Në vigjilje të 19 vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës, është e rëndësishme të reflektojmë mbi trashëgiminë e tij dhe rolin që ai ka luajtur në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve. Filozofia e tij për rezistencën paqësore, orientimi properëndimor dhe këmbëngulësia e tij për pavarësinë e Kosovës janë një pjesë e rëndësishme e identitetit politik të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Sylë UKSHINI, Prishtinë
Ibrahim Rugova është një nga figurat më përfaqësuese në historinë moderne të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Rrugëtimi i tij politik ishte një reflektim i kushteve historike dhe sociale që shqiptarët e Kosovës i përballuan gjatë periudhës së okupimit serb në periudhën e thyerjeve të mëdha politike dhe ideologjike: të shembjes së komunizmit në Europën Lindore e Juglindore dhe të fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Në këtë analizë do t’i shqyrtojmë momentet kyçe që e formuan politikën dhe filozofinë e tij, duke e vlerësuar rolin e tij si intelektual dhe lider politik, si dhe ndikimin e tij në avancimin e çështjes shqiptare të Kosovës.
Në fund të viteve 1980-të, një vend i vogël në Europën Juglindore, Kosova, tërhoqi për muaj të tërë gjithë vëmendjen e republikave të atëhershme jugosllave dhe të bashkësisë ndërkombëtare, të mediave dhe të opinionin publik. Pas demonstratave studentore të vitit 1981, shovinizmi dhe hegjemonizmi serb, i cili mori një nxitje të madhe edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, filloi të godiste çdo gjë shqiptare në Kosovë dhe rajonet e tjera etnike. Pika kulmore e hegjemonizmit serb arriti në vitin 1986, kur Akademia Serbe e Shkencave e të Arteve hartoi Memorandumin famëkeq, i cili ishte dhe mbetet një manifest i politikës serbomadhe, të cilin e mori përsipër të realizonte Sllobodan Millosheviqi. Në anën tjetër, elita e atëhershme politike komuniste kosovare, që verbërish ndoqi diskursin jugosllav dhe godiste çdo shpërfaqje të nacionalizmit shqiptar në Kosovë, ishte e pafuqishme dhe e padijshme për t’iu kundërvënë tendencave serbomëdha dhe histerike antishqiptare në Beograd.
Tri momente kyçe në fillimet e rrugëtimin politik të Rugovës
Kur po ngushtoheshin radhët dhe po rrezikohej edhe ajo pak autonomi që e kishte Kosova, elita e brishtë shqiptare, që vepronte në një ambient armiqësor, filloi ta sfidonte diskursin hegjemonist të elitës politike dhe intelektuale serbe. Pika e kthesës ndodhi më 1 prill të vitit 1988 në takimin e Beogradit midis shkrimtarëve shqiptarë dhe serbë për temën “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”. Ajo ishte përplasja më e madhe publike e shkrimtarëve shqiptarë e serbë, nga e cila shkrimtarët shqiptarë të Kosovë i sfiduan me guxim dhe argumente kolegët e tyre serbë. Në këtë takim triumfues u shquan Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja e shkrimtarë të tjerë nga Kosova. Njëkohësisht, ky takim përbën momentin e parë kur Ibrahim Rugova po fillonte ngritjen e tij edhe si disident politik, si një zë, po ashtu, alternativ dhe autentik nga Kosova. Ky moment shënonte gjithashtu falimentimin e klasës politike kosovare, e cila, e akomoduar brenda sistemit komunist jugosllav, më shumë se për statusin e Kosovës dhe të shqiptarëve, por bënte përpjekje për mirëmbajtjen e pozitave në nivel krahinor dhe federativ, aty ku ishin akomoduar edhe familjarë dhe klane rajonale e partiake. Klasa politike e kohës, siç edhe tregojnë dokumentet amerikane, e kishte humbur arsyen dhe qëllimin që t’i mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në po të njëjtat dokumente ky takim i Beogradit e kishte bërë Rugovën adresë për bashkësinë ndërkombëtare në Prishtinë dhe jo klasën politike komuniste të kohës.
Në fjalimin e tij, Rugova e goditi fuqishëm strategjinë antishqiptare të Beogradit, duke ia bërë të qartë njëherë e mirë opinionit serb dhe jugosllav se shqiptarët e Kosovës nuk mund të trajtoheshin sipas logjikës së UDB-së të viteve të 50-ta dhe 60-ta. Sipas Rugovës, etiketat e hekurta, të cilat shërbenin si mekanizëm i një strategjie të fshehtë negative, siç ishin “nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar,” “separatizmi shqiptar”, “kundërrevolucioni”, “gjenocidi”, “shpërthimi i lindjeve” dhe plot të tjera, përbënin një “strategji antishqiptare, të cilën po e udhëhiqnin prej 7 vitesh një pjesë e shtypit, mandej institucionet e kulturës e të shkencës dhe shoqata të tjera të Beogradit”. Me këtë sistem të etiketimeve sulmohej direkt populli shqiptar, ndërsa në emër të viktimës dhe të mbrojtjes së serbëve dhe malazezëve akuzohej dhe sulmohej gjithë populli shqiptar. “Kjo strategji antishqiptare e borgjezisë serbe të fundit të shekullit të kaluar dhe të fillimit të këtij shekulli është pasuruar në kushtet e reja. Tani ajo mbështetet edhe në konceptet e socializmit shtetëror dhe deformimet e sigurimit të shtetit të dënuara më parë. Pra, kemi gjallërimin e logjikës së UDB-së të viteve ’50-të dhe 60-të ndaj shqiptarëve.”, deklaroi Rugova në takimin me shkrimtarët serbë në Beograd. Gjatë këtij takimi, Rugova e denoncoi me forcë hegjemonizmin shtetëror serb. Ky qëndrim i guximshëm i Rugovës e ndihmoi atë të krijonte një imazh të fortë si një kundërshtar i shtypjes dhe politikave të dhunshme të regjimit serb.
Momenti ose hapi i dytë drejt shtegut politik ishte takimi i Rugovës së bashku me Rexhep Qosjen me një delegacion të Parlamentit Europian, i cili drejtohej nga Julian Grimaldos, kryetar i delegacionit për marrëdhënie me Jugosllavinë. Ky delegacion europian kishte ardhur në Kosovë për ta njohur nga afër pozitën e shqiptarëve pas suprimimit të autonomisë. Ishte hera e parë që një delegacion i huaj, pos takimeve me udhëheqjen jugosllave dhe autoritetet komuniste kosovare, do të zhvillonte një takim të veçantë me dy intelektualët më të njohur kosovarë, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen, të cilët kishin bërë tashmë emër në rajon dhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimin e tyre kritik ndaj qeverisë Serbisë dhe të Jugosllavisë. Ndërkaq, shtypi serb akuzoi delegacionin europian se kishin zhvilluar kontakte me armiqtë e serbëve. Ishte kjo hera e parë që një delegacion i huaj po njihej me pozicionin real të shqiptarëve për ndryshimet e dhunshme të autonomisë së Kosovës, për vrasjet e civilëve të pafajshëm shqiptarë dhe për rritjen e tensioneve në Kosovë, të cilat ishin pasojë e sjelljes represive të Beogradit. Por, delegacionit europian iu ndalua çdo kontakt me njerëzit në rrugë, prandaj ata e ndërprenë vizitën para kohe. Me t’u larguar delegacion europiani, policia e Kosovës, nën drejtimin Jusuf Karakushit, asokohe përgjegjës për Punë të Brendshme, i burgosi mbi 100 studentë të UP-së, të cilët me 30 dhe 31 maj 1989 demonstruan në rrugët e Prishtinës dhe kërkuan që edhe ata ta takonin delegacionin. Sidoqoftë, ky ishte komunikimi i parë politik i Rugovës me botën e jashtme dhe një mundësi për ta paraqitur një alternativë ndaj diskursit të Lidhjes Komuniste të Kosovës, e cila mbante një qëndrim të fortë kundër Beogradit dhe shpërfillte aspiratat kombëtare të shqiptarëve. Ky takimi shënoi një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Rugovës për të marrë mbështetje ndërkombëtare dhe për të përballuar presionet që vinin nga regjimi serb.
Momenti i tretë dhe përfundimta,r i cili tregonte se Rugova po bëhej pjesë e politikës alternative në Kosovë dhe një zë përfaqësues për Kosovën në komunikim edhe me publikun ndërkombëtar, ishte intervista e tij për revistën e njohur gjermane “Der Spiegel”, e cila u botua me 25 qershor 1989, domethënë vetëm tre ditë para se serbët ta mbanin tubimin e madh provokativ ndaj shqiptarëve të Kosovë, të cilëve, po ashtu, Beogradi tre muaj më parë ua kishte hequr me forcë statusin autonom sipas kushtetutës së vitit 1974. Se cila ka qenë rëndësia e kësaj interviste, flet fakti se ajo ruhet në aktet diplomatike për Kosovën të Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Berlin. Ishte kjo një intervistë e guximshme e Ibrahim Rugovës, një intelektual 44-vjeçar, të cilin revista gjermane e prezantonte si profesor të letërsisë në Universitetin e Prishtinë dhe si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Ishte koha kur prej disa muajsh në Kosovë po vazhdonte një situatë dramatike. Pas demonstratave gjithëpopullore të tetorit 1988 dhe grevës së minatorëve të “Trepçës” në shkurt të vitit 1989, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë paralajmëronin për rrezikun e përshkallëzimit të rrethanave në Kosovë. Sidomos pika kulminante arriti pas ndryshimeve kushtetuese. Duhet thënë se kjo frikë u përforcua me faktin se udhëheqja e re serbe, nën Millosheviqin, në manifestimin nacionalist për 600 vjetorin e Betejës së Kosovës provokoi hapur me luftë si shqiptarët, ashtu edhe popujt e tjerë joserbë në Jugosllavi. Psikoza antishqiptare forcohej edhe nga fushata e Kishës Ortodokse Serbe, e cila i mobilizonte nacionalistët serbë përmes propagandës së gjoja “shkatërrimit të përmendoreve kulturore serbe në Kosovë”, edhe pse dihej se, pas Hilandarit, objektet fetare serbe në Kosovë ishin më të mbrojturat. Gjithë këtë zhurmë propagandistike dhe diskurs antishqiptar, Rugova e dekonstruktoi qartë në intervistën e tij për revistën gjermane, së cilës ai lidhur me “festën” serbe për 600-vjetorin e Betejës së Kosovës i deklaroi se kjo “është një festë shoviniste serbe”, duke shtuar se “ekzistojnë prova të mjaftueshme historikisht që në betejë morën pjesë gjithashtu hungarezë, kroatë, boshnjakë dhe, natyrisht, shqiptarë”.
Pa dyshim, largpamësia intelektuale dhe politike e Rugovës shpërfaqet edhe nga parashikimi i tij profetik se politika shoviniste serbe, nën Millosheviqin, do të kishte një fund tragjik edhe për vetë serbët dhe Serbinë. Ishte një paralajmërim të cilin elita politike dhe intelektuale serbe, e dehur nga nacionalizmi dhe shovinizmi agresiv, nuk po e merrte në konsideratë. “Në qoftë se Serbia përpiqet ta shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël. Në të kaluarën, saherë që një popull i vogël është përpjekur ta luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e vet.”, deklaronte Rugova në intervistën e tij për “Der Spiegel”. Ky qëndrim e vendosi Rugovën në një pozicion të fortë politik, duke e identifikuar si një udhëheqës që mund t’i parashikonte rreziqet e ardhshme dhe që e kundërshtonte hapur çdo formë të dhunshme të nacionalizmit serb.
Këto tri momente, si të thuash, shërbyen si një lloj ngjizje për ardhjen e Ibrahim Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetor të vitit 1989, ngjarje kjo që shënonte edhe kolapsin përfundimtar të Lidhjes Komuniste në Kosovë. Edhe pse nuk shquhej tipike politike, orientimi dhe prirja antikomuniste dhe perëndimore e Rugovës u bënë përcaktuese për rrugëtimin dhe rezistencën jo të dhunshme gjatë viteve të 90-ta. Ishte koha kur shqiptarët kishin pritje të mëdha se me rënien Murit të Berlinit jo vetëm se po mbyllej çështja gjermane, por po hapej edhe perspektiva për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Bashkë me kolapsin e sistemit socialit jugosllav, kishin nisur përpjekjet për krijimin e shteteve të reja, si një refuzim ndaj synimeve serbe për krijimin e një Jugosllavie centraliste dhe të dominuar nga Serbia.
De facto, Kosova, edhe pse pa institucione legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, po drejtohej nga partitë politike dhe lideri i ri shqiptar, shkrimtari që shquhej për maturi politike dhe për komunikim të butë me publikun. Ndoshta, kjo qasje e tillë e Rugovës u bë vendimtare që lufta në Jugosllavi, e shumëpritur në Kosovë, u lokalizua në veri të shtetit jugosllav, në Slloveni dhe, më pas, në Kroaci dhe Bosnjë.
Ndërkohë, Gjermania, e cila ndër të parat e kishte identifikuar herët problematikën e Kosovës, po mbante një qëndrim të rezervuar në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës. Kjo ishte veçanërisht e dukshme duke pasur parasysh qëndrimin e Komisionit të Badinterit, i cili e njohu të drejtën e vetëvendosjes vetëm për republikat ish-jugosllave. Në këtë periudhë, Boni zyrtar ende nuk e përjashtonte asnjë opsion për Kosovën, madje fillimisht nuk e kundërshtonte idenë e një bashkimi paqësor të Kosovës me Shqipërinë. Një opsion i tillë ishte proklamuar edhe nga takimi i Rugovës në Këshillin Koordinues të 11 partive politike shqiptare në Jugosllavi, si dhe në takimin me diplomatë perëndimorë. Lidhur me këto opsione më shumë detaje na sjell dokumenti nga Arkivi Politik i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Berlin, që mban datën 17 dhjetor 1991, kur Kosovën e vizitojnë tre diplomatë nga Gjermania, Norvegjia dhe Britania e Madhe. Pas kthimit në Beograd, diplomati gjerman e përpiloi një raport për ministrinë e tij për përshtypjet që pati nga takimet me Rugovën, Surroin, Pulën e të tjerë. Sipas raportit, Rugova u kishte thënë diplomatëve: “Nëse Jugosllavia vazhdon të ekzistojë, Kosova duhet të ketë një republikë të barabartë. Nëse kufijtë e brendshëm jugosllavë duhet të ndryshojnë sipas parimeve etnike, atëherë dëshiron një bashkim me pjesët e populluara me shqiptarë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Nëse Jugosllavia do të shpërbëhej plotësisht, Rugova kërkonte “një shtet të pavarur gjithëshqiptar”. Sipas raportit të diplomatit gjerman, Rugova ishte për ndarjen e veriut të Kosovës me Serbinë, në rast se Kosova do të bashkohej me Shqipërinë. Sipas raportit, në çështjen e mundshme të ndarjes Rugova ishte treguar fleksibël, por kishte thënë se vetëm një komunë, ajo e Leposaviqit, është me shumicë serbe.
Vizita në SHBA, momenti kulmor i identifikimit si lider i Kosovës
Reputacioni i Rugovës i kaloi shpejt caqet kosovare, ngase ishte hera e parë që shqiptarët e Kosovës po përfaqësoheshin nga udhëheqës legjitim dhe që propagandonte zgjidhje politike që kishte vullnetin qytetar për bazë dhe e kishte unifikuar shoqërinë shqiptare të Kosovës për herë parë në historinë e saj. Kjo ishte e mirëseardhur për filozofinë politike perëndimore, veçanërisht kur në horizont po shfaqej lufta ndëretnike në pjesë të tjera të Jugosllavisë. Shfaqja në skenën politike e elitës intelektuale shqiptare ishte arsyeja përse Lidhja Komuniste e Kosovës u shkërmoq si një kështjellë kartoni, e cila i kishte lënë në baltë qytetarët e vendit. Edhe Perëndimi filloi t’i drejtonte sytë kah Kosova dhe këtë shans provonte ta shfrytëzonte klasa e re politike dhe intelektuale në Kosovë. Momenti vendimtar për ngritjes e Rugovës erdhi pas ftesës amerikane për ta vizituar Uashingtonin, kryeqendrën më të paanshme ndaj zhvillimeve në Jugosllavinë e atëhershme. Atje Rugova do të kërkonte dy gjëra që tashmë SHBA-ja i kishte kthyer në ikonë të shoqërisë perëndimore: barazinë dhe demokracinë. Pra, ai kërkoi që Kosova dhe shqiptarët të jenë pjesë e një shoqërie të lirë, e cila gjithashtu do të ishte demokratike dhe properëndimore. Kjo vizitë në Uashington e krijoi mundësinë e parë që Kosova të vendoste komunikim të drejtpërdrejt me administratën amerikane në nivelin më të lartë dhe ofronte mundësi të mira për sensibilizimin e administratës amerikane me problemin e statusit të Kosovës. Ishte e qartë se mbështetja amerikane për alternativën politike kosovare konsistonte edhe në influencën përmes saj edhe në ndryshimet politike në Shqipërinë komuniste, e cila edhe më tej po rezistonte ndaj hapjes me botën perëndimore dhe vendosjen e pluralizmit politik.
Ndërkohë që situata në Kosovë po vazhdonte të përkeqësohej për shkak të represionit serb dhe pas raporteve të gjata për burgosjet dhe përndjekjet arbitrare ndaj të cilave ishin të ekspozuar shqiptarët e Kosovës, në një raport të diplomatit gjerman, Johannes Haindl, i cili ishte përgjegjës për Ambasadën e Gjermanisë në Beograd, kishte paraqitur një pamje të zymtë pas kthimit nga një udhëtim pune më 24 janar 1991: “Situata është ende shumë e tensionuar. Serbia vazhdon të veprojë pa mëshirë për ta arritur qëllimin e saj politik për ta sjellë Kosovën plotësisht nën kontrollin serb, duke mos iu shmangur shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut (përdorimi i forcës nga policia, arrestimet arbitrare, thirrjet për shumë orë). Raporti në fjalë përfundonte me paralajmërimin se Ibrahim Rugova, si përfaqësuesi kryesor politik i shqiptarëve, kishte pranuar në bisedë “se një politikë e moderimit dhe depërshkallëzimit nuk mund të vazhdojë pafundësisht”.
Filozofia e politikës së Rugovës
Rugova shquhej për një filozofi të fortë politike që bazohej në parimin e “rezistencës paqësore”. Ai ishte një pro-perëndimor i bindur, i cili – duke ndjekur amanetin e elitës intelektuale të periudhës së Rilindjes – synonte që boshtin e politikës kosovare ta orientonte kah Perëndimi, BE-ja dhe SHBA-ja, duke besuar se ky ishte momenti historik për të siguruar mbështetjen e qendrave të vendosjes ndërkombëtare për të drejtat e shqiptarëve dhe për adresimin e statusit të Kosovës. Autoriteti karizmatik i Rugovës bazohej në fuqinë e tij personale intelektuale dhe politike, si dhe te vendosmëria dhe orientimi properëndimor. Ai e kishte këmbëngulësinë dhe besimin e pathyeshëm se pavarësia e Kosovës mund të arrihej edhe me rezistencë të padhunshme. Siç do ta përkufizonte sociologu i njohur gjerman Max Weber, edhe Rugova i takonte racës së politikanëve që ushtrojnë autoritet karizmatik dhe shpesh krijojnë një lidhje emocionale dhe besnikëri të fortë me ndjekësit e tyre. Merita e tij, pa diskutim, qëndron edhe në faktin se ai diti ta mbante larg politikën kosovare nga çdo abuzim i mundshëm fetar, një tendencë kjo e njohur e Beogradit për ta zhvendosur rezistencën shqiptare nga konteksti kombëtar në atë fetar islamik. Rugova, për dallim nga liderët e kohës në hapësirën ish-jugosllave, nuk ishte nacionalist radikal si Tuxhmani në Kroaci, as nuk ishte shovinist autoritar, si Millosheviqi në Jugosllavi, ose me prirje islamiste si Izetbegoviqi. Rugova i takonte profilit të nacionalistit modern me bindje europiane dhe demokratike. Karizma e tij dhe këto bindje ishin arsyeja pse ai gëzonte simpati ndërkombëtare. “Rugova ishte një nacionalist kosovar, por nuk ishte pjesë e ndonjë sekti me interesa islamike e europiane, siç ishte Izetbegoviqi në Bosnjë.”, shkruan ambasadori amerikan Christopher Hill.
Dejtoni dhe humbja më e madhe politike për Rugovën
Dejtoni ishte humbja më e madhe politike për Ibrahim Rugovën, pasi ai pati besim të fortë në mundësinë e një zgjidhjeje paqësore dhe kishte përkushtimin për ta realizuar pavarësinë e Kosovës përmes rrugëve diplomatike. Marrëveshja e Dejtonit, e vitit 1995, e cila i dha fund Luftës në Bosnjë, nuk arriti ta adresonte çështjen e Kosovës dhe Rugova e pa këtë si një mundësi të humbur për ta nxjerrë Kosovën nga cikli i dhunës dhe të sigurojë njohjen ndërkombëtare për të.
“Rugova kish qenë lider de facto i shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe sigurisht, nën këndvështrimin tim, meritonte të trajtohej me respekt. Por, ai po etiketohej në Uashington si i paefektshëm dhe, më së shumti, si një person që s’kishte lidhje me armët.”, shkruan ambasadori Hill në librin e tij “Pararojë: Jeta në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”. Ndoshta rastësi ose koincidencë, pak muaj më vonë, Richard Holbrroke, në qytezën e vogël kosovare të Junikut, zhvilloi një takim me pjesëtarët e UÇK-së. Fotoja me ushtarin e UÇK-në i pushtoi mediat ndërkombëtare. Amerikanët u justifikuan se ndërmjetësit duhet të flasin me të gjitha palët në konflikt.
Në anën tjetër, europianët, ndoshta edhe nga përgjegjësia për mosmbështetjen e duhur të lëvizjes paqësore, po provonin ta kompensonin këtë me një mirënjohje, që në fakt tregonte edhe një mospuqje me pozicionin amerikan, në dhjetor të vitit 1998, atëherë kur BE-ja po ashtu kishte caktuar një negociator për Kosovën, një diplomat inteligjent dhe të mirënjohur, ambasadorin austriak në Beograd, Wolfgang Petritsch, Parlamenti Europian e nderoi Rugovën me çmimin “Saharov”, një vlerësim që jepet për një personalitet të spikatiur dhe që është i shquar në luftën kundër mostolerancës, fanatizmit dhe shtypjes. Qysh nga themelimi i këtij çmimi, nga 1998 e deri në atë moment, çmimin “Saharov” dy herë u ishte ndarë personaliteteve nga Kosova. Në vitin 1991 Parlamenti Europian e ndërron gjeografinë, e kthen timonin dhe e drejton busullën drejt Kosovës, duke e vlerësuar me këtë çmim Adem Demaçin, i njohur si Mendela i Europës. Në kohën kur po nderohej Rugova, Demaçi e kishte rolin e përfaqësuesit politik të UÇK-së.
Ata ndërtonin një diskurs që dallonte pak nga ai i amerikanëve, ndërkohë ndoshta pak edhe për çështje rivaliteti me diskursin amerikan, më 16 dhjetor 1998, në pesëdhjetëvjetorin e Deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në sallën e Parlamentit Europian në Strasburg, Presidenti Ibrahim Rugova u nderua me çmimin “Saharov”.
Ndërkohë që lufta vazhdonte, askush nuk në Kosovë nuk ishte i interesuar për autonomi. Si UÇK-ja, ashtu edhe Rugova, bashkoheshin në një pikë – në kërkesën për pavarësi të plotë. Dhe, sa më shumë që merrte hov lufta, shqiptarët e ndjenin se ishin më pranë këtij qëllimi. Por, në Konferencën e Rambujesë, siç pohon edhe Hill-i, Jamie Rubin-i e mbronte teorinë se lideri i vërtetë i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe se Albright-i duhej të fokusohej tek ai. Për amerikanët, një marrëveshje e paqes nuk mund të bëhej pa qenë pjesë e tavolinës së bisedimeve edhe krahu ushtarak, respektivisht përfaqësuesit e UÇK-së, prania e të cilëve si duket e shtyri Millosheviqin që ta bojkotonte pjesëmarrjen e tij personale në Konferencën e Rambujesë. Rugova dhe Thaçi përfaqësojnë një paradoks të mirëfilltë: të përfshirë të dy në synimet për një Kosovë të pavarur, por ndërkaq të largët në metodat dhe veprimet që ndërmarrin në realizimin e kësaj kauze kombëtare. Ndoshta, njëkohësisht kjo paraqet edhe simbiozën më të mirë ndërmjet rezistencës joviolente dhe luftës së armatosur të UÇK-së, e cila u ngjiz edhe me firmën e përbashkët të 18 marsit 1999, e cila e hapi shtegun për intervenimin e NATO-s në Kosovë dhe për nxjerrjen e Kosovës nga administrimi i gjatë dhe i dhunshëm serb. Prandaj, pavarësia e Kosovës është sublimim i kontributit madhor të dy lëvizjeve, lëvizjes pacifiste të Rugovës dhe krahut ushtarak me në krye Thaçin, një bashkëudhëtim i të cilëve do të vazhdonte edhe në negociatat e Vjenës për adresimin e statusit final.
Pa dyshim një nga momentet më të hidhura për Rugovën dhe shqiptarët e Kosovës ishte gjysma e parë e vitit 1999, kur Millosheviqi ndërmori aksionin për “zgjidhjen finale” të çështjes së Kosovës, e cila nënkuptonte zhbërjen etnike dhe vrasjen masive të shqiptarëve, një pohim që e ishte konfirmuar edhe vetë Millosheviqi në prani të ushtarakëve të lartë të NATO-s, Clark dhe Naumann. Ishte muaji prill i vitit 1999 kur NATO-ja sapo kishte filluar bombardimet e saj kundër objektivave ushtarake të Jugosllavisë së mbetur. Derisa nga Kosova po dëboheshin qindra mijëra civilë shqiptarë dhe po vazhdonin masakrimet gjithandej, Rugova detyrohet, nën kërcënimin policor, të takohet me Millosheviqin, duke dashur ta komprometonte si tradhtar në sytë e bashkëkombësve të tij. Por, ky moment nuk ishte firmosje e dënimit të tij me vdekje politike, pasi “Gandi i Kosovës” ishte vetëm një peng i regjimit kriminal të Beogradit. Rugova ishte përcaktuar qartë për pacifizëm dhe zgjidhje politike në këndvështrimin afatgjatë, për të rezistuar, për ta mbrojtur popullin e Kosovës, të cilit, siç e kishte paralajmëruar kaherë, i kërcënohej një shfarosje totale nga Beogradi.
Hera e fundit kur këta dy njerëz ishin takuar në distancë ishte 4 marsi i vitit 2002 në Hagë, kur Rugova me dëshminë e tij mundi ta shijonte hakmarrjen e tij politike ndaj Millosheviqit, i cili po përballej me akuzën për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. Presidenti Rugova, ndër të tjera, në Tribunalin e Hagës e mbrojti luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa gjatë përballjes Millosheviqi i parashtronte disa pyetje provokuese. “UÇK-ja nuk është terroriste. Asnjë shtet, as ‘State Departament’ nuk e ka shpallur organizatë të tillë. Ajo ka qenë një organizatë që është krijuar nga populli, nga njerëzit, kur ka filluar sulmi ushtarak mbi Kosovën nga patriotët dhe kanë luftuar për Kosovën.”, theksoi Rugova, duke e përgënjeshtruar Millosheviqin dhe Beogradin se ai ishte kundër këtij formacioni politik dhe ushtarak.
Por, vdekja e parakohshme e Rugovës në janar të vitit 2006 ishte si një legjendë. Erdhi më shpejt seç pritej, vetëm dy vite para se të jetohej ëndrra tij për pavarësinë e Kosovë, e cila lidhet me këtë personazh historik dhe karizmatik të historisë moderne të Kosovës, i cili u bë i famshëm në krejt botën për pacifizmin dhe durimin që predikonte: liri, demokraci dhe pavarësi. Kjo rrugë, që Rugova e ndoqi me këmbëngulësi, ishte shndërruar në një realitet, kurse ai nuk ishte më në këtë botë për ta udhëhequr vendin e tij. Por, më në fund dhe pas një rrugë të gjatë njëshekullore, Kosova më 17 shkurt 2008 e arriti pavarësinë.
Përfundim
Ibrahim Rugova i përket një brezi të intelektualëve me orientim properëndimor, i cili rastësisht e mori përsipër të bëhet zëri politik i shqiptarëve të Kosovës që ishin shtypur për gati një shekull nën tiraninë e Serbisë dhe Jugosllavisë. Nga ky moment, kërkesave dhe vizionit për pavarësi të Kosovës i dha një dimension të ri politik dhe diplomatik. Në këtë mënyrë ai u bë zëri i tyre politik, që e transformoi ëndrrën për liri në një vizion dhe besim politik. Nga ky moment, Rugova e transformoi rezistencën e shqiptarëve, duke iu përshtatur me mençuri dhe pragmatizëm kërkesave dhe koniukturave politike dhe gjeopolitike rajonale dhe ndërkombëtare.
Edhe pse nuk mundi ta shohë me sytë e tij fundin e procesit politik, për të cilin ishte angazhuar që nga fundi i viteve 1980-të, ai konsiderohet si figura më popullore dhe si presidenti historik i vendit. Në vigjilje të 19-vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës, është e rëndësishme të reflektojmë mbi trashëgiminë e tij dhe rolin që ai ka luajtur në historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve. Filozofia e tij për rezistencën paqësore, orientimi pro-perëndimor dhe këmbëngulësia e tij për pavarësinë e Kosovës janë një pjesë e rëndësishme e identitetit politik të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Rugova është një shembull i një lideri që e përdori diplomacinë dhe lobimin personal në SHBA dhe në Europë si mjet kryesor në luftën për liri dhe pavarësi, duke mbetur një figure kyçe në historinë moderne të Kosovës. Përse Kosova ishte dhe mbetet në themel një shoqëri laike, pa dyshim është meritë e orientimit strategjik dhe të drejtë të elitës politike dhe intelektuale të Kosovës, e cila identifikohet me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, Adem Demaçin dhe shumë personalitete të fundshekullit 20-të dhe fillimit të shekullit 21. /revistashenja