Muslimanë të shumtë në Sudan, qoftë nevojtarë apo persona që nuk mund ta arrijnë iftarin në shtëpitë e tyre, hapin iftarin gjatë muajit të Ramazanit në sofrat e shtruara nëpër cepat e rrugës nga bamirës të ndryshëm, shkruan Anadolu Agency (AA).
Pak para thirrjes së ezanit të akshamit, shtruesit e iftarëve dalin në rrugë dhe ftojnë udhëtarët nëpër automjete në lëvizje t’i bashkangjiten sofrave që shtrojnë në cepat e rrugës.
Në sofrat e iftarit që gjenden thuajse në çdo cep të kryeqytetit Hartum, në rrugë dhe para shtëpive, takohen njerëz të të gjitha klasave, të pasur dhe të varfër.
Pamja e tillë mund të shihet gjatë tërë muajit të Ramazanit veçanërisht në njërën nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, rrugën Ubejd Hatim. Në dy anët e rrugës është e mundur të vërehen sofra të cilat shumë qytetarë i kanë përgatitur me mundësitë e veta.
Pa thirrur ezani i akshamit, shtruesit e sofrave u tregojnë njerëzve nëpër automjete se ka ngelur pak kohë deri në kohën e iftarit. Kështu, bamirësit sudanezë, duke i ftuar njerëzit në sofrat e tyre, synojnë që secili të përfitojë nga ushqimet që përgatisin.
Ndërkaq, ushqimet e servuara në sofra janë nga më të ndryshmet. Shtruesit e iftarëve zbukurojnë sofrat varësisht nga buxheti i tyre. Teksa në disa sofra vërehen ushqimet rajonale siç janë “ful” dhe “lukak”, në disa të tjera shtrohen prodhime të mishit dhe lloje të ndryshme të çorbave.
Pas faljes së namazit të akshamit, të gjithë vazhdojnë rrugën e tyre.
Muhammed Abdullah Ibrahim, i cili thotë se do të ofrojë ushqim në cep të rrugës për 20 ditë të Ramazanit, për AA thekson se ai përpiqet ta vazhdojë këtë traditë e cila i ka ngelur që nga i ati i tij.
“Sofrat e iftarit që shtrohen në rrugët e Sudanit i mbaj mend që nga fëmijëria. Babai im më merrte me vete dhe ftonte çdokë në sofrën tonë. Tani unë kam marrë djalin tim me vete dhe së bashku i ftojmë nevojtarët të na bashkangjiten në sofër”, rrëfen Ibrahim.
Edhe Ebubekir Hasan është një nga shtruesit e sofrave të iftarit. Ai thotë se gjysmë ore para iftarit, meshkujt marrin sofrat dhe dalin jashtë, pasi që, siç thotë, ka nevojtarë të cilët nuk tregojnë se kanë nevojë.
“Këtë gjë e kanë bërë edhe baballarët dhe gjyshërit tanë, për arsye se rreth nesh ka njerëz që kanë nevojë, por nuk tregojnë. Ka edhe të tillë që për shkak të punës nuk e arrijnë iftarin në shtëpi. Ne i ftojmë në sofër të gjithë vëllezërit muslimanë që i shohim. Në këtë mënyrë, arrihet solidaritet në shoqëri”, vlerëson Hasan.
Ndërkaq, Mahmut Idris, punonjës i spitalit, i cili i është përgjigjur ftesës për të bërë iftarin në rrugë, thotë se ka pranuar të bashkangjitet në sofër pasi punët kanë përfunduar vonë dhe ka parë që i ka ngelur shumë pak kohë.
“Kur e ndalën makinën e transportit publik, kuptuam se po ftohemi në iftar. Shoferit të makinës, mua dhe tre udhëtarëve të tjerë na u tha se mund të vazhdojmë rrugën pasi të hapim iftarin. Ne pranuam kur pamë se kishte ngelur shumë pak kohë”, tregon Idris.