Rugova, miti dhe ideologjia

Murat Aliu

Parë diskursin e përgjithshëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut rreth figurës së Ibrahim Rugovës, duket që figura e tij përfytyrohet si pika fillestare e çështjes së Kosovës. Rugova dhe “epoka e tij” përbën “arkhe-n”, pra “fillimin”, “shkakun parësorë”, “materien themelore” të asaj që mund të quhet “çështja e Kosovës “ e që u kurorëzua me pavarësinë e saj në vitin 2008.

Shkruan: Murat ALIU, Prilep

Мiti, ideologjia dhe moderniteti?

Miti, para së gjithash, tregon një histori të shenjtë. Miti është një rrëfim për ngjarje të ndodhura në periudhat më arkaike, në kohën specifike të tregimeve “origjinale”. Historiani dhe antropologu Mircea Eliade argumenton se miti, falë arritjeve të “Qenieve të Mbinatyrshme” shpreh se si një realitet vjen në jetë. Në këtë kuptim, miti është gjithmonë historia e “krijimit”: si u krijua, si filloi të ekzistonte një diçka. Miti, i cili përbën bazën kulturore të jetës shoqërore në shoqëritë primitive dhe arkaike, shërben si model për veprimet njerëzore dhe, për rrjedhojë, shërben si justifikim për këto veprime. Një mit, argumenton Eliade, “është një histori e saktë e asaj që ndodhi në ‘Fillimin e Kohës’ dhe ofron një model për sjelljet njerëzore”. Për këto shoqëri, miti perceptohet si shpjegimi i vetëm i vlefshëm i realitetit. Prandaj, siç shprehet Branislaw Malinowski, miti është më shumë se thjesht një histori e treguar në shoqëritë primitive. Është një realitet i jetuar. Sepse, mendohet se ngjarjet që mishërohen tek miti kanë ndodhur në një të kaluar shumë të largët dhe vazhdojnë të kenë ndikim në fatet e njerëzimit.

Nëse funksioni i historisë është të zbulojë dhe ndriçojë sjelljen e komuniteteve në të kaluarën në mënyrë sa më të saktë dhe objektive të jetë e mundur, funksioni i mitit nuk është dija, por veprimi, vazhdimi i drejtpërdrejtë i ekzistencës së komunitetit. Nga ky këndvështrim, pyetja që duhet shtruar nuk është nëse miti është i vërtetë apo jo, por “cili është ndikimi i tij?” Sipas Karen Armstrong-ut, miti është i vërtetë jo sepse jep informacion apo dije për të kaluarën, por sepse prodhon efekte në të tashmen. Së këndejmi, Malinowski argumenton se miti nuk është kurrë një shpjegim që synon ta kënaqë interesin shkencor ose ta shpërfaqë të vërtetën objektive për të kaluarën, por një ritregim i një realiteti të lashtë, të bazuar në nevojat dhe dëshirat shoqërore. Miti ndihmon nevojat praktike, duke plotësuar thellësisht nevojat fetare dhe aspiratat morale.

Individi modern shpeshherë bije në lajthitje kur mendon që funksioni i miteve ka përfunduar me shoqëritë arkaike. Eliade argumenton se mitet, në një mënyrë ose në një tjetër, përmbushin funksione domethënëse edhe në periudhat moderne e për njerëzit modernë dhe e ruajnë vazhdimësinë e tyre. Në epokën moderne, miti e ka ndryshuar vetëm formën e tij dhe i ka maskuar veprimet e tij në një maskë tjetër. Megjithatë, kjo është e vështirë të vërehet lehtë, sepse i është nënshtruar një procesi të gjatë shekullarizimi. Në këtë kuptim, inovacioni i botës moderne bazohet në rivlerësimin e vlerave të shenjta primitive, duke i shekullarizuar këto vlera. Kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis botës moderne dhe mitit, Eliade shtron pyetjen se çfarë e zëvendëson mitin në botën moderne. Dija, edukimi dhe kultura didaktike – të gjitha këto e kanë të njëjtin funksion në shoqëritë moderne, siç e ka pasur miti në shoqëritë primitive. Sot, kur shikojmë edukimin formal të shoqërive moderne, nuk do hamendësim se ai është një vazhdimësi e logjikës mitologjike, por e shekullarizuar. Privimi i vazhdueshëm i shenjtërisë nga njeriu modern, e ka prishur jetën e tij shpirtërore, por nuk i ka thyer matricat e imagjinatës së tij.

Ndërsa miti lidhet me modernitetin, ai shoqërohet gjithashtu me pushtetin dhe ideologjinë. Funksioni i mitit, në periudhën moderne, është ta legjitimojë pushtetin politik dhe ideologjitë dominuese. Për më tepër, shumë studiues argumentojnë se funksioni i ideologjisë në periudhën moderne është i ngjashëm me funksionin e miteve në shoqëritë e hershme. Prandaj, në vend të një “marrëdhënieje” midis diskurseve që rrjedhin nga mitet dhe ideologjia, ekziston një marrëdhënie që duhet kuptuar se njëri zëvendëson tjetrin dhe e plotëson të njëjtin boshllëk në terren. Mitet kanë funksione të mbulimit të interesave të klasës sunduese në periudhën moderne.

Raporti i shqiptarëve me mitin (politik)

Është e vërtetë se në epokën moderne mitet shoqërore dhe fetare e kanë humbur vlefshmërinë dhe ndikimin e tyre, por kjo nuk ka ndodhur me ato që quhen mite politike. Mitet politike, në epokën e nacionalizmit si asnjëherë më parë, e ruajnë aftësinë e tyre për t’i vënë në lëvizje masat e gjëra, nga njëra anë, por nga ana tjetër ata shpeshherë shndërrohen në instrument për t’i manipuluar, disiplinuar dhe kontrolluar fizikisht e mendërisht për qëllime të caktuara politike.

Mitet, në përgjithësi, e në veçanti mitet politike, shfaqen në rrethana të turbullta dhe atëherë kur një shoqëri përballet me situata të vështira, zgjidhja e të cilave mendohet se i tejkalon mundësitë natyrore të njeriut. Mitet politike krijohen në situata të pashpresa, veçanërisht gjatë transformimeve rrënjësore, si dhe gjatë krizave të thella sociale dhe kolektive. Shoqëritë ndejnë nevojë për mite (politike) në një situatë të traumave kolektive. Filozofi gjerman Ernst Cassirer argumenton se ishte psikoza kolektive e gjermanëve pas Luftë së Parë Botërore ajo që bëri të mundur krijimin e miteve politike, përmes të cilave u përligj dhe legjitimua nazizmit gjerman. Sipas tij, militarizimi i Gjermanisë pas vitit 1933 ishte refleksion i një militarizimi mendor që kishte filluar më herët. Miti kryesor politik në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë në Gjermani ishte miti mbi origjinën, i cili e përligji besimin e superioritetit të racës ariane mbi racat e tjera.

Për t’iu shmangur qasjes reduksioniste, duhet thënë që aktit ose fenomenit të prodhimit të miteve nuk i ka shpëtuar asnjë shoqëri në historinë njerëzore. Të gjithë popujt, përgjatë historisë së tyre, kanë përfytyruar mite për arsyet e lartpërmendura. Por, ky raport i krijimit të miteve, i cili dikur mund të ketë qenë simetrik, ndryshon në epokën e modernitetit në kuptimin që mendohet se popujt të cilët kanë arritur një nivel të caktuar racionaliteti dhe progresi kanë arritur të krijojnë një distancë më të madhe kundrejt miteve dhe mitologjisë sesa popujt të cilët nuk kanë kaluar përmes proceseve shoqërore, ekonomike dhe politike përmes të cilave kaloi, le të themi, bota perëndimore. Thënë ndryshe, shoqëritë të cilat e kanë zhvilluar mendimin kritik deri në një shkallë të caktuar janë më pak të prira të krijojnë dhe, rrjedhimisht, t’u besojnë miteve politike.

Ndonëse vështirë e provueshme shkencërisht dhe empirikisht, është vështirë të argumentohet që shqiptarët mund të llogariten si shoqëri europiane në kuptimin e përvojimit ose përjetimit të transformimeve shoqërore dhe kulturore, përmes të cilave kaloi Europa dhe Perëndimi. Kam përshtypjen se shqiptarët e arritën epokën e postmodernitetit, pra epokën e sotshme, pa e kaluar procesin e industrializimit, shekullarizimit e urbanizimit, procese këto që përbëjnë thelbin e habitusit të shoqërive europiane. Duke qenë kështu, pra të vonuar në këto procese, shoqëria shqiptare është e predispozuar në krijimin dhe besimin e miteve, konspiracioneve dhe gjithë asaj që mund të quhet “irracionale”.

Mitet politike në shoqërinë shqiptare fillojnë me Rilindjen Kombëtare, atëherë kur shqiptarët ishin gjendur përballë një frike dhe pasigurie ekzistenciale. Kjo frikë dhe pasiguri ekzistenciale sigurisht kishte të bënte më fatin e tyre në të ardhmen, pasi që rilindësit shqiptarë e kishin kuptuar se Perandorisë nuk i kishte ngelur edhe shumë jetë e, nga ana tjetër, rreziku i copëzimit të tokave shqiptare nga popujt fqinjë ishte shumë i madh. Pra, mitet politike të krijuar nga rilindësit kishin të bënin me identitetin kombëtar shqiptar dhe me formimin e kombit dhe shtetit. Kështu u krijua miti i lashtësisë ose prejardhjes pellazgjike, ku shqiptarët përfytyroheshin si njëri ndër kombet më të vjetra të Europës dhe gjuha shqipe si njëra ndër gjuhët më të lashta. Gjithashtu, në këtë periudhë u krijua miti për Skënderbeun, ku ai u imagjinua dhe imponua si kryehero i shqiptarëve. Madje, jo vetëm si kryehero i shqiptarëve, por edhe si një hero i gjithë Europës. Ishte Skënderbeu ai që e mbrojti Europën nga një pushtim tjetër aziatik, shkruante Naimi.

Përgjatë komunizmit, mitet politike, të cilët ishin në shërbim të ideologjisë zyrtare, përjetuan epokën e tyre të artë. Studiuesi Enis Sulstarova argumenton se në periudhën e komunizmit mitet kryesore politike ishin ai i Skënderbeut, Rilindjes Kombëtare, Luftës Partizane dhe i figurës së Enver Hoxhës. Miti i luftës partizane e pushtoi gjithë hapësirën publike dhe kulturore të kësaj periudhe. Ky mit shënjoi gjithë letërsinë, historiografinë, kinematografinë, muzikën, këngën popullore, dramaturgjinë, pikturën, hapësirat e kujtesës kolektive etj. Miti i Luftës Çlirimtare shënjoi edhe gjithë koreografinë e ceremonive publike dhe festave shtetërore. Miti i figurës së Enver Hoxhës ishte po aq i fuqishëm sa ai i Luftës Çlirimtare. Ai, duke iu kënduar nëpër këngë popullore dhe duke qenë figura qendrore e publikes dhe privates, imagjinohej si një “mbinjeri”. Në nder të tij u ngritën përmendore të shumta dhe u ndërtua Muzeu i Enver Hoxhës. Një mit tjetër i kësaj periudhe ishte sigurisht miti i socializmit. Socializmi ose marksizëm-leninizmi u propagandua si ideologjia më progresiste dhe humaniste, si e vetmja ideologji që do ta shpëtojë individin dhe shoqërinë nga prangat e kapitalizmit dhe perëndimit të degjeneruar. Socializmi, me postulatet dhe mortalitetin e tij, do ta ndërtonte individin dhe shoqërinë e re shqiptare, një shoqëri ku të gjithë do të ishin të barabartë dhe pa klasa.

Mitet politike të krijuara në periudhën e Rilindjes dhe komunizmit, me motive nacionaliste, vijuan të jetojnë edhe në epokën postkomuniste. Por, për dallim nga periudha e komunizmit, në periudhën pas të ‘90-tave, si rrjedhim i fitimit të lirisë politike, u krijua mundësia e prodhimit të miteve të shumta, të cilat jo doemos lidheshin me narracionin kombëtar dhe figura të caktuara të historisë sonë. Pas viteve të ‘90-ta, ndër shqiptarët u paraqit një fetishizim ndaj sendeve si pasojë e shoqërisë së konsumit dhe logjikës së kapitalizmit, nocioneve siç është liria dhe miti i BE-së, ndonëse ky i fundit assesi të bëhet realitet për shqiptarët. Ideja këtu nuk është të themi që kapitalizmi, liria dhe BE-ja janë të paarritshme për shqiptarët, porse duke i fetishizuar dhe mitizuar, shqiptarët e humbën mundësinë për t’i kuptuar, përjetuar dhe përfituar në mënyrën e tyre të vërtetë.

Lindja e një shoqërie e cila është e prirë të mitizojë dhe glorifikojë gjithçka, mbase mund të jetë normale pas gjithë atyre traumave historike, të cilat i përjetuan shqiptarët, pas një mbylljeje mendore gjysmëshekullore dhe pas një regjimi politik, botëkuptimet morale dhe estetike të të cilit nuk përbënin asgjë, përveçse një shpërfytyrim të qenies njerëzore. Regjimi komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi, përveçse ishte i dhunshëm në kuptimin e kufizimit të lirisë, përbënte edhe një degradim moral, kulturor dhe estetik.

Mitizimi dhe ideologjizimi i figurës së Rugovës

Duke e parë diskursin e përgjithshëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut rreth figurës së Ibrahim Rugovës, duket që figura e tij përfytyrohet si pika fillestare e çështjes së Kosovës. Rugova dhe “epoka e tij” përbën “arkhe-n”, pra “fillimin”, “shkakun parësor”, “materien themelore” të asaj që mund të quhet “çështja e Kosovës” e që u kurorëzua me pavarësinë e saj në vitin 2008.

Figurat e tilla, si Ibrahim Rugova, të cilët perceptohen si “arkhe”, si fillesë e një diçkaje, veçmas në epokën e nacionalizmit, kur këto figura përfytyrohet si pinjoll të rezistencës kombëtare, është e pamundur t’i shpëtojnë mitizimit/shenjtërimit dhe ideologjizimit të ndërgjegjshëm. Thënë ndryshe, këto lloj figurash në të shumtën e shoqërive shndërrohen në mite dhe epoka e veprimtarisë së tyre në atë që thotë Niçe në histori monumentale. Duke e pasur parasysh këtë marrëdhënie emocionale dhe politike, duket e vështirë një analizë racionale dhe objektive rreth figurës së tij.

Ajo që sot vërehet kur analizohet figura e Rugovës është një tendencë gjithmonë në rritje e mitizimit dhe ideologjizimit të saj. Këtu me mitizim dhe ideologjizim duhet nënkuptuar ekzagjerimin, glorifikimin, shenjtërimin dhe shtrembërimin me ose pa vetëdije të figurës së tij. Padyshim se Rugova paraqet figurën qendrore të çështjes së Kosovës pas viteve të ‘90-ta deri në vdekjen e tij. Dhe, pa dyshim që bëhet fjalë për një figurë historike që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës. Por, duhet pasur parasysh se figurat historike kanë vepruar në një kontekst të caktuar politik dhe në rrethana të caktuara shoqërore, fakte këto që i bëjnë ato kompleksë dhe shpeshherë të pakuptueshëm për ne që jetojmë në rrethana krejtësisht të ndryshme. Figurat historike janë komplekse, madje shpeshherë misterioze dhe detyra jonë është që t’i kuptojmë me gjithë kompleksitetin e tyre. Thënë ndryshe, t’i kuptojmë në plotninë e tyre.

Sot, në historiografinë moderne, figurat historike trajtohen me një gjuhë kritike dhe në një mënyrë të gjithanshme. Në historiografinë moderne figurat historike dhe, përgjithësisht, e kaluara i nënshtrohet një kritike dhe analize objektive, pikërisht me qëllim të demistifikimit dhe demitizimit të tyre. Kjo qasje kritike dhe holistike është pikërisht ajo që i mungon historiografisë shqiptare dhe përgjithësisht mendimit politik e shkencor shqiptar në raport me figurat historike dhe të kaluarën, në përgjithësi. Si të thuash, ne shqiptarët kemi vështirësi të gjejmë një rrugë “të ndërmjetme”, një qasje disi më humane karshi figurave historike. Ato ose mitizohen dhe glorifikohen ose denigrohen dhe shpallen tradhtarë. Në këtë kuptim, një trajtim dhe analizë objektive dhe gjithëpërfshirëse të figurës së Rugovës, përveçqë duket e pamundur për shkak të distancës kohore të afërt, duket e pamundur edhe për shkak të qasjes së njëanshme, emocionale dhe ideologjike.

Siç u tha më lart, mitet në periudha të turbullta dhe kriza kolektive e kanë fuqinë të ofrojnë shpresë. Në kohë të tilla shoqëritë mbështeten tek mitet, pasi që aty gjejnë ngushëllimin dhe mitet u mundësojnë arratisjen nga një realitet i hidhur në një botë ideale. Shoqëritë bashkohen tek miti me idealen dhe aty e gjejnë epokën ose kohën e artë të dikurshme. Parë nga ky pikëvështrim, sot figura e Rugovës, po jo vetëm, mitizohet për dy arsye: së pari shoqëria shqiptare, e në veçanti shqiptarët e Kosovës, u gjendën dhe akoma gjenden përballë një pasigurie për të nesërmen, ndërsa kjo nënkupton pasiguri ekzistenciale përballë plot sfidave që kanë të bëjnë me procesin e shtetndërtimit dhe sfidave që kanë të bëjnë me ekonominë e të ndryshme. Në situata të tilla mitet shërbejnë si një mburojë nga kjo pasiguri, e cila shpeshherë përjetohet si pasiguri ekzistenciale. Arsyeja e dytë ka të bëjë me mitizimin ose politizimin e figurës së tij në mënyrë të ndërgjegjshme. Këtu mitizimi nuk përbën një spontanitet ose nuk është rrjedhim i natyrshëm, por është i ndërgjegjshëm dhe sforcohet nga qarqe të caktuara për konsum e interes politik. Sot, duke e parë diskursin e figurave politike dhe të politikës në përgjithësi kundrejt figurës së Rugovës, shohim se ai shërben si një kapital simbolik nga ku mund ta prodhojnë legjitimitetin e tyre politik dhe nga ku mund të rrjepin kapital politik për vetën e tyre. Politika, duke shpërdoruar ndjenjat dhe raportin emocional të shqiptarëve ndaj Rugovës, e përdor këtë kapital simbolik për qëllime politike.

Nga ana tjetër, duhet thënë se çmitizimi i figurave historike nuk nënkupton zhvlerësim dhe mosnjohje të veprimtarisë dhe vlerave të tyre. Përkundrazi, zbardhja e tyre, me gjithë anët pozitive dhe negative që i kanë pasur, do t’i nderonte ato. Rugovën dhe gjithë shqiptarët shumë më tepër do t’i kishte nderuar një trajtim objektiv i botëkuptimeve dhe idesë së tij politike dhe, rrjedhimisht, një trajtim më human, sesa mitizimi i tij, që në esencë paraqet vetëm shpërdorim të figurës së tij. Sa për ilustrim mund ta marrim shembullin e një pjesë të konsiderueshme të figurave publike shqiptare, të cilët shpesh e përdorin termin “rugovizëm”, duke mos dhënë një pasqyrë të qartë se çfarë në fakt paraqet rugovizmi. Sot shumëkush flet për një ideologji rugoviane, por askush nuk ka arritur një artikulim të qartë dhe shkencor mbi atë se ç’është kjo lëvizje apo ideologji. Së këndejmi, qasja mitike ndaj figurave historike është ikje nga përgjegjësia për t’u përballur me të vërtetën. Në fund të fundit, është ikja nga një detyrim moral, që është përcjellja te brezat e ardhshëm vetëm dhe vetëm e vërteta.

Por, jo vetëm kaq. Çmitizimi dhe çlirimi nga mitet është i rëndësishëm edhe për të tashmen dhe të ardhmen, sepse çlirimi nga mitologjia në vetvete nënkupton lirinë. Ernst Cassirer-i thotë se njeriu mund të çlirohej në atë masë sa gjuha, arti dhe shkenca arritën të mundin mitin dhe fenë primitive. Kur në një shoqëri dobësohet shkenca, morali dhe arti, hapësira u ngelet miteve. Mitet shpërfaqen atëherë kur zgjidhjet e zakonshme dhe racionale të krizave dhe kaosit janë të pamundura. Kësisoj, në epokën tonë mitet politike e luajnë rolin që luan magjia dhe mitologjia në shoqëritë primitive. Sepse, njerëzit gjithmonë mund të përdorin mjete të dëshpëruara për të gjetur rrugëdalje nga situatat e pashpresë. Por, shoqëritë e qytetëruara nuk mund t’i zgjidhin problemet e tyre në mënyrën që i zgjedhin shoqëritë primitive. Njerëzit që jetojnë në shoqëritë e qytetëruara duhet të gjejnë arsye të vlefshme për të besuar në atë që u paraqitet dhe të zhvillojnë teori për t’i justifikuar besimet e tyre. Aktivitetet filozofike, me natyrën e tyre integruese, mund të kontribuojnë në tejkalimin e kaosit në fjalë dhe shndërrimin e tij në një rend (kozmos), duke i shfaqur këto arsye dhe teori të vlefshme dhe duke e mbrojtur shkencën, artin dhe moralin.