për herë të parë në vitin 2014 dhe filloi të mbështesë separatistët pro-rusë në rajonin lindor të Ukrainës Donbas. /atsh