Ballina Autorë Opinione Rugova, frymëzuesi i pluralizmit tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Rugova, frymëzuesi i pluralizmit tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Sefer Tahiri

LDK-ja dhe PPD-ja kishin ngjashmëri, që nga lindja e tyre si subjekte të veçanta politike, pasi veçanti e tyre ishte politikëbërja e “butë” dhe sendërtimi i kërkesave të shqiptarëve përmes rrugës institucionale. Përderisa PPD-ja bënte politikë në stilin “hap pas hapi”, LDK-ja – përmes Rugovës – e promovonte të ashtuquajturën politikë me mjete paqësore e tipit gandian.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e parë politike e shqiptarëve në ish Jugosllavi, e themeluar në 23 dhjetor të vitit 1989, vendosi themelet dhe, më pas, trasoi trajektoren e hartimit dhe artikulimit të kërkesave legjitime dhe substanciale të shqiptarëve të Kosovës për status më të mirë. Përveç kësaj, kjo parti kishte reflektim në procesin e pluralizimit të jetës politike në Maqedoninë e Veriut.

Lidhja dhe Prosperiteti demokratik i shqiptarëve

LDK-ja angazhohej për pluralizëm politik, i cili, siç thuhej atëbotë, “shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepteve dhe opsioneve të ndryshme politike dhe për sistem shumëpartiak”.

Partia e drejtuar nga Ibrahim Rugova ishte themeluar si “parti e organizuar në baza territoriale në hapësirën e Kosovës, por dhe kudo që ekziston interesimi mundej të formojë degët e veta”. Kjo nënkupton se LDK-ja ka pasur mundësi të formojë degët e veta edhe në vendbanimet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por një hap i tillë nuk është ndërmarrë falë sensit politik të Rugovës! Kreu i LDK-së, duke qenë studiues i letërsisë, ka pasur nuhatje të hollë politike se artikulimi i kërkesave të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ka shumë ngjashmëri, por edhe dallime, duke u nisur që nga prania demografike e duke marrë parasysh shumë parametra të tjerë, pasi synimet dhe, më vonë, edhe rezultatet dëshmojnë se bëhet fjalë për dy realitete diversive politike. Sigurisht, nuk ka dilemë se diskriminimin dhe represionin sistematik institucional e ndjenin si shqiptarët në Kosovë, ashtu edhe ata në Maqedoninë e Veriut. Ky nacifikim institucional ndaj shqiptarëve, me disa varietete relative në metodologjinë e nënshtrimit dhe përbuzjes së shqiptarëve nga Beogradi dhe Shkupi zyrtar, vërehej që nga periudha e demonstratave të studentëve në Prishtinë në vitin 1981, përkatësisht pas miratimit dhe zbatimit të Platformës politike për Kosovën nga Lidhja Komuniste e ish Jugosllavisë dhe, siç quhej, luftimin e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, narrativa të cilat kishin cak dominimin etnik serb dhe maqedonas ndaj identitetit etnokulturor të shqiptarëve.

Rugova, në mënyrë vizionare, duke mos e shtrirë LDK-në, ua hapi rrugën formimit të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

LDK-ja dhe PPD-ja me politikë paqësore

Në 5 maj të vitit 1990 u themelua partia e parë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Partia e Prosperitetit Demokratik, e cila – ngjashëm si LDK-ja në Kosovë – ishte formuar nga intelektualët e kohës, kryesisht mësimdhënës të shkollave të mesme, ish të burgosur politikë, gazetarë të “Flakës së vëllazërimit”, por edhe ish zyrtarë të sistemit komunist, të cilët u transformuan në demokratë që do të angazhohen për prosperitetin e shqiptarëve. Se ishte kohë e vështirë për veprim politik të shqiptarëve dëshmon edhe fakti se njëri nga themeluesit e PPD-së figuronte avokati Dushko Apostollski, ndërsa vetë partia ishte deklaruar se nuk është subjekt vetëm i shqiptarëve, por kishte karakter shumetnik. Mbase për të kaluar procedurat e regjistrimit, pasi ligji nuk lejonte themelimin e partive njëetnike.

Ndryshe nga LDK-ja, e cila në përmasa dërrmuese ishte prodhim politik i elitës kulturore të Kosovës, e strehuar dhe e kultivuar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, PPD-ja nuk kishte një adresë referente organizative të themelimit dhe strukturimit të saj. Dallimet ishin evidente edhe sa i përket lidershipit të dy partive. Përderisa Rugova ishte studiues i njohur dhe i afirmuar në Institutin Albanologjik, i cili kishte ndjekur specializim shkencor në Francë tek eksperti i madh i letërsisë Rolland Bart, Nevzat Halili, kreu i PPD-së, ishte mësimdhënës në një shkollë të mesme në Tetovë, anonim për shqiptarët, por burrë trim! Kjo pozitë delikate atëkohë u ishte ofruar shumë intelektualëve, por ata një nga një e kishin refuzuar me arsyetime nga më ndryshmet, por që emërtim përbashkues kishin frikën nga ish sistemi shtetëror i kohës. Mbetet fakt i pakontestueshëm se Rugova, madje në nivelin e Nevzat Halilit, ishte lider shumë i dashur, i respektuar e i admiruar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, i njohur me nofkën “Shalli”. Te ai e çmonin maturinë politike dhe intelektualizmin i tij, ndërsa figura e tij ishte shpresë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. Kjo dashamirësi ndaj Rugovës, ngjashëm si në Kosovë, do të fillojë të zbehet që nga fillimi i lëvizjeve të armatosura të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur politika paqësore filloi të zëvendësohet me mjete luftarake.

LDK-ja dhe PPD-ja kishin ngjashmëri, që nga lindja e tyre si subjekte të veçanta politike, pasi veçanti e tyre ishte politikëbërja “e butë” dhe sendërtimi i kërkesave të shqiptarëve përmes rrugës institucionale. Përderisa PPD-ja bënte politikë në stilin “hap pas hapi”, LDK-ja – përmes Rugovës – e promovonte të ashtuquajturën politikë me mjete paqësore e tipit gandian, e cila në disa intervale kohore për një pjesë të shqiptarëve të Kosovës ishte e pakuptimtë dhe anakronike, ngase durimit i vinte fundi.

LDK-ja kërkonte që Kosova të jetë republikë e shtatë në kuadër të ish RSFJ-së ose shtet i pavarur, i hapur si ndaj Serbisë, ashtu edhe ndaj Shqipërisë, ndonëse ky pozicion nuk ishte i përkufizuar me këtë diskurs në dokumentet partiake, duke marrë parasysh kontekstin shoqëror politik të kohës dhe barrierat administrative juridike, që i vendoste burokracia shtetërore për regjistrimin e partive të para politike.

PPD-ja angazhohej që shqiptarët të jenë element konstituiv ose komb shtetformues, i barabartë me maqedonasit, pa shprehur asnjëherë tendenca secesioniste të shqiptarëve, por vetëm autonomiste politike, pa e prekur shtetësinë unitariste të Maqedonisë së Veriut.

Të dyja konceptet politike paqësore dhe institucionale më vonë bien poshtë: në Kosovë në vitin 1999 dhe në Maqedoninë e Veriut në 2001, me rezistencën e armatosur ndaj aparateve shtetërore të Beogradit dhe Shkupit, edhe pse edhe në këtë dimension dallimet janë evidente dhe kolosale. Fjala, përkatësisht retorika, politike rugoviane dhe ppdiste, sado argumentuese që ishte, nuk i dha efektet e pritura.

Këshilli Kombëtar i partive shqiptare në ish Jugosllavi

Vizionari politik, Ibrahim Rugova, ka dashur ta ruajë subjektivitetin politik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por edhe ka tentuar të krijojnë ura bashkëpunimi me partitë në Kosovë. Në këtë drejtim është themelimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi, më 22 korrik të vitit 1991, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili pa diskutim se në atë kohë ishte autoriteti moral dhe politik i të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe në trevat ku jetonin shqiptarët. Kryefjala e këtij këshilli, i cili shpesh takohej në rajone jashtë Kosovës ose Maqedonisë së Veriut ishte parashtrimi dhe jetësimi i kërkesave politike të shqiptarëve përmes rrugës paqësore dhe demokratike, por duke u bazuar tek e drejta e popujve për vetëvendosje.

Që LDK-ja dhe PPD-ja ishin parti të afërta politike me ngjashmëri jo vetëm diskursive, por edhe për kah strategjia e veprimit, këtë e dëshmon fakti që në dokumentet e prodhuara nga Këshilli i Partive Politike, Prosperiteti nënshkruhej menjëherë pas Lidhjes, përkatësisht Nevzat Halili pas Ibrahim Rugovës.

Edhe pse Këshilli, për shkak të presioneve të pushtetit të atëhershëm nuk dha rezultate të mëdha politike, ai mbeti një organizim me rëndësi të madhe për unifikimin e subjekteve politike dhe për koordinimin e aktiviteteve kombëtare në hapësirën e ish shtetit. Ndërkaq, roli i LDK-së dhe PPD-së, parë nga perspektiva e sotme mund të duket minor dhe nën pritshmëritë e shqiptarëve të asaj kohe. Por, vështruar nga konteksti i atëhershëm kohor, roli historik i këtyre dy partive, nëse jo më tepër, është i madh në projektimin dhe modelimin e synimeve politike të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut! Gjykime, që – natyrisht – duhet t’i verifikojë historia! /revistashenja

Exit mobile version