Rugova dhe Haveli: dy figurat e demokratizimit historik të Europës

Xhelal Neziri

E përbashkëta e të dyve është përpjekja për të rrëzuar regjime të dhunshme pa përdorur dhunë, kurse ajo që i dallon është qasja e tyre ndaj politikës.

 Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

“Sot mund t’ju informoj për sa vijon: Bashkimi Sovjetik ka marrë një vendim për reduktimin e forcave të tij të armatosura. Në dy vitet e ardhshme, numri i tyre do të zvogëlohet me 500,000 persona dhe volumi i armëve konvencionale gjithashtu do të reduktohet ndjeshëm. Këto reduktime do të bëhen në mënyrë të njëanshme, pa lidhje me negociatat për mandatin e takimit të Vjenës”.

Ky është fragmenti kryesor i fjalimit të ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork më 7 dhjetor të vitit 1988. Këto fjali do ta shënojnë fillimin e një transformimi të madh, historik, të Europës, pjesa qendrore dhe lindore e së cilës përfundimisht do të çlirohet nga komunizmi dhe do ta fillojë procesin e demokratizimit.

Në këtë fjalim, Gorbaçovi njoftoi se, në marrëveshje me aleatët tanë në Paktin e Varshavës, Moska kishte marrë vendim për të tërhequr gjashtë divizione tankesh nga Gjermania Lindore, Çekosllovakia dhe Hungaria dhe për ta përfunduar misionin e tyre deri në vitin 1991. Ishte një lajm i mirë për shtetasit e Europës Lindore, por i keq për qeveritë kukulla të vendeve përkatëse. Pa ushtarët rusë, liderët komunistë të këtyre vendeve u bënë të cenueshëm, të pambrojtur dhe të frikësuar nga popujt e tyre. Ky fjalim historik i Gorbaçovit shënoi fillimin e lëvizjeve që synonin zëvendësimin e sistemit njëpartiak me atë shumëpartiak, pra vendosjen e demokracisë si formë të qeverisjes së shtetit. Këto zhvillime historike kontribuuan në ndryshime të mëdha në hartën e Europës, ku nga 9 shtete deri në vitin 1989, në vitet ’90-ta numri i tyre arriti në 27.

Njëkohësisht, Gorbaçovi njoftoi edhe për ristrukturimin e sistemit politik dhe ekonomik të Bashkimit Sovjetik, në kuadër të lëvizjeve “perestrojka” dhe “glasnost”. Kjo do çonte drejt dezintegrimit të Bashkimit Sovjetik, si federatë e shteteve të popujve (etnive) të ndryshëm. I njëjti model federate ishte aplikuar edhe në krijimin e Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë, të cilat po ashtu u shpërbënë në vitet që pasuan.

Antipolitika dhe protagonizmi

Në tërë këtë tranzicion historik ose të kësaj vale të madhe të demokratizimit në Europë, shquhen dy figura atipike: e para është figura e Vaclav Havelit në Çekosllovaki, ndërsa e dyta është ajo e Ibrahim Rugovës në Kosovë. E përbashkëta e të dyve është përpjekja për të rrëzuar regjime të dhunshme pa përdorur dhunë, kurse ajo që i dallon është qasja e tyre ndaj politikës.

Në Çekosllovaki, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, studentët dhe artistët udhëhoqën protesta kundër brutalitetit policor. Regjimi u rrëzua dhe ia dorëzoi pushtetin një qeverie të përkohshme të udhëhequr nga lideri më i njohur i opozitës së shoqërisë civile, Václav Havel. Ndryshe nga Hungaria, Çekosllovakia nuk ishte në gjendje ta realizonte një tranzicion përmes negociatave. Pas dhjetë ditësh demonstrata publike, regjimi thjesht u rrëzua. Qeveria e përkohshme, që doli nga Revolucioni Kadife, kishte prirje të forta antipolitike dhe hodhi poshtë mundësinë për zhvillimin e partive politike në gjithë territorin. Gjithashtu, qeveria e përkohshme nuk ishte e interesuar ta ndryshonte kushtetutën fiktive federale të llojit sovjetik, gjë që rezultoi me pamundësinë për ta shpëtuar federatën. Kjo solli shpërbërjen paqësore të federatës, duke lindur dy shtete të pavarura: Çekinë dhe Sllovakinë.

Në anën tjetër, shpërbërja e Jugosllavisë nuk u bë në mënyrë paqësore. Luftërat filluan në Slloveni në fillim të viteve të 90’ta dhe përfunduan në Kosovë në vitin 1999. Për dallim nga Haveli, i cili kishte përballë një regjim të pambrojtur nga Rusia dhe pa guxim që t’i shtypë protestat, Rugova kishte para vetes një pushtet represiv dhe brutal, i cili dirigjohej nga diktatori famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq. Duke pasur parasysh etjen për luftë, shkatërrim dhe vuajtje të Millosheviqit, Rugova nuk kishte zgjedhje që të jetë me bindje antipolitike. Edhe pse kishte një sfond letrar, njëjtë si Haveli, Rugova nuk kishte opsion që të mos merret me politikë. Politika, në fakt, u mor me të, e mori në rrjedhat e saj dhe e mbajti deri në frymën e tij të fundit.

Haveli drejtoi protesta të organizuara nga shoqëria civile. Ndryshe nga Polonia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia, ku protestat drejtoheshin nga një opozitë e konsoliduar që më pas do të marrë pushtetin, në Çekosllovaki këto protesta nuk kishin një strukturë të konsoliduar. Një numër i madh grupesh, përveç lëvizjes “Karta 77”, u shfaqën në vitet 1988 dhe 1989, por asnjëra nuk mund të konsiderohej si opozitë politike e organizuar. Jan Urban, një disident i shquar në “Karta 77”, në prag të shkëputjes së Sllovakisë, vërejti se grupet opozitare besonin në të pamposhtshmërinë e regjimit derisa ai u shemb vetë: “Ne nuk dinim si të organizoheshim për të formuar një opozitë politike… Për shkak të mënyrës sonë antipolitike…, ishim të sigurt se do të humbnim – përveç nëse nuk ndryshonim”.

Nga ana tjetër, Rugova kishte një vizion të qartë politik dhe ishte protagonisti kryesor politik jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë gjeografinë shqiptare në ish-Jugosllavi. Pasi nuk pati hapësirë të jetë apolitik, Rugova u shndërrua në projektues të Kosovës si shtet i pavarur, me një identitet politik ndryshe nga Shqipëria. Përveçse promovonte projektin e shtetit kosovar, ai kishte zgjedhur edhe simbolet shtetërore – flamurin, himnin dhe stemën. Në këtë pikë dallon vizioni i Rugovës nga ai i lëvizjeve ilegale shqiptare, të cilët luftonin për bashkim të shqiptarëve në një shtet. Si njeri i letrave dhe ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Rugova ngurroi t’i përkrahë formacionet ushtarake shqiptare edhe në momentet kur të gjithë e prisnin një gjë të tillë. Në bisedimet për të arritur marrëveshje paqeje në Rambuje dhe Paris në vitin 1999, Rugova – sikur me vetdëshirë – u hoq nga lideri i përpjekjeve për pavarësi. Ishte i sigurt se edhe drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, ishte në rrugë për ta bërë realitet vizionin e tij. Ky u mendua të jetë fillimi i fundit politik të tij. Por, ndodhi e kundërta. Në zgjedhjet e organizuara pas luftës, LDK-ja e Rugovës gjithmonë korrte fitore të thella. Ka një anekdotë që thotë se, në një rast, Rugova kërkoi që të votohen partitë e tjera, me qëllim që mos të jepet një mesazh i gabuar për shqiptarët e Kosovës se kinse nuk duan sistem shumëpartiak.

Rugova më i madh se Haveli

Rugova vdiq në vitin 2006, kurse dy vite më pas Kosova e shpalli pavarësinë si shtet. Në vitin 2003 Haveli në Çeki e përmbylli karrierën politike, kurse tetë vite më vonë vdiq. Të dy ishin duhanxhinj të pasionuar. Rugova e kishte filluar rezistencën e tij estetike dy vjet para Havelit, duke mos u pajtuar asnjëherë me masat e dhunshme të vendosura nga regjimi serb, që personifikohej me figurën Millosheviq.

Ka edhe një dallim midis dy protagonistëve të tranzicionit demokratik në Europë: pas revolucionit, Haveli e humbi mbështetjen brenda vendit, por e rriti atë në nivel global, ndërsa popullariteti i Rugovës ishte gjithnjë në rritje, si brenda vendit, ashtu dhe jashtë.

Nëse tranzicioni që e udhëhoqi Haveli ishte paqësor dhe zgjati një vit, Rugova e drejtoi Kosovën nëpër një tranzicion të dhimbshëm, që politikisht kalonte nëpërmjet një rezistence të vazhdueshme dhe idesë së ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

Për dallim nga Çekia, Kosova njeh një trajektore të dhimbshme të rrugëtimit historik, me shumë plagë që vijnë nga thellësitë e kohërave të trazuara. Një rrugëtim i vështirë dhe me shumë sfida, me beteja të panumërta për ta diferencuar identitetin e vetë historik, politik dhe kulturor. Kosova ka një rrugëtim specifik, që përshkruhet me shumë momente historike dhe politike, të cilat shënojnë një përpjekje të vazhdueshme të popullit të Kosovës për të jetuar në liri dhe të barabartë me popujt e tjerë. Rrugëtimi i Kosovës nuk mund të mendohet pa këtë sfond historik, që realisht e ka përcaktuar golgotën e sakrificës të shumë gjeneratave për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

Duke u nisur nga këto krahasime, mund të konkludohet se Rugova është një figurë që e tejkalon Havelin. Mungesa e promovimit të tij e bën atë padrejtësisht më të vogël në sytë e opinionit publik, tek të cilët rrëzimi i komunizmit me mjete paqësore personifikohet vetëm te lideri çek. /revistashenja