Ballina Sport Futboll Rumunët duan fitore në fushë, jo në tribuna

Rumunët duan fitore në fushë, jo në tribuna

Portieri i Kombëtares së Rumanisë, Florin Nita ka insistuar se në kampin rumun janë të bindur se do të përfundojnë të parët në grupin e tyre në Ligën e Kombeve.

Po ashtu, Nita ka insistuar se Rumania këtë do ta konfirmoj me fitore si kundër Kosovës ashtu edhe Qipros në dy ndeshjet e fundit.

Nita në konferencën për shtyp të mërkurën i është drejtuar tifozëve të Rumanisë, duke kërkuar prej tyre që mos të shfaqin mesazhe politike në tribuna gjatë ndeshjes me Kosovën.

Ai ka thënë se një veprim i tillë rrezikon që ndeshja të ndërpritet ose të humbet me rezultat zyrtar, pasi Kosova do të largohet nga fusha dhe do të ankohet në UEFA.

“Dua që tifozët të jenë të balancuar në ndeshjen kundër Kosovës, duke treguar karakter dhe jo duke shfaqur mesazhe apo të bëjnë thirrje anti-Kosovë për shkak se kundërshtarët këtë e presin. Duhet të jemi inteligjent dhe ta fitojmë ndeshjen në fushë, jo në tribuna”, është shprehur Nita.

Ndeshja Rumani – Kosovë, luhet të premten prej orës 20:45 në Bukuresht dhe është e rëndësishme për vendin e parë në grup, të cilin aktualisht e mbajnë rumunët me 12 pikë, tri më shumë se “Dardanët”.

Exit mobile version