Rusi, avioni i “Siberian Airlines” del nga pista në qytetin Norilsk

Një avion i “Siberian Airlines”, i ardhur nga Moska, doli nga pista pasi u ul në qytetin rus Norilsk, njoftuan sot autoritetet lokale, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga Zyra e Prokurorisë së Transportit të Siberisë Perëndimore të shpërndarë në Telegram, avioni “Airbus A321” ka dalë nga pista ndërsa po bënte kthesë në rrugën lidhëse në Aeroportin Ndërkombëtar Alykel.

Qyteti Norilsk, në rajonin Siberian Krasnoyarsk, është mbi 2.800 kilometra në lindje të Moskës.

Deklarata vuri në dukje se 79 pasagjerë ndodheshin në bordin e avionit, i cili është ndalur përkohësisht, ndërkohë që po zhvillohet hetim për të përcaktuar shkakun e incidentit.

“Një avion rezervë është caktuar për të kryer fluturimin e kthimit për në Moskë”, shtohet në deklaratë.

Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi viktima apo shkallën e dëmtimit të avionit.