Rugovën e tejkaloi koha

Ardian Muhaj

Në gusht të vitit 1991 partitë politike në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, themeluan një komitet të përbashkët nën kryesinë e Rugovës, për të bashkërenditur veprimtaritë e tyre dhe për të mbajtur qëndrim të përbashkët. Vetëm kur u pa se shpresat e një marrëveshjeje të tillë për ruajtjen e Jugosllavisë ishin krejt të kota, shqiptarët u deklaruan për shkëputje nga Serbia dhe iu drejtuan Bashkësisë Europiane për t’i njohur Kosovës pavarësinë.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Aty nga fundi i vitit 1989 e fillimi i vitit 1990, skena politike e Kosovës pësoi ndryshime të shpejta e dramatike me daljen e partive të para politike të pavarura. Rrënjët e kësaj kulture të re nuk u themeluan mbi rrënojat e klasës së vjetër të funksionarëve politikë që i kishin shërbyer sistemit titist, por tek qarqet intelektuale të formuara në Universitetin e Prishtinës. Dy organizata që luajtën rol kryesor në këtë gjallërim të kësaj lëvizjeje ishin Shoqata e Filozofëve dhe e Sociologëve të Kosovës dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, që filloi të luajë një rol politik pas dorëheqjes masive nga ana e anëtarëve serbë. Në rrethana të tilla, Lidhja e Shkrimtarëve i prezantoi qëllimet e politikës kombëtare të shqiptarëve, e cila fitoi një përkrahje të gjerë, duke e kthyer Lidhjen në bërthamen e lëvizjes popullore. Kjo bëri të mundur që kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dr. Ibrahim Rugova, i specializuar në historinë e letërsisë dhe në estetikë, si dhe autori i një monografie mbi Pjetër Bogdanin, të bëhet lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila u themelua zyrtarisht me 23 dhjetor 1989. LDK-ja, si partia e parë politike shqiptare në Kosovë, brenda një kohe të shkurtër u shfaq si partia shqiptare më e fuqishme dhe që shërbeu si bosht organizues i lëvizjes paqësore.

Ibrahim Rugova luajti një rol vendimtar në unifikimin e popullit të Kosovës në këtë periudhë kritike. Qëndrimi i Rugovës për “rezistencën paqësore” nuk ishte thjesht një strategji, por edhe një filozofi politike. Ai besonte se përdorimi i forcës do ta legjitimonte dhunën serbe dhe do t’i justifikonte masat represive të Millosheviqit. Kjo qasje fitoi mbështetje të gjerë në mesin e shqiptarëve të Kosovës dhe në diasporë.

Pas LDK-së u krijuan edhe parti të tjera, mes të cilave më të rëndësishmet ishin Partia Fshatare, Partia Social-Demokrate, Partia Parlamentare e Partia Demokristiane. Partitë e opozitës në Kosovë i bashkërenduan veprimtaritë e tyre dhe mbajtën qëndrim të njëjtë për çështjet kyçe deri në atë pikë sa shqiptarët të mos njihnin autoritet tjetër, përveç pushtetit të opozitës, të udhëhequr nga Rugova. Ai u kërkonte që shqiptarët të mos i jepnin Serbisë shkas për të bërë fushata spastrimesh etnike, duke theksuar se politika e Millosheviqit është e destinuar të dështojë dhe se koha punon për shqiptarët. Në një intervistë dhënë në gusht të vitit 1990-të, Rugova e shpjegonte kështu strategjinë e tij: “Duhet të jetë e qartë se rruga e politikës paqësore është më e gjatë, por një zgjidhje e matur dhe e menduar mirë e këtij lloji është më e qëndrueshme… Për ne eshtë e rëndësishme të mbrojmë popullin nga ata që duan ta provokojnë, sepse të gjithë e dinë se në situata të tjera të mëparshme vuajtëm shumë dhe patëm shumë të vrarë, për shkak të provokacioneve. Një konfrontim në kushtet e sotme nuk do të ishte në favorin tonë. Do të humbisnim jetë njerëzish dhe ne nuk e duam këtë. Edhe shtetet e mëdha kërkojnë të arrijnë fitoren me sa më pak humbje që të jetë e mundur. Duhet ta mësojmë këtë mësim, sepse kemi humbur shumë viktima gjatë historisë sonë e kemi fituar pak. Çdo sukses do të ngjante me fitoren e Pirros.”

Në gusht të vitit 1991 partitë politike në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, themeluan një komitet të përbashkët nën kryesinë e Rugovës, për të bashkërenditur veprimtaritë e tyre dhe për të mbajtur qëndrim të përbashkët. Vetëm kur u pa se shpresat e një marrëveshjeje të tillë për ruajtjen e Jugosllavisë ishin krejt të kota, shqiptarët u deklaruan për shkëputje nga Serbia dhe iu drejtuan Bashkësisë Europiane për t’i njohur Kosovës pavarësinë. Kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës iu dorëzua zyrtarisht Komisionit të 13 Ministrave të Jashtëm të Komunitetit Europian në Bruksel. Në dokument thuhej: “Ne po jua paraqesim këtë dokument duke kërkuar njohjen formale të Republikës së Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur… Në përputhje me Rezolutën e 16 dhjetorit 1991 për Jugosllavinë solemnisht deklarojmë: Populli i Kosovës dëshiron të njihet si një shtet i pavarur… Qeveria e Kosovës i pranon të gjitha kushtet e detyrimit, të përcaktuara nga Komuniteti Europian, si parakushte për njohjen formale të republikave jugosllave që kërkojnë njohjen ndërkombëtare”.

Duke e pasur të qartë se Parlamenti i Kosovës në ekzil nuk ishte në gjendje t’i përmbushë detyrat e tij si pushtet legjislativ dhe nisur nga fakti se pushteti ekzekutiv ishte i paplotë pa një kryetar shteti, Parlamenti vendosi mbajtjen e zgjedhjeve. Ato u mbajtën në kushtet e terrorit serb më 24 maj 1992, me prezencë të 61 agjencive të lajmeve të vendit e të huaja dhe vëzhguesve ndërkombëtarë nga Europa Perendimore dhe SHBA-ja. Zyrtarisht u deklarua se pjesëmarrja kishte qenë 87%. Në këto zgjedhje Rugova, që ishte i vetmi kandidat, u zgjodh President i Republikës me 99% të votave. Këto zgjedhje ishin gurthemel për krijimin e institucioneve paralele në kushtet e mosnjohjes së tyre as nga Serbia dhe as nga bashkësia ndërkombëtare. Rugova paraqiti qëndrimin që do ta mbante ai dhe Republika e Kosovës. Ai shpjegoi se “shqiptarët nuk do të përdorin forcën, ata do të vazhdojnë të përpiqen për përmbushjen e aspiratave të tyre për pavarësi dhe demokraci me mjete politike e paqësore”.

Në një intervistë dhënë në Le Nouvel Observateur në Francë, pyetjes se si e parashikonte zhvillimin e situatës në të ardhmen, ai i përgjigjet kështu: “Nëse nuk do të kemi sukses në fillimin e dialogut serioz, unë parandjej më të keqen, parashikoj shpërthimin e një revolte. Jam i vetëdijshëm se kjo në të vërtetë ka për të qenë një tragjedi, prandaj unë i bëj apel Europës për ta përdorur influencën e saj; për të ndaluar represionin serb dhe në të njëjtën kohë për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Situata e tashme është vërtetë serioze. Serbët presin një shans për të ndërhyrë. Ne gjithmonë nuk ua kemi dhënë këtë shans atyre. Ajo që ekzaktësisht e dëshiron Beogradi, një revoltë e shqiptarëve si shkak i provokacioneve serbe, do të jetë një masakër, sepse ne nuk kemi armë. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë prezencën e OKB-së këtu para se të jetë tepër vonë.”

Përfundimi i luftës në Bosnjë dhe Konferenca e Dejtonit e nxirrte, logjikisht, në plan të parë të problemeve ballkanike Kosovën. Në lidhje me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar u bë pothuajse rutinë deklarimi se në Kosovë nuk do të lejohet përsëritja e Bosnjës, ndërsa Serbia priste vetëm shkak për të “rregulluar” edhe Kosovën në mënyrën e vet. Brenda faktorit shqiptar filluan të duken shenjat e nervozizmit e të padurimit. Politika e rezistencës paqësore, e ndjekur nga Rugova, po ia dilte mbanë t’i ruante shqiptarët nga shpërthimi i masakrave masive të serbëve, por nga ana tjetër po i veniste shpresat e shqiptarëve për liri. Rugova mbeti pandryshueshëm në qëndrimet e veta, por paralajmërimeve të Rugovës për evitimin e konfliktit duket se askush nuk po ua vinte veshin. Ai vazhdoi t’i përmbahej parimit se “zgjidhja më e mirë në Europën Juglindore është Kosova e pavarur dhe neutrale, me të gjitha garancitë për serbët dhe me një protektorat civil ndërkombëtar si fazë kalimtare (shkurt 1997).

Përkundër faktit se qasja paqësore e Rugovës pati sukses në unifikimin e popullit, ajo nuk arriti ta ndalte dhunën serbe dhe nuk i bindi fuqitë e mëdha ndërkombëtare që të ndërhyjnë në mënyrë aktive. Kosova kërkonte një zgjidhje, ndërsa në këtë aspekt as Serbia, as Perëndimi nuk ishin të interesuar ta parandalojnë luftën në Kosovë. Serbia, nga ana e saj, po përgatitej për t’i dhënë fund çështjes së Kosovës. Fillimisht ajo e shtoi prezencën e forcave ushtarake e policore në Kosovë, kurse hapi tjetër u ndërmor në kuadrin e rregullimeve “panballkanike”, në të cilin futet shkatërrimi i Shqipërisë më 1997, kjo si prelud i shkatërrimit dhe i spastrimit të Kosovës.

Rugova dhe Berisha: një aleancë akoma e papërsëritshme në politikën kombëtare

Marrëdhënia midis Ibrahim Rugovës dhe Sali Berishës ka qenë një nga aleancat politike më të spikatura të periudhës së tranzicionit postkomunist në historinë kombëtare shqiptare. Kjo lidhje u karakterizua nga mbështetja reciproke dhe bashkëpunimi për çështjet madhore të kombit shqiptar. Rugova, si lideri politik i shqiptarëve të Kosovës, dhe Berisha, si presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht në Shqipëri, ndanë vizionin e një kombi të bashkuar dhe të zhvilluar.

Rugova ka treguar një mbështetje të vazhdueshme ndaj politikave të ndjekura nga Berisha, veçanërisht ato që lidhen me çështjen kombëtare. Gjatë viteve 1990-të, Rugova i përshëndeti përpjekjet e Berishës për ta fuqizuar rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe për ta promovuar çështjen e Kosovës. Mbështetja e Rugovës erdhi në një kohë kur Shqipëria po përballej me sfida të mëdha të tranzicionit dhe po kërkonte t’i forconte institucionet demokratike. Në këtë kuadër, Rugova ka vlerësuar angazhimin e Berishës për ta mbajtur çështjen e Kosovës në vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, duke përfshirë mbështetjen për rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës dhe krijimin e urave të bashkëpunimit me liderët globalë.

Nga ana e tij, Berisha ka qenë një përkrahës i palëkundur i Rugovës dhe politikës së tij paqësore në Kosovë. Berisha, gjithashtu, ka ndihmuar në krijimin e kanaleve diplomatike që e lejuan Rugovën ta përçonte mesazhin e tij te bota perëndimore. Gjatë takimeve të nivelit të lartë dhe konferencave ndërkombëtare, Berisha ka theksuar vazhdimisht rolin historik të Rugovës dhe ka promovuar idenë e një Kosove të pavarur dhe demokratike.

Marredhënia midis Rugovës dhe Berishës ka pasur një bazë të fortë strategjike. Të dy liderët ndanin bindjen se uniteti kombëtar ishte thelbësor për të përballuar sfidat që rridhnin nga politika agresive e Beogradit dhe pasiguria ndërkombëtare. Bashkëpunimi i tyre, gjithashtu, ndikoi në mobilizimin e diasporës shqiptare, e cila luajti një rol vendimtar në mbështetjen financiare dhe diplomatike të çështjes së Kosovës. Marrëdhënia midis Ibrahim Rugovës dhe Sali Berishës mbetet një shembull i rrallë i bashkëpunimit politik në historinë moderne shqiptare. Mbështetja reciproke e tyre në periudha të vështira tregon se si lidershipi i bashkuar mund të sjellë përfitime të qenësishme për kombin. Kjo lidhje, e bazuar në vlera të përbashkëta dhe qëllime strategjike, luajti një rol vendimtar në fuqizimin e çështjes kombëtare shqiptare në fund të shekullit XX.

Rugovën e tejkaloi koha

Ibrahim Rugova përfaqëson një figurë simbol të qëndresës paqësore dhe unitetit kombëtar në një kohë kur Kosova përjetonte një nga periudhat më të errëta në historinë e saj. Në periudhën kur Ibrahim Rugova udhëhiqte shqiptarët e Kosovës, ai ishte një figurë e pakontestuar. Rezistenca e tij paqësore dhe qëndrimi diplomatik e bënë atë të veçantë në mesin e liderëve bashkëkohës. Asnjë nga bashkëkohësit e tij, qofshin ata në Kosovë apo në Shqipëri, nuk mundi të rivalizonte ndikimin dhe legjitimitetin e Rugovës në sytë e shqiptarëve të Kosovës. Ai mishëronte jo vetëm ëndrrën për liri, por edhe shpresën për një zgjidhje paqësore të konfliktit me Serbinë. Megjithatë, koha dhe zhvillimet që pasuan më vonë treguan se filozofia e Rugovës, ndonëse e fuqishme dhe frymëzuese, u tejkalua nga dinamika e re e ngjarjeve.

Figura e Rugovës u konsolidua si rezultat i aftësisë së tij për të arritur mbështetje të gjerë, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërsa Rugova ishte simbol i një epoke dhe filozofie të caktuar, zhvillimet e viteve 1998-1999 treguan se koha po ndryshonte dhe, bashkë me të, edhe nevojat e popullit të Kosovës. Lindja e UÇK dhe përshkallëzimi i konfliktit të armatosur shmangën vëmendjen nga qasja paqësore e Rugovës. Strategjia e tij filloi të shihej si e pamjaftueshme për ta përballuar brutalitetin serb dhe për të siguruar ndërhyrjen ndërkombëtare. Ndonëse Rugova mbeti një figurë qendrore, ndikimi i tij në përballimin e situatës së re u zvogëlua. Rugova ishte dhe mbetet simbol i unitetit dhe maturisë politike në një periudhë të ndërlikuar historike, por koha tregoi se asnjë lider nuk mund të mbetet përjetë i përshtatshëm për të gjitha rrethanat. /revistashenja