Rusi, fillon votimi për zgjedhjet presidenciale

Qytetarët në Rusi filluan të votojnë të premten në mëngjes për zgjedhjet e para treditore presidenciale në historinë e vendit, në të cilat presidenti aktual Vladimir Putin kandidon për një mandat të pestë, raporton Anadolu.

Procesi i votimit i cili fillimisht filloi në rajonet Kamchatka dhe Chukotka në pjesën më lindore të vendit, mbahet në më shumë se 94 mijë vendvotime në të gjithë vendin.

Votimi do të vazhdojë sot, nesër dhe më 17 mars, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 20:00 sipas kohës lokale. Zgjedhjet do të përfundojnë mbrëmjen e 17 marsit me mbylljen e qendrave të votimit në rajonin e Kaliningradit, në pjesën më në perëndim të vendit.

Brenda vendit do të votojnë më shumë se 112.3 milionë qytetarë ndërsa në zyrat përfaqësuese të Rusisë jashtë vendit mbi 1.9 milionë qytetarë. Zgjedhjet zhvillohen edhe me votim elektronik në distancë. Votimi në distancë mbahet në gjithsej 29 rajone, përfshirë edhe Moskën.

Votimet për zgjedhjet presidenciale po mbahen edhe në Krime, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, si dhe në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të cilat i aneksoi në vitin 2022.

Në zgjedhjet ku për presidencën garojnë 4 kandidatë, presidenti aktual Vladimir Putin u bë kandidat i pavarur me mbështetjen e Partisë “Rusia e Bashkuar”.

Kryetari i Partisë Liberal Demokratike, Leonid Slutsky zuri vendin e tij në fletën e votimit si kandidat për partinë e tij, Nikolay Kharitonov nga Partia Komuniste dhe Vladislav Davankov si kandidat për Partinë e Re Popullore.

Presidenti i ri që do të zgjidhet do të qëndrojë në detyrë për 6 vjet. Putini i cili shihet se ka shanse shumë të mëdha për t‘u zgjedhur, do të ushtrojë detyrën e presidentit të Rusisë për herë të pestë nëse fiton sërish në votime.

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale duhet të shpallen jo më vonë se 28 mars.

Ndërkohë tërheq vëmendjen se zgjedhjet presidenciale në Rusi mbahen nën hijen e luftës Rusi-Ukrainë.