Legjitimiteti politik i Rugovës u ndërtua me përkrahje masive të shqiptarëve, i dëshmuar në Kuvendin e parë të LDK-së dhe në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në të vërtetë, u organizuan zgjedhje të brendshme për të siguruar legjitimitetin e institucioneve dhe për të siguruar përfaqësim të gjerë demokratik. Zgjedhjet ishin një tjetër formë e luftës politike kundër regjimit të Serbisë dhe e sigurimit të një strukture shtetërore dhe administrative që do të shërbente për pavarësinë e Kosovës.
Ibrahim BERISHA, Prishtinë
Dr. Ibrahim Rugova ishte lider, intelektual kritik, demokrat, paqësor, antipod i liderëve në ish-njësitë federale të Jugosllavisë që erdhën nga struktura shtetërore dhe ushtarake të regjimit, me orekse nacionaliste. Filozofia politike e dr. Rugovës, gjatë viteve 1990-të, ishte ndjekja e politikës reale, e rezistencës dhe organizimit për pavarësinë e Kosovës. Ishte strategji që u bazua në parimin e kulturës aktive politike, institucionale dhe diplomatike. Në një kohë kur dhuna dhe luftimet kishin përfshirë rajonin, ai zgjodhi dialogun dhe rezistencën paqësore si mjete për t’i arritur qëllimet politike dhe nacionale.
* * *
Rezistenca paqësore: Simbol ishte, u bë frymë e forcës morale nacionale, bëri të mundur mbrojtjen dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke fituar mbështetje të gjerë, përfshirë mbështetje nga SHBA-ja, PE-ja dhe shumë qeveri dhe institucione ndërkombëtare. Filozofia paqësore e Rugovës dhe e LDK krijoi konsensus të brendshëm politik në Kosovë, me refleksione tek të gjithë shqiptarët.
* * *
Paqja publike: Filozofia kryesore e brendshme ishte ndërtimi i paqes së plotë publike ndërmjet shqiptarëve, njëherësh edhe me komunitetet etnike në Kosovë, boshnjakët, turqit, romët, goranët, egjiptasit etj. Këtë parim mirëkuptimi e krijoi dhe funksionalizoi me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partia e shqiptarëve e krijuar në Prishtinë më 23 dhjetor 1989, inicuar nga shkrimtarë dhe gazetarë të gazetës “Rilindja” dhe shtrirë në gjithë Kosovën dhe në diasporë.
Po në vitet 1990, në një periudhë të vështirë për shqiptarët, LDK-ja me liderin e saj, dr. Rugova, dhe liderë dhe partitë tjera, kuptohet ato me organizime modeste, e mbajtën legjitimitetin kushtetues dhe politik, krijuan sistemin plural specifik, institucionet e mëvetësishme politike dhe shtetërore, për t’i menaxhuar funksionet dhe kërkesat e qytetarëve në rrethanat e okupimit serb. Në Kosovë nuk kishte sistem paralel, por sistem legjitim që vepronte në rrethana okupimi.
* * *
Pavarësia: Pra, ai ka krijuar një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës, si një shoqëri e lirë, demokratike dhe plurale, si dhe një shtet të pavarur dhe sovran. Nuk kishte rast, pos çdo të premte në konferencën e rregullt për shtyp, në takime ndërkombëtare dhe në intervista dhe paraqitje para medieve që të mos përsëriste nocionin “pavarësia e Kosovës”.
Simbolizimi: President, Rugova adoptoi qasje shtetërore që mbështetej në simbolizmin dhe krijimin e një identiteti të ri politik për Kosovën si shtet. Puna e tij shtetërore përqendrohej në legjitimitetin e institucioneve të Kosovës, në nevojën për zhvillim të brendshëm dhe përparimin drejt integrimeve ndërkombëtar. Rugova përpiqej ta projektonte imazhin e një shteti paqësor dhe të besueshëm, duke përdorur fjalor që promovonte stabilitetin dhe të ardhmen europiane të Kosovës. Në diskursin shtetëror theksohej rëndësia e respektimit të vlerave universale dhe marrëdhënieve të forta diplomatike.
* * *
Informimi: Qendra për Informim e Kosovës, e themeluar më 23 dhjetor 1989, si Qendra për Informim e LDK-së, përmes komisioneve për informim të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve në Kosovë dhe jashtë, krijoi një rrjet prej 4200 bashkëpunëtorëve (gazetarë, profesorë, studentë, veprimtarë…), të cilët e mbulonin terrenin në gjithë Kosovën dhe jashtë, për gjithë çfarë lidhej me shqiptarët dhe Kosovën. Lajmet, raportet, fjalimet, korrespondencat, dokumentet, publikimet, broshurat, revistat, librat e Qendrës për Informim (nga korriku 1991 – QIK) shpërndaheshin në Europë, Amerikë, Australi…, nga tetori 1991 edhe në formë elektronike. Janë dhjetëra mijëra faqe që dëshmojnë për punën e shqiptarëve në Kosovë dhe botë në fushën e informimit, për pavarësi dhe, po kështu, edhe për përmasën e krimit shtetëror serb kundër shqiptarëve. Të gjitha shkresat në emër të dr. Ibrahim Rugovës, brenda dhe jashtë, po kështu edhe të LDK-së, janë përgatitur në këtë institucion. Janë prodhuar mesatarisht 40 informata e raporte në ditë në gjuhen shqip dhe angleze. Për katër vjet, sa kam qenë shef i Qendrës për Informim të Kosovës, asnjëherë nuk ka ndodhë që dr. Rugova të ndërhyjë në punën e Qendrës.
* * *
Institucionet: Krahas pluralizmit politik funksional, motivuar nga dr. Rugova, LDK-ja ndërkohë i formon qeveritë komunale, të cilat me drejtoratet e tyre marrin përgjegjësi në organizimin e arsimit, shëndetësisë, solidaritetit, financimin etj.. Derisa LDK-ja është bërthama e parë e krijimit të identitetit të ri politik, qeveritë janë bërthamat e para të krijimit të identitetit shtetëror të Kosovës. Po kështu, ndërkohë është një spektër diferent i shoqatave dhe organizatave humanitare dhe qytetare.
Identiteti: Dr. Rugova dhe LDK-ja, krahas punës në mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, për herë të parë e krijojnë dhe promovojnë identitetin e ri politik, atë të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Është e njohur se deri kur u krijua LDK-ja kishte disa platforma politike, po ato o ishin të identifikuara me praktikën e autonomisë në Jugosllavinë komuniste, o ishin lëvizjet nacionale irredentiste shqiptare, me moto për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, bartëse e të cilave ishet e djathta e hershme shqiptare, kryesisht jashtë, po edhe e majta e re brenda dhe jashtë Kosovës.
Lideri: Legjitimiteti politik i Rugovës u ndërtua me përkrahje masive të shqiptarëve, i dëshmuar në Kuvendin e parë të LDK-së dhe në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në të vërtetë, u organizuan zgjedhje të brendshme për të siguruar legjitimitetin e institucioneve dhe për të siguruar përfaqësim të gjerë demokratik. Zgjedhjet ishin një tjetër formë e luftës politike kundër regjimit të Serbisë dhe e sigurimit të një strukture shtetërore dhe administrative që do të shërbente për pavarësinë e Kosovës.
Parlamenti: Parlamenti i Kosovës, i drejtuar nga Dr. Rugova, zhvilloi dhe krijoi një platformë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Ai punoi përmes grupeve parlamentare.
Qeveria: Ç’ështe e vërteta, dr. Rugova kishte dilema nëse qeveria do të duhej dalë në mërgim, pas krijimit (1991). Kjo qeveri ishte një alternativë, edhe politike, për shqiptarët e Kosovës dhe kishte mbështetje nga mërgata shqiptare jashtë vendit, si dhe nga disa shtete të ndryshme që e mbështetën kauzën e Kosovës. Ajo e krijoi Fondin e Financimit 3, i cili financoi një pjesë të veprimtarive dhe institucioneve në Kosovë.
Sistemi arsimor: Një nga veprimet e institucioneve të Kosovës ishte sistemi i plotë arsimor dhe shëndetësor i mëvetësishëm, i cili ofronte mundësi për fëmijët dhe studentët shqiptarë të Kosovës. Rugova që në qershor të vitit 1991 e konceptonte arsimimin modern. Ai thoshte: Një vëmendje e veçantë t’i kushtohet përmirësimit të kushteve të punës, të mësimit, të studimit dhe banimit të nxënësve dhe studentëve. Në këtë kontekst do të veprojë që të arrihet shkallë e plotë e futjes së mjeteve dhe metodave bashkëkohore në procesin e mësimit, veçmas kompjuterizimit, si dhe të mundësohet këmbimi i mjeteve dhe dijes.
Shëndetësia: Vetëm në Ambulancën e Nanës Terezë në Prishtinë, nga viti 1991 deri në vitin 1999 kanë lindur mbi 126.000 foshnja.
Përkrahja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillimi i një lëvizjeje të paqes: Dr. Rugova dhe institucionet e tij promovuan një filozofi se lufta për liri dhe pavarësi të realizohej në mënyrë paqësore, përmes diplomacisë dhe angazhimit ndërkombëtar. Kjo ishte një strategji që solli fryte nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga shtetet perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Në përgjithësi, institucionet që dr. Rugova i krijoi gjatë viteve 1990-të ishin thelbësore për ndihmën dhe ruajtjen e fizike të popullsisë, të mbajtjes së frymës së rezistencës dhe identitetit shqiptar, pavarësisht presionit të madh nga regjimi serb.
* * *
SHBA: Një nga të mirat më të rëndësishme të politikës së dr. Rugovës ishte se ai e çoi Kosovën në një aleancë të fortë dhe të qëndrueshme me SHBA-në. Kjo miqësi u institucionalizua dhe mbështetja e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës ka qenë vendimtare edhe pas vitit 1999 dhe për shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
BE: Në aspektin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian, filozofia paqësore e Dr. Rugovës ka luajtur gjithashtu rol thelbësor. Rugova ka besuar se Kosova mund të bëhet pjesë e Europës vetëm nëse krijon një shoqëri të bazuar në parimet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ai proklamonte bashkëpunim dhe partneritet me të gjitha shtetet demokratike, nisur nga fqinjët që duhet të respektohen plotësisht mes vete.
NATO: Rugova ka kontribuar në përgatitjen e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s. Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, Kosova ka kërkuar të jetë pjesë e strukturave të aleancës perëndimore për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë e saj dhe të rajonit. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka kërkuar të zhvillojë më tej marrëdhëniet me NATO-n (kujtoj takimin me Solanën dhe antentatin ndaj dr. Rugovës në mëngjesin i 15 marsit 2005) dhe të bëhet anëtare e plotë e Aleancës.
* * *
Diskursi: Diskursi po kështu shquhej për tonin e tij paqësor, vizionin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjen për të ndërtuar një konsensus kombëtar. Ai përdorte gjuhë diplomatike dhe bashkuese, duke apeluar për unitet kombëtar dhe duke shmangur retorikën polarizuese. Rugova e theksonte rëndësinë e dialogut dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke i vendosur interesat kombëtare mbi ato partiake. Diskursi i tij politik ishte i rrënjosur në vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, duke i portretizuar shqiptarët si një komb dhe Kosovën si një shtet të denjë për pavarësi.
* * *
Vizioni politik: Deklarata e dr. Ibrahim Rugovës, e cila është bërë në Nju Jork më 1991, tregon vizionin e tij politik. Ai thotë: “Jemi popull i lashtë, por duhet të jemi edhe komb politik”. Me këtë i referohet një koncepti të thellë që ka lidhje me identitetin dhe të drejtën e popullit shqiptar, në rastin e Kosovës, për identitet shtetëror, në Shqipëri për identitet modern të kombit të lirë dhe demokratik dhe të pozitës së kombit shtetëror të shqiptarëve në Maqedoni.
* * *
Populli i lashtë: Rugova nënvizon faktin se shqiptarët e Kosovës kanë një histori dhe trashëgimi të lashtë, që daton që nga periudha ilire, duke e bërë këtë popull me një histori të thellë, të lidhur ngushtë me territorin dhe kulturën e tij. Ky është një nënvizim i pasur i identitetit kulturor dhe etnik të popullit shqiptar, i cili ka mbijetuar dhe ka vazhduar të ekzistojë nëpër periudha të ndryshme historike, pavarësisht sfidave dhe pushtimeve që ka kaluar.
* * *
Komb politik: Kjo pjesë e deklaratës e çon nocionin më tej, duke argumentuar se, megjithëse populli shqiptar ka një identitet të lashtë dhe të fortë, është i nevojshëm një hap përpara që të shndërrohet në komb politik. Rugova bënte thirrje që populli shqiptar në Kosovë të merrte kontroll mbi fatin e tij politik dhe të krijonte një shtet të pavarur, si zgjidhje optimale, pra jo maksimale, që do të përfaqësonte interesat e tij në mënyrë të ligjshme dhe të organizuar. Kjo nënkuptonte nevojën për një strukturë shtetërore që mund ta mbështeste pavarësinë e Kosovës, në një kohë kur regjimi i Serbisë po e shtypte dhe e injoronte këtë të drejtë. Ky nocion i “kombit politik” është gjithashtu një reflektim i nevojës për ta realizuar unitetin politik dhe shtetëror, që do të mund ta mbështeste zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur, i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.
* * *
Lufta: Roli i Dr. Ibrahim Rugovës në përkrahjen ndërkombëtare para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës (1989-1999) është një prej aspekteve më të rëndësishme dhe kompleks të historisë moderne të Kosovës. Dr. Rugova ishte një lider politik dhe intelektual që përdori diplomacinë, filozofinë paqësore dhe angazhimin ndërkombëtar për të siguruar mbështetje për çështjen e Kosovës, si dhe për të ndihmuar dhe legjitimuar fitoren edhe gjatë dhe pas periudhës së luftës.
* * *
Përfundime: Dr. Ibrahim Rugova ka qenë lider vizionar dhe ka luajtur rol kyç në krijimin e identitetit politik dhe shtetëror të Kosovës. Ai e ka formuluar vizionin e Kosovës për një shoqëri të lirë, demokratike dhe plurale, si shtet i pavarur dhe sovran. Ai e ka drejtuar vendin mespërmes një periudhe shumë të vështirë.
Dr. Rugova ishte një lider politik dhe intelektual që përdori diplomacinë, filozofinë paqësore dhe angazhimin ndërkombëtar për të siguruar mbështetje për çështjen e Kosovës, si dhe për të ndihmuar në formimin e një shteti të besueshëm dhe funksional demokratik pas periudhës së luftës.
Kosovën e bëri një shtet të njohur ndërkombëtarisht.
/revistashenja