Rugova, prijësi “meditans” e fjalëpakë i një aspirate historike

Bardhyl Zaimi

Përderisa në mendimin teorik letrar Rugova shquhej për studime të thella diakronike dhe sinkronike, përmes një procedimi argumentues, në aksionin politik ai do të jetë fjalëpakë, por gjithnjë duke shënjuar esencën e substancës së tij politike. Dardania, në diskursin e tij politik, si simbolikë autoktonie dhe legjitimiteti historik, do të jetë në funksion të finalitetit politik, pavarësisë së Kosovës, që do ta theksonte në çdo paraqitje të tij. Një diskurs i kondensuar politik, më të cilin do të identifikohet gjithë përpjekja historike e popullit të Kosovës, por që do të reflektojë si urtësi politike dinjiteti kombëtar në gjithë skenën ndërkombëtare.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Në figurën e Ibrahim Rugovës gërshetohen dy përmasa: përmasa e teoricienit të letërsisë dhe përmasa e politikanit, që në rastin e tij mbetet atipike, për shkak se nuk mund të definohet në suaza të kuptimit themelor të politikës, por duhet parë në një rrafsh krejtësisht tjetër, në rrafshin e një prijësi të urtë, i cili paraprakisht e kishte sublimuar brenda vetes trajektoren historike, politike dhe kulturore të Kosovës dhe, përgjithësisht, të shqiptarëve. Rugova mbetet simbiozë e letrarit dhe politikanit, një paradigmë më vete, që dijen letrare, gjithë atë mbrujtje intelektuale, do ta mbarështrojë si vizion politik për shqiptarët e Kosovës, që si synim përfundimtar do ta ketë çlirimin e Kosovës, pavarësinë përfundimtare të shtetit të Kosovës.

Ky rrugëtim mbetet atipik në Europën Juglindore, por edhe më gjerë. I mbrujtur me dije të thella teorike, me paradigmat më moderne teorike dhe letrare të viteve të 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar, Rugova do të ndodhet përpara një sfide të jashtëzakonshme, që ndërlidhet me fatin e popullit të tij, të shqiptarëve të Kosovës, të cilët po vuanin nën rrëgjimin e egër dhe brutal të pushtetit serb. Do të jetë pikërisht ky momentum, ky imperativ historik dhe intelektual, që do të vijë si një thirrje historike te intelektuali i përmasave europiane, Ibrahim Rugova.

Rugova meditans

Figura e Rugovës, në asnjë rast, nuk mund të shihet jashtë përmasës letrare, jashtë këtij rrafshi formësimi, por edhe jashtë mbrujtjes së tij si personalitet, si njeri që me kohë i kishte studiuar dhe përbrendësuar gjithë thellësitë historike të rezistencës dhe të refuzimit politik të shqiptarëve të Kosovës. Rugova si politikan, më saktësisht prijës, në asnjë rast nuk mund të kundrohet jashtë përmasës “Rugova meditans”, mendimtar, ashtu siç e përkufizon studiuesi nga Kosova, Kujtim Shala.

Siç dihet tashmë, punën e frytshme në rrafshin e parë, në studimin e letërsisë, e përligjin veprat madhore: “Kah teoria”, “Strategjia e kuptimit”, “Refuzimi estetik”, “Vepra e Bogdanit” dhe  “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”.

Në një shkrim të tij, “Rugova – Letërsia dhe Politika si Res Publica”, shkrimtari dhe studiuesi, Ndue Ukaj thekson se rrugët e tij intelektuale e krijuese u kryqëzuan me momentet politike të kohës, siç ishte rënia e ideologjisë komuniste në Europën Juglindore.

“Ndërkohë që ideologjia komuniste jepte shpirt, intelektuali i formuar në Paris, nxënës i Roland Barthes-it, për shkak të rrethanave shtrënguese – dhe jo ngaqë ushqente ndonjë afinitet për të, më 1989 gjendet në ballë të lëvizjes politike të kohës, të cilën do ta drejtojë deri në fund të jetës së tij, më 2006”, shkruan ai.

Mund ta marrim me mend se çfarë kalibri studiuesi ka qenë Rugova, në kohën kur pohon se ka qenë “nxënës i Barthesit-it të madh”, njërit ndër teoricienët letrarë më të fuqishëm të shekullit njëzet, i cili njihet për esenë e tij “Vdekja e autorit”, që i hap rrugë teorisë së receptimit letrar, gjegjësisht lexuesit si një lloj bashkautori në një vepër të hapur për interpretim. Rugova, realisht, në rrafshin teorik dhe studimor do të jetë në frekuenca me mendimin më të avancuar letrar të kohës dhe kjo do të mundësojë që, krahas receptimeve teorike letrare, të mbrujë brenda vetes edhe substancë dhe vizion politik që do të shfaqej në momentin kur ai nga fusha letrare do të zhvendoset në fushën politike.

Në gjithë trajektoren e tij studimore, Rugova do të shpërfaqë modele tjera të receptimit letrar dhe, bashkë me këtë, edhe eksplorime teorike letërsi-pushtet-ideologji, që në njëfarë mënyrë do të jetë prelud për një paracaktim, për inkuadrimin e tij në politikë.

Mes letërsisë dhe politikës

Siç e vë në dukje studiuesi Ndue Ukja, në librin “Refuzimi estetik” (1987), veçanërisht tek eseja me të njëjtin titull, Rugova do ta shpalosë më qartësisht platformën kulturore dhe qëllimet e tij letrare, në funksion të transformimit të nevojave shpirtërore, të cilat dëshironte t’i sendërtonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë.

“Rugova qe i vetëdijshëm se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikon në vetëdijen kulturore të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij qe një binom i pashkëputur: kulturë e politikë. Rugova ishte i bindur se sa herë që politika e refuzon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën”.

Ukaj vë në dukje se “duke e zhvilluar tezën e tij për refuzimin estetik, Rugova iu rikthehet marrëdhënieve mes artit dhe politikës. Dy fushat, edhe pse në kundërshti, janë pjesë e interesit të përgjithshëm, si res publica”.

Janë të shumtë studiuesit që i shohin si të pandashëm dimensionin e Rugovës si mendimtar dhe Rugovës si “prijës politik”. Sabri Hamiti në shkrimin “Rugova, prijës politik” thekson se Rugova hyri në politikë me identitet krijuesi e dijetari. Sipas tij, që nga themelimi udhëhoqi LDK-në, me tri postulatet programore: liri, pavarësi, demokraci dhe punoi për themelimin e Kosovës së pavarur.

“Politika e Rugovës është politikë kombëtare me fytyrë të njeriut që krijon miqësi. Është frymë e përbashkimit shqiptar të krahinave, feve e ideve. Është politikë e mosdhunës dhe e durimit, jo vetëm në zgripin e katastrofës, por edhe e provës universale: që dhuna lind e riprodhon dhunën”, thekson Hamiti.

Ai thekson se është legale e legjitime për ta promovuar solidaritetin e popullit si tërësi, duke pasur parasysh energjinë krijuese të brendshme, të pacenueshme nga ndasitë. Është ftesë për mirëkuptim (të brendshëm) dhe ftesë për marrëdhënie (të jashtme); ofertë për bashkëpunim për marrje e dhënie, e shqiptuar me fjalë të buta, pa klithma të dëshpërimit.

Urtësia e refuzimit politik

Pikërisht në këto thellësi teorike, por edhe në realitetet historike dhe të aktualitetit, zë fill “refuzimi estetik” i Rugovës, që ngadalë do të transkriptohet në refuzim politik, në një refuzim të përgjithshëm shoqëror, që do të hapë një kohë tjetër për popullin e Kosovës, që do të hapë një dritare shprese që mbruhet në vizionin human me përmasa urtësie primordiale. Ai do të shndërrohet në një urë mbi të cilën do të kalojnë ngeshëm konceptet letrare, që tashmë po viheshin në funksione shoqërore dhe politike.

Nëpërmjet një elegance teorike, Rugova tashmë e kishte shpallur idenë e refuzimit politik, sidomos me librin e tij “Refuzimi estetik”, që vjen si një prelud i përshpirtshëm intelektual, si një dantellë e hollë “estetike” për të kundërshtuar me konceptin e tij unikat të urtësisë dhe regjimin brutal të Serbisë në Kosovë.

Pikërisht në esenë e tij “Refuzimi estetik”, Rugova shkruan se refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, ndërsa bindja në argument ose në temë, thënë me terminologji antike greke. “Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi-refuzimi. Njeriu, fundamentalisht është i lidhur ose i mbërthyer në këtë apori, sepse vetë jeta dhe aktet e veprimit të tij përbëhen nga këta anëtarë të raportit”, thekson Rugova.

Po në këtë ese ai thekson se në momentet e çrregullimeve të caktuara sociale e sistemore brenda një kombi a shoqërie, funksioni më i mirë i letërsisë, pos angazhimit të saj të drejtpërdrejtë, po më pak, realizohet përmes refuzimit estetik, si më efikas dhe më burimor. Përmes refuzimit estetik, thekson Rugova, letërsia ndikon në vetëdijen kulturore të kohës, ndërsa kjo në vetëdijen dhe në aksionin politik ose të pushtetit, duke krijuar inferioritetin e tij ndaj saj.

Siç mund ta vërejmë në këtë fragment të shkëputur nga kjo ese, Rugova tashmë refuzimin estetik e kishte bartur edhe në rrafshin e aksionit politik, duke besuar thellësisht në superioritetin e këtij refuzimi karshi pushtetit.

Prijësi i legjitimitetit historik të pavarësisë

Pa diskutim, në gjithë këtë kalim, nga orbita e mendimtarit në orbitën e aksionit politik, Rugova do ta ketë mbështetjen edhe të shumë intelektualëve të tjerë të Kosovës, të figurave të tjera të letërsisë dhe të kulturës, të cilët në fushat që mbulonin po e krijonin atë ndjeshmëri solidarizuese, atë kohezion kombëtar më se të nevojshëm për një golgotë politike të pashembullt në botë. Rugova do t’i ndërlidhë pikërisht këto ndjeshmëri, këtë aspiratë të brendshme historike të popullit të Kosovës dhe do ta vendosë atë në një koncept modern rezistence dhe refuzimi, që do të jetë unikat dhe i njohur në mbarë botën. Pikërisht në këtë matricë konceptuale politike, që determinohej nga konceptet e një mendimtari unikat, shkrihet gjithë rezistenca, gjithë aspirata për liri e popullit të Kosovës. /revistashenja