Fjala e urtë “ruaju sherrit të atij që i ke bërë mirë” dhe a është i vërtetë kuptimi i saj sipas fesë?
Ka një fjalë të urtë arabe që thotë:
“Ruaju sherrit të atij që i ke bërë mirë!”
Këtë fjalë të urtë arabe, me shprehje të përafërta, e kanë shumë popuj.
Në kulturën shqiptare, ka edhe fjalë të urta në shkallë më të lartë përpunimi të kuptimit që shpreh fjala e urtë e lartshënuar.
“S’i kam ba kujt mirë, që me prit sherr”
Doemethënë, sipas këtij versioni të kësaj fjale të urtë, nëse nuk i ke bërë mirë dikujt, mos prit keq prej tij, pra dukuria “që të të bëjë keq ai që ti i ke bërë mirë” paraqitet si aksiomë, si e pritur e domosdoshme.
A qëndron sipas fesë kuptimi i fjalës së urtë “ruaju sherrit të atij që i ke bërë mirë”?
Imam Kurtubiu në tefsirin e tij përmend se ishte pyetur dijetari i madh Bexheliu nëse e gjente të përmbajtur në Kuran kuptimin e fjalës “ruaju sherrit të atij që i ke bërë mirë” dhe ai ishte përgjigjur:
“Po, e gjej në ajetin: “Ata (jobesimtarët dhe hipokritët) nuk urrejnë për tjetër pos pse All-llahu nga mirësitë e Tij dhe i dërguari i Tij i begatoi ata. Nëse ata pendohen do të jetë më mirë për ta, e nëse refuzojnë, All-llahu i dënon me një dënim të dhembshëm si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. (Kuran 9:74)
Por, sa herë që shpjegohet kuptimi i kësaj fjale të urtë, dijetarët saktësojnë se ajo nuk tregon një të vërtetë gjeneralizuese, të gjithëndodhshme.
Vlen vetëm për ata që kanë karakter të ulët dhe nuk vlen kurrsesi për njerëzit fisnikë.
Prandaj, këtë fjalë të urtë duhet ta kontekstualizojmë për të qortuar karakterin e ulët të atyre njerëzve që të mirën e kthejnë me të keqe dhe jo për të demotivuar për bamirësi.
Ilmi Rexhepi