Rusi, mbi 15 po’licë të vr’arë në sulmet në Dagestan

Presidenti i Republikës Autonome të Dagestanit në Rusi, Sergey Melikov tha se ka kaluar 15 numri i policëve që kanë humbur jetën në sulmin e armatosur në qytetin Makhachkala, transmeton Anadolu.

Nga llogaria e tij në Telegram, Melikov dha deklaratë lidhur me sulmet që shënjestruan një pikë policore, një sinagogë dhe dy kisha në qytetet Makhachkala dhe Derbent.

“Ky është ‘sulm terrorist’. E dimë se kush qëndron pas kësaj dhe se çfarë synojnë ata që kanë organizuar këto sulme. Lufta ka ardhur në shtëpinë tonë”, tha Melikov.

Sipas tij, Policia e Dagestanit u është kundërvënë atyre që kanë kryer sulmet. “Më shumë se 15 policë humbën jetën në këtë sulm të paprecedentë. Ata me armët në dorë mbronin paqen dhe qetësinë në Dagestan. Mes të vdekurve ka edhe disa civilë, përfshirë një prift”, tha Melikov.

Pasi bëri të ditur se ka përfunduar faza aktive e operacionit antiterror në qytetet Makhachkala dhe Derbent, Melikov tha: “Janë neutralizuar 6 militantët që kryen sulmet. Do të kryhen punimet e nevojshme për të identifikuar celulat terroriste dhe për të zbuluar të gjitha lojërat e përgatitura nga fuqitë e huaja. Situata është nën kontrollin e institucioneve shtetërore”.

Në një deklaratë nga Komiteti Hetimor i Rusisë thuhet se sulmet janë vlerësuar si akt terrorist ndërsa ka filluar një hetim lidhur me ngjarjen.

– Ngjarja

Në një deklaratë dje nga Ministria e Brendshme ruse thuhej se persona të paidentifikuar dhe të armatosur kryen sulme në qytetet Makhachkala dhe Derbent.

Ndërkohë u theksua se në sulmet që shënjestruan një pikë policore, një sinagogë dhe dy kisha, humbën jetën 7 punonjës policie dhe një prift ndërsa u vranë 4 nga sulmuesit që kryen sulmet.