Çështjen e përkatësisë fetare e mori me vete, si sekret që jep mundësi për spekulime të shumta. Si dobësi e tij mund të merret mosguximi për të dalë hapur që ta deklarojë edhe konvertimin e tij të mundshëm. Guximi është tipar i intelektualit të mirëfilltë. Fetarinë e parë e ka pasur kompleks, që në psikanalizë nënkupton grup të ideve emocionale të shtypura ose pjesërisht të shtypura, që shkaktojnë lëkundje personale.
Ali PAJAZITI, Shkup
Ibrahim Rugova (1944-2006), shkencëtar, kritik letrar, babai themelues i nacionalizmit modern kosovar, lider karizmatik, personalitet “i jashtëzakonshëm”, emër që lakohet bashkë me figurat pacifiste më në zë në përmasa botërore. Ai, nga analistë të jashtëm, është cilësuar si une homme libre (një njeri i lirë), që si vizion ka pasur lirinë, çlirimin e një shoqërie nga diktatura, nga okupimi, nga terrori. Atij iu vendos një nofkë domethënëse romantike – “Gandi shqiptar”. Ai ka udhëtuar në të katër anët e botës, duke e paraqitur dhe elaboruar idenë e tij, e cila në fillim dukej utopike dhe donkishoteske, për “Kosovën jashtë Serbisë”, për Kosovën e pavarur. Siç shprehet vetë ai: “Aspirata jonë finale është shtetësia e Kosovës.” (Henry-Levy, 1999: 57) Enciklopedia “Britannica” e quan atë “arkitekt të pavarësisë së Kosovës”. Në dy fjalorët tanë, njëri autorial, Fjalor i sociologjisë (2009), dhe tjetri bashkautorial (me M.E. Dağ), Fjalor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i diplomacisë (2019), në dy zëra e kemi përfshirë këtë figurë të veçantë të shqiptarisë, që po i japim në vijim:
Mosbindja qytetare (désobéissance civile, civil disobedience). Kundërshtim i veprimeve dhe politikës së qeverisë përmes mospjesëmarrjes aktive në politikë, mosdhënies së taksave, bojkotit e të veprimeve të tjera të ngjashme. Më tepër është shkelje simbolike ose ritualistike e ligjit sesa refuzim i sistemit si tërësi. Ndryshe quhet edhe rezistencë pasive: refuzim për t’i respektuar kërkesat ose urdhëresat e një qeverie ose force okupuese, pa përdorur dhunë ose mjetet aktive të kundërshtimit; qëllimi i zakonshëm i mosbindjes qytetare është arritja e lëshimeve nga pala sunduese. Taktikë ose filozofi e lëvizjeve nacionaliste në Afrikë dhe Indi, në Kosovë (rugovizmi), në lëvizjen amerikane për të drejtat e njeriut, për të drejtat e punës, në lëvizjet anti-luftë.
Gandizmi (Gandhism) – Filozofi dhe koncept politik i Mohandas Karmehand Gandhi-t (1869-1948), thelbi i së cilës është kundërshtimi i oponentit pa përdorur dhunë, pa i shkaktuar atij dhembjen fizike, dëmtimi i kundërshtarit duke i shkaktuar dhembje të pandalshme shpirtërore. Metodë qëndrese që ka paralizuar pushtetin kolonial anglez, që ua bëri të pamundshme jetën kolonialistëve anglezë në hapësirat indiane. Lëvizje që në sipërfaqe duket e qetë dhe e butë, por në brendinë e saj është jashtëzakonisht e fuqishme, sepse mbështetet në parime të larta morale dhe në vendosmëri të madhe shpirtërore. Mosbindje qytetare si qëndresë paqësore vepruese. Motoja e kësaj teknike politike, e shpalosur nga mendimi filozofik-fetar dhe nacional-politik i prijësit të luftës së indianëve kundër kolonializmit britanik, është kjo: „Jo rrugët që do t’i shkaktojnë vuajtje armikut, por rrugët të cilat do t’i shkaktojnë vuajtje vetvetes. Kundërshtari të largohet nga mëkatet e tij me durim dhe mirëkuptim“. Gandizmi lidhet me maturinë në aksione kundër çdo lloj dhune, kundërvënien pasive, metodë kjo që sipas shumë analistëve ka qenë specifikë e kulturës rezistuese të një pjese të mirë të shqiptarëve të Kosovës – promovuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova – gjatë periudhës së regjimit gjakatar të Millosheviqit. (Berisha, 2001: 48-51; Qosja, 1997: 347)
Shalli i lirisë: Ibrahim Rugova, përherë në kufijtë e arrestimit nga establishmenti serbomadh, i ndjekur dhe i përgjuar, mobilizues i grigjës për rezistencë joviolente, ka fituar një sërë çmimesh të njohura ndërkombëtare: Çmimi për Paqe dhe Liri për vitin 1995, dhënë nga Fondacioni Danez PL-Fonden, atë për lirinë e mendimit, i quajtur sipas disidentit të guximshëm rus, Andrej Saharov, ndërkohë që ishte propozuar nga shumë anë për Çmimin Nobel për Paqe (Jutarnji List, 2006). Sipas Çapriqit (2006), “ai krijoi një imazh paqeje në Ballkan gjatë periudhës së luftërave të egra, veçanërisht në Kosovë. Ishte një politikan atipik për këto hapësira. Ai u angazhua për një zgjidhje paqësore në një kohë kur të gjithë të tjerët po angazhoheshin për zgjidhje ushtarake dhe luftarake”. Rugovizmi mbetet një lëvizje ose ideologji independiste, frymë rreth një intelektuali dhe qarku që dinte të notojë në ujëra tepër turbulente ballkanike, ku nacionalizmat destruktivë kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve në vitet 1990-të.
Ky intelektual dhe politikan ka mbetur vizualisht i njohur për shkak të syzeve me korniza të mëdha, me xham të trashë dhe shallit të mëndafshtë, që e mbante rreth qafës, pa marrë parasysh sezonin e vitit, situatat shoqërore dhe politike, si dhe mjedisit ku ndodhej. Ai nuk e hoqi atë as gjatë drekave ose darkave me diplomatë dhe politikanë të huaj. Sipas një transmetimi, ai pati një aksident të rëndë, nga i cili i mbetën gjurmë të përhershme në qafë, që donte të mos i dukeshin. Sipas versionit të dytë, të cilin gazetarit Zlatar ia ka treguar në Zagreb, e mbante për kujtim të babait të vet, Ukës, dhe gjyshit Rustem, të cilët u ekzekutuan pa gjyq në vitin 1945 nga komunistët. Legjenda urbane mëson se ishte betuar se do ta mbante atë derisa të fitohej pavarësia dhe liria e plotë e Kosovës.
Ky shall i përngjan keffiye-s ose ghutra-s së Arafatit, një shall tradicional, që është bërë një simbol ikonik i identitetit palestinez, rezistencës, solidaritetit dhe luftës për shtetësi të Palestinës. Ka simbolikë të ngjashme edhe me veshjen ikonike e Gandhit dhoti, një rrobë tradicionale burrërore indiane prej pambuku. Gandhi e adoptoi këtë veshje minimale dhe modeste si një simbol të pavarësisë, thjeshtësisë dhe rezistencës ndaj sundimit kolonal britanik. Gandhi gjithashtu inkurajonte edhe përdorimin e khadi-t, një pëlhurë e endur me dorë, si një mënyrë për të promovuar industrinë lokale dhe për të ulur varësinë nga produktet britanike. Zgjedhja e tij e veshjes ishte një deklaratë kundër kolonializmit britanik dhe një afirmim i identitetit kulturor indian. Paralele mund të tërhiqet edhe me “Madiba”-n të Nelson Mandelës, një këmishë me ngjyra të ndritshme, me mëngë të shkurtra dhe e lëshuar lirshëm, e bërë nga stofi lara-lara, që u bë sinonim i stilit mandelian, një simbol i ngrohtësisë, modestisë dhe lidhjes së tij me trashëgiminë e tij afrikane.
Njerëzit përdorin simbole jo vetëm për të shprehur ide, emocione, për ta kuptuar botën përreth tyre, por gjithashtu për t’u identifikuar dhe për të bashkëpunuar në shoqëri. Shalli do të mbetet ikonë që identifikohet me identependizmin kosovar.
Ambiguiteti fetar: Ibrahim Rugova njihet me qasjen e tij sekulare në politikë dhe përpjekjet për të promovuar paqen, demokracinë dhe pajtimin etnik, duke u fokusuar më shumë në identitetin kulturor dhe kombëtar sesa në përkatësinë fetare, madje duke e përjashtuar këtë të fundit. Por, kjo qasje e tij nuk ka vlerë absolute – simpatitë e tij kanë anuar kah krishterimi, gjegjësisht katolicizmi. Gazeta “Lajm” ka publikuar informacionin e paverifikuar se presidenti Ibrahim Rugova ka kaluar nga islami në katolicizëm. Sipas të njëjtit organ medial, konvertimi ose ndryshimi i fesë ka ndodhur më 24 prill 1974 në Vatikan. Pagëzimin, sipas këtij njoftimi, e ka bërë vetë Papa Gjon Pali II; Rugova ka marrë emrin Pjetër, që shenjon apostullin Pjetër si gurë (gr. petros) mbi të cilin Krishti e ndërtoi Kishën, “kështu edhe Pjetër kosovari do të duhej të bëhej guri mbi të cilin do të krijohej një shtet tjetër i ri i pavarur në Europë”.
Rugova nuk ishte i vetmi në Kosovë që është konvertuar. Disa intelektualë shqiptarë, që ndoqën shembullin e tij, e bënë të njëjtën gjë, e fshehën fendërrimin nga bashkëkombësit e tyre, duke pasqyruar një frikë nga presioni social. Koncepti rugovoian për fenë e paraardhësve është në akord me frymën kadareane që promovonte idenë e “tetivës akiliane” të shqiptarëve, islamit, që pengonte europeanizimin shqiptar dhe që duhej të zëvendësohej nga një fe më civiluzese, oksidentale (?), krishterimi katolik. Këtë kthim në identitetin e dikurshëm Rugova e shihte nga dioptria e qëllimeve politike – pavarësia e Kosovës. Ai priste mbështetje nga Selia e Shenjtë në arritjen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Nëpërmjet miqësisë me Papën, Rugova u takua më burrështetasit më të mëdhenj të kohës. (New55, 2020)
Çështjen e përkatësisë fetare e mori me vete, si sekret që jep mundësi për spekulime të shumta. Si dobësi e tij mund të merret mosguximi për të dalë hapur që ta deklarojë edhe konvertimin e tij të mundshëm. Guximi është tipar i intelektualit të mirëfilltë. Fetarinë e parë e ka pasur kompleks, që në psikanalizë nënkupton grup të ideve emocionale të shtypura ose pjesërisht të shtypura, që shkaktojnë lëkundje personale. Qarku fetar mysliman s’ka të drejtë të hidhërohet me “konvertimin” e tij, ngase Zoti njeriut ia ka dhënë të drejtën të besojë ose jo, të zgjedhë islamin a ndonjë fe tjetër. Kjo është një e drejtë e pakontestueshme; sikur të kishte dashur Ai, të gjithë do t’i bënte pjesëtarë të një feje dhe nuk do kishte lëvizje prej njërës në tjetrën fe. Sidoqoftë, kompleksi religjioz rugovian ka reflektime të shumta në kokat e shumë shqiptarëve dhe njerëzve sot e këtë ditë gjithandej.
Epilog: Figura emblematike e Rugovës, e butë si mëndafshi, por edhe e fortë sa shkëmbi, pa marrë parasysh divergjencat dhe perceptimet, diskutimet në qarqet nacionaliste, por edhe në ato konservatore fetare, zë vend me peshë në historinë e Kosovës, të pavarësisë, të shtetndërtimit kosovar dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Veprat e tij për kuptimin, “refuzimin estetik”, pavarësinë, në veçanti ato nga teoria letrare dhe të kritikës letrare, janë të shumëçmuara në qarqet akademike. Ka hapësirë të gjerë për analiza shkencore thellësinore shumëdimensionale, për trajtime të stratumeve të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së tij, në mënyrë objektive, pa paragjykime dhe skema të gatshme. Identiteti i tij është polivalent, vizionarizmi i tij është i përmasave të sfidimit të një shteti si Jugosllavia e dikurshme edhe më pas. Ai tregoi se është me rëndësi të kesh ëndrra, të cilat mund të realizohen po u ngulmua në idealet me të cilat frymon qenia.
/revistashenja