Rusia njoftoi sanksione kundër tetë zyrtarëve europianë, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga BE në mars, mes tensioneve të rinovuara midis Moskës dhe Perëndimit.
“BE po vazhdon politikën e saj të masave kufizuese të njëanshme, të paligjshme që synojnë qytetarët dhe organizatat ruse”, tha diplomacia ruse në një deklaratë.
Midis tetë zyrtarë europianë të sanksionuar edhe presidenti i Parlamentit Europian Davide Sassoli dhe prokurori i Berlinit Jorg Raupach.
Sipas njoftimit për shtyp, Rusia po i përgjigjet në veçanti sanksioneve të vendosura nga BE më 2 dhe 22 mars ndaj zyrtarëve të lartë rusë, veprime që synojnë në sytë e Moskës “nisjen e një sfide të hapur për pavarësinë e politikës ruse të brendshme dhe të jashtme”.
Më 2 mars, BE njoftoi vendimin e saj për të vendosur masa kufizuese ndaj katër rusëve përgjegjës, sipas BE-së, për shkelje serioze të të drejtave të njeriut, duke përfshirë procedurat ligjore kundër disidentit rus Alexei Navalny, si edhe goditjen masive dhe sistematike të lirisë së tubimit paqësor në Rusi.
Më 22 mars, Këshilli i BE-së vendosi të vendosë masa kufizuese ndaj atyre që janë përgjegjës për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës /atsh