Rusia armatos Serbinë, e bën me sistem raketor shumë modern

Russian President Vladimir Putin and Serbian President Tomislav Nikolic (R) attend a military parade to mark 70 years since the city's liberation by the Red Army in Belgrade, Serbia, October 16, 2014. REUTERS/Vasily Maximov/Pool/File Photo

Serbia po armatoset fuqimisht nga aleati i saj historik, Rusia, me armë moderne.

Vuçiç dhe Putini, në takimin e tyre në Moskë para disa javësh, u pajtuan mes tjerash për blerje të madhe të teknologjisë së avancuar luftarake ruse për mbrojtjen raketore nga ajri.

Me blerjen e sistemeve të avancuara të raketave tokë-ajër, Serbia synon të ndërtojë një sistem të mbrojtjes ajrore me tre unaza të mbrojtjes, transmeton Indeksonline.

Së pari është sistemi balistik S-300 me rreze të gjatë veprimi prej 300 kilometra, që është një prej sistemeve më të avancuara të raketave tokë-ajër. Mjafton një nga këto sisteme raketash për të kontrolluar hapësirën ajrore për 280 000 kilometra katrorë. Gjithashtu, janë sistemet e raketave BUK me rreze veprimi të mesëm prej 50 kilometra, si dhe sistemet Tunguska dhe Tor me rreze të shkurtër veprimi.

Me këtë infrastrukturë të mbrojtjes ajrore të marrë nga Rusia, Serbia synon që të paralizojë epërsinë ajrore të avionëve luftarakë të NATO-s.

Në këmbim të marrëveshjes së blerjes së këtyre sistemeve, Rusia pritet t’i falë Serbisë nga rezervat e saj një paketë të majme armatimesh. Në këtë paketë, sipas mediave serbe, janë përfshirë gjysmëskuadroni prej 6 avionë gjuajtës bombardues Mig-29, që do t’i shtohen 4 avionëve që janë tashmë në përdorim nga flota ajrore serbe. Këta avionë tashmë janë dorëzuar në muajin mars në bazën ajrore të Batajanicës. Pjesë e marrëveshjes Vuçiç-Putin është gjithashtu modernizimi i helikopterëve ekzistues serb Mil. Si pjesë e armatosjes së mëtejshme me armë ruse, serbët pritet që të marrin në dorëzim së shpejti si dhuratë nga Rusia edhe 30 tanke të rënda T-72 dhe 30 mjete të blinduara BRDM-2.

Në fillim të këtij viti, pasi Kroacia shpalosi planet për të blerë avionë të rinj luftarak, edhe Serbia menjëherë tregoi se do të merrte edhe 8 avionë të tjerë Mig 29 prej Bjellorusisë.

Në qershor të vitit të kaluar, Serbia mori në dorëzim nga Rusia edhe dy helikopterë Mi-17V-5, si pjesë e planit për të krijuar një flotë prej 12 helikopterësh të tillë brenda vitit 2020.

Këta janë helikopterë me përdorim të gjithanshëm që mund të përdoren edhe si transportues, por edhe gjuajtës dhe secili prej tyre ka kushtuar 12.65 milionë euro.

Serbia vazhdon ende të mbajë një buxhet të madh për mbrojtjen prej 500 milionë eurosh. Ndërkohë që, ajo vazhdon të mbështesë edhe një industri të zhvilluar armatimesh, e cila vetëm gjatë vitit të kaluar ka eksportuar 483 milionë dollarë armatime e municione.