Nëse Albin Kurti në këtë moment bie ndesh me interesat amerikane, sigurisht se nuk do të rreshtohet me interesat ruse. Këtë mund ta bëjnë vetëm naivët. Mënyra e vetme që i mbetet është që ta provojë “rrugën e vet”, atë që e mban emri i partisë, që Kosova të VENDOSË VETË për gjithçka, edhe për Veriun, edhe për Asociacionin, edhe për njohjet e reja, edhe për pranimin në OKB e BE apo NATO…
Shkruan: Daut DAUTI, Shkup
Duke e ditur rendin e planifikimit të çdo numri të gazetës, kësaj radhe më me dëshirë nuk do të doja të shkruaj “edhe një temë” për Kosovën, duke ditur se kushedi sa herë kam shkruar për aspekte të ndryshme të zhvillimeve politike në Kosovë. E ndiej një shterje, e ndiej një mungesë idesh se si të sjellësh ndonjë gjë të re, që s’e ke thënë në “diagnostifikimet” e mëhershme, në situata të përsëritura. Sikleti më i madh i kësaj radhe lidhet edhe me dëshpërimin se gjersa në shkrimet e mëhershme kemi “lehur” dhe karvani ka ecur, tash kur zgjidhja e problemit është pikërisht sipas atyre ideve që janë hedhur në të kaluarën e s’janë përfillur, tash duket se është vonë edhe për ato!
Në një nga ato shkrimet e kaluara pikërisht për Shenjën e pata treguar një anekdotë popullore për dikë që kishte prerë gishtin nga një teneqe e ndryshkur. Shkon në mjek dhe ai i thotë që t’ia presin gishtin se ia kishte kapur gangrena. Por, njeriu nuk dëgjon. Infektimi pas një kohe ia kaplon dorën. Ai shkon përsëri te mjeku. Mjeku i thotë duhet se duhet t’ia presin gjithë dorën. Njeriu përsëri nuk dëgjon. Herën tjetër i ënjtet krahu. Mjeku i thotë se duhet t’ia presin krahun. Ai nuk pajtohet. Por, mjeku i thotë: “Më mirë krahun, se kokën!”.
Dy janë porositë e kësaj meseleje, që tash lidhen me fatin e Kosovës. E para është faktori kohë, që duhet shfrytëzuar momentin kur është koha më e përshtatshme, e që lidhet me vizionin (qoftë pasje, qoftë mungesë vizioni) dhe, e dyta, siç po shihet, nëse nuk vepron me kohë, gjërat vijnë duke u vështirësuar gjithnjë, saqë sot ne në mënyrë dramatike po konstatojmë se mos vallë ka ardhur në pyetje ekzistimi i vetë shtetit të Kosovës! Sepse, me humbjen e kohës, gjërat kanë lëvizur tatëpjetës. Dhe, për më keq, mënyrat e mbrojtjes me gjithë forcat dhe me gjithë të drejtën e botës nuk mjaftojnë!
Vetëmashtrimi nga gjërat e bukura por të parealizueshme që kanë çuar në grackë!
Si një nga autorët që ndoshta nuk është ekzaltuar nga veprimtaria e Albin Kurtit, sepse mendoj se intelektuali duhet të krijojë distancë kritike dhe të mos jetë pjesë e turmës, kam shkruar kohë pas kohe për qasjen jorealiste dhe kontraproduktive të Albin Kurtit. Për herë të parë në disa veprime të tij të kohëve të fundit ia pranoj argumentet dhe qëllimet, por ky nuk është ndonjë satisfaksion kur me këto veprime tash po përballet me anatemë ndërkombëtare, i apostrofuar si fajtori kryesor i tensionimit të situatës. Pa të drejtë, në masë të madhe. Kur tone kritike për veprimet e tij vijnë nga SHBA-ja, edhe përkrahja që mund t’ia japë akëcili është e kotë. Konfuzion i plotë!
Nuk kam zbuluar Amerikën në shkrimet e mëhershme, kur i kam vënë në dukje disa gjëra që s’më kanë pëlqyer. Bie fjala, si të përkrahësh dikë, edhe kur ka qëllime të mira, kur veprimtarë të LVV-së kanë gjuajtur institucionet kosovare si të ishin ato serbe?! Ka pasur vërejtje serioze që i përkasin vizionit ose strategjisë politike për të realizuar jo objektivat e një individi ose një subjekti, por ato të shtetit të Kosovës. Duket se këtu diku ka pasur prej fillimit një shpërputhje, sepse gjersa Albini dalëngadalë është ngritur në idetë e tij të plasuara si interes i Kosovës, ato në të vërtetë janë dëshmuar si e kundërta. Jo se qëllimet kanë qenë të këqija, po pse gjërat e bukura nuk janë përherë lehtësisht të realizueshme dhe jo përherë ashtu siç i mendojmë ne, mund të dalin ashtu. Edhe Don Kishoti i gjorë gjithë kohën mendonte të bënte mirë, por gjithçka i dilte mbrapsht!
Pikërisht në ëndrrat e bukura Albin Kurti e gëzon sot mandatin, me pothuajse përkrahje plebishitare. Kjo përkrahje duhet respektuar. Ajo është edhe burimi i forcës politike që ka. Ajo përkrahje bazohet në kritikat politikave “të gabuara” të qeverive pararendëse dhe idetë joshëse. Ka diçka edhe elemente ideologjike, e cila mendoj se nuk ka luajtur fort rol në etablimin politik, por kryesisht pozicionimi KUNDËR qeverive të kaluara, për praktikimin jo gjithmonë perfekt të pushtetit të tyre, të përshkuar me të gjitha anomalitë e tranzicionit (në këtë pikë, gjithkund është njësoj, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi, Rumani, Bullgari…), ndaj dhe çdo kauzë kundër ndonjë pushteti të korruptuar, që përfiton nga pozitat e tij, që kontrollon të gjitha pushtetet, s’ka si të mos përkrahet. Qytetarët kanë menduar se është mbushur kupa dhe duhet të provohet diçka e re. Duket se këtu është kauza e vetme realiste e Albinit, së cilës i është përmbajtur edhe pas marrjes së pushtetit, sepse Kosova në luftën kundër korrupsionit dallohet prej shumë vendeve të ngjashme. Deri tash, me përjashtim të dyshimeve për korrupsion të ambasadorit Martin Berishaj, të cilin e mori në mbrojtje qeveria e Albin Kurtit, nuk ka afera të mëdha që do të jenë përfolur. Përjashtuar ndoshta nepotizmin, për të cilën i kritikonte qeveritë tjera, e që s’i duket s’ia ka gjetur as ai ilaçin ose, më saktë, as ai nuk u tregua tepër imun…!.
Mirëpo, të përqendrosh gjithë suksesin në një çështje “universale” të anomalive të tranzicionit, ndërkohë që Kosova ka çështje tjera, kjo nuk mund t’i kompensojë kauzat prioritare. Ndaj dhe dikush mund të jetë dëshpëruar me këtë, si një ish ithtar i albinizmit: “Çfarë ndodhi? Lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme, por siguria kombëtare ose siguria e paqja dhe stabilitetit është më i rëndësishëm për fëmijët tanë. Siguria kombëtare është jetike, ekzistenciale për ne. Atë e ruan KFOR-i dhe sponsorët e pavarësisë së Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja. Kurti më ka prekur këtu, në esencën dhe ekzistencën time dhe të Kosovës” (Shenoll Muharremi).
Ëndrrat e bukura që ua shiti Albin Kurti kosovarëve dhe me to u katapultua në lartësinë e 51-përqindëshit, është më e gjatë. Ashtu krijoi iluzionin se kur të vijë ai, s’do të ketë më simbole “të imponuara” shtetërore, të cilat i injoronte si opozitar. Si pushtetar, ai u desh të familjarizohet me to, sepse s’kishte si të vepronte ndryshe. E krijoi iluzionin sikur i vetmi ai është ai që e do bashkimin me Shqipërinë! Sikur gjenerata e gjenerata veprimtarësh që kanë qenë nëpër burgje e janë persekutuar nuk e kanë dashur këtë gjë! E krijoi iluzionin e madh se Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj kanë punuar kundër këtij bashkimi me paramendim, e jo se ishte çështje kufizimi nga faktorët ndërkombëtarë si kusht për pavarësinë. E krijoi iluzionin për Pakon e Ahtisarit, si gjëja më e tmerrshme që i ka ndodhur Kosovës, e jo se si gurthemel i pavarësisë, që praktikisht ndodhi. Nuk i shpjegoi kurrë publikut kosovar çfarë do të ishte Kosova sot nëse s’do ta pranonte këtë pako: a do të ishte e pavarur apo do të përpëlitej nëpër kancelaritë botërore duke kërkuar njohje? Apo, edhe më saktë, si e mendonte Albini realizimin e pavarësisë ndryshe? E dimë se ka më mirë, por si e ka menduar ai që mund të realizohej ajo pa përkrahje ndërkombëtare? Në këtë kontekst, ai e krijoi iluzionin se kur të vinte ai në pushtet, do të hiqej nga rendi i ditës Zajednica, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pjesa më problematike e pakos politike të pavarësisë. Edhe për kufirin me Malin e Zi bëri shumë dramë… Çka s’krijoi tjetër si iluzion se kur të vinte ai, do ta fshinte si me gomë gjithë atë që e kanë bërë gabim të tjerët…
Kërkoj falje nga lexuesit nëse këto që përmend më sipër i kanë lexuar diku! S’ka asgjë origjinale, s’ka asgjë të pathënë. Ai sot është i zënë ngushtë në mengene me fjalët që ka thënë si opozitar dhe veprimet si pushtetar. Nëse u premtoi njerëzve se s’do të ketë (fare!?) as Asociacion, as kufi këndej Çakorit, se bisedimet me Serbinë s’mund të bëhen pa kërkimfalje e s’mund të përfundojnë pa njohje të ndërsjellë, s’janë fajtorë të tjerët që nuk po ndodhin. Ishte i bindshëm para publikut, që të gjitha këto imponime nuk ishin rezultat i balancave gjeostrategjike, por dobësi e pushtetarëve kosovarë, sepse ua kanë zënë bishtin me dobësitë e tyre pushtetarë dhe se ai, si i fortë, i pakorruptueshëm, stoik, do të dijë të bëjë ndryshe.
“Rruga e tretë”, kjo e Albinit!
E vërteta për të gjitha këto që u thanë nuk është siç ia mveshin kundërshtarët e tij te manipulimi me populizëm, por thellësisht i bindur jam, te besimi i vetë Albinit se ai mund të bënte më mirë dhe më ndryshe nga pararendësit e tjerë në të mirë të Kosovës. Vetëm ishte çështje kohe kur edhe ai, njësoj si Rugova a Hashimi, të hynte në ndonjë këngë me çifteli dhe pikërisht tash ndodhi në kohën e ngërçit më të madh me ndërkombëtarët, një këngë e Xhemail Qetës, ku e portreton Albinin (bashkë me Vjosa Osmanin), pikërisht ashtu si shumica kosovare e kanë krijuar më bindjen, se Albin Kurti as nuk kthen, as nuk blihet, as nuk shitet… se kryeministri dhe presidentja punojnë për shtet e jo për xhepa… Përmendja e kësaj ose dhe ndonjë kënge më të hershme mëton të tregojë kontrastin midis së mirës që nuk ka fund dhe jorganit që ta qepin të tjerët që s’lënë t’i shtrish këmbët sa do ti. Sepse, askush nuk mund të thotë se nuk ka të drejtë Albini ta krijojë pushtetin lokal në Veri kur dikush vetë tërhiqet prej tij, askush nuk mund të thotë se nuk duhet të ndiqen penalisht ata që iu sulën forcave ndërkombëtare të KFOR-it dhe policisë kosovare, askush nuk mund të thotë se nuk ka të drejtë Kosova ta ushtrojë sovranitetin në gjithë territorin e vet… Për fatin e keq të Albinit, të gjithë këto që janë më se normale tash po kontestohen nga SHBA-ja dhe BE-ja, në këmbim të një ëndrre të keqe të tij – Asociacioni. Bëje asociacionin, e pastaj bën çka të duash! Ky është kushti i pandershëm që i bëjnë Albin Kurtit, sepse del sikur ai është ai që nuk i përmbush marrëveshjet, ndërsa e vërteta është se Serbia është pala e cila edhe për nga sasia, edhe për nga koha, është pala që nuk i zbaton marrëveshjet! Edhe problemi i targave, aq shumë i përfolur, ishte humbje e durimit nga Kurti, pasi ajo çështje tashmë duhej të ishte zgjidhur, por nuk ishte zgjidhur për shkak të obstruksioneve të Serbisë. Edhe marrëveshja e fundit (e arritur!?) në Ohër, është dëshmia më e madhe se Albini nuk është faktori pengues, por Serbia, sepse Vuçiqi doli haptas e tha se do t’i implementojë vetëm pikat që i përgjigjen Serbisë. Nuk i mjaftoi që në këtë marrëveshje nuk është njohja direkte (pala kosovare pretendon se është njohje faktike), por edhe ato pika për të cilat garantoi BE-ja, para syve të BE-së dhe SHBA-së, ai i shpalli të pavlefshme… Ndaj dhe Kurti me të drejtë është i frustruar dhe, si i tillë, edhe sillet kur gjendet në zgripin midis parimores dhe qëndrimeve të çuditshme të ndërkombëtarëve. Pra, që ta shkurtojmë diskutimin, në të shumtën e rasteve, duke përfshirë edhe aktivizimin e mandateve të kryetarëve shqiptarë të komunave serbe, vënien e simboleve shtetërore, arrestimet e aktorëve të dhunës, janë veprime për të cilat bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta akuzojë Kurtin, por palën e vërtetë…
E, çështja se pse bashkësia ndërkombëtare ka humbur durimin ndaj kryeministrit të Kosovës, dhe si duket edhe Albini ndaj tyre (kurrë një politikan kosovar nuk ka qenë kaq ironik sa ai ndaj sekretarit amerikan Blinken dhe të dërguarit special, Eskobar), na kthen te aspektet gjeopolitike dhe te mungesa e vizionit për t’u rreshtuar në kohën e duhur. Sepse, sado që duket një lloj njëanshmërie për veprimet aktuale, në të vërtetë është faturë e vonuar për “punën e shkuar”! Sepse, nëse çështja aq problematike që po e prolongon Kurti, Asociacioni, e ka mbi tavolinë si një lak për varje politike, ajo s’është asgjë tjetër pos një “dënim prej qielli” për vonesën e ofrimit të zgjidhjes. Albin Kurti iu ka bërë presion qeverive të mëparshme për të mos u bërë fare dhe ia ka arritur që të vihet ad acta për një kohë, në vend se t’i hyhet asaj për ta modeluar vetë Kosova në bazë të Marrëveshjes së 2015-tës, ku edhe pala serbe është pajtuar për të qenë në kuadër të Kushtetutës. Siç e dimë, Gjykata Kushtetuese shumë vite më parë ka marrë qëndrim dhe po ta bënte Kosova, po t’i lente Albini qeveritë e mëparshme ta bënin të paktën statutin, sot do të ishte një marrëveshje e përmbushur dhe presioni do të ishte mbi Serbinë… Për fat të keq, tash Albin Kurti, pasi me vite pengoi të tjerët, “ia la” vetes problemin e pazgjidhur, të cilin siç shihet nuk mund ta zhbëjë siç kishte premtuar, po as ta zgjidhë bash sipas interesave të Kosovës. Dhe, tash mund të ketë shumë të drejtë ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kur thotë se sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj formimit të Asociacionit, Kosova aq më shumë i afrohet idesë serbe për Asociacionin si autonomi politike-territoriale, si Republika Sërpska, ose si bashkësi politike e serbëve lokalë, që del prej rendit kushtetues të Kosovës. “E keqja e kësaj Qeverie [të Kosovës], ashtu sikurse edhe të gjitha tjerave është se nuk i dalin përballë Asociacionit, ta bëjnë një draft për të dhe të diskutojnë. Ata duhet të ulen, ta bëjnë një draft dhe të thonë ‘kjo është pozita jonë për këtë çështje’, ta zbatojnë dhe të thonë ‘kjo është kështu edhe pikë’”. (Enver Hasani).
Në këtë situatë, “rruga e tretë” është pikërisht kjo që po e ecë Albin Kurti. Obstruksion si opozitar ndaj të gjitha qeverive, tash i lënë vetëm me të gjitha problemet që i kanë mbetur prej tyre. Sepse, përderisa ai nuk e përkrahte as Pakon e Ahtisarit, as marrëveshjet ndërkombëtare, tash partitë opozitare ia kanë lënë të gjitha punët vetë Albin Kurtit që t’i zgjidhë në mënyrën e vet, duke e kritikuar, duke i përsëritur si papagaj qëndrimet ndërkombëtare, edhe kur ndoshta do të duhej të ishin më të përmbajtura. Ajo që i ka mbetur Kosovës, mbas “servilizmit” absolut ndaj ndërkombëtarëve, sepse kanë qenë të zhytur në anomali që i kanë bërë të shantazhueshëm (sipas VV-së), është ta përjetojë si në atë këngën e sipërcituar “Albini që nuk kthen”, “Albinin që mund t’u thotë JO ndërkombëtarëve”, “Albinin që mund të ironizojë me Grenellin, Eskobarin e deri te Blinkeni”, pra, diçka që në Kosovë tash edhe po has në përkrahje të shumicës dhe kritika të pakicës. Është naive përpjekja e Ramush Haradinajt që në vlugun e menaxhimit të situatës në Veri të Kosovës të kërkojë ndërrimin e Albin Kurtit nga pushteti, sepse në këtë mënyrë Kosovës ia merr atë opsion politik që e ka përkrahur. Ky është edhe veprim joparimor edhe gabim strategjik nga opozita. Veprim joparimor, sepse, nëse për Çakorrin, simbolet, korrupsionin, etj., Albini i ka shkelur zotimet që i ka bërë ndër vite, për raportin ndaj Serbisë dhe ndërkombëtarëve është duke vepruar pikërisht ashtu siç i ka premtuar popullit, ndërsa për këto premtime populli i ka dhënë përkrahje elektorale si askujt tjetër, përpos Ibrahim Rugovës. Albini ende është në kuadër të mandatit ligjor 4-vjeçar dhe në asnjë mënyrë nuk guxon që ky mandat të ndërpritet para përfundimit zyrtar. Në fund, nëse veprimet e Albinit rezultojnë të dobishme, të gjithë kritikët duhet t’ia njohin meritat. Por, nëse Albini nuk e arrin atë që e ka premtuar, atëherë të gjithë janë bashkëfajtorë.
Albini i ka detabuizuar të gjitha gjërat që e kanë sjellë Kosovën në shtigjet e pavarësisë, e ka sfiduar edhe “miqësinë tradicionale” shqiptaro-amerikane. Sado që në stërtheksimin e kësaj miqësie mund të ketë edhe diçka degutante ose servilizëm, sepse vetë një amerikan tjetër i madh, Kisinxher, ka thënë se nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme, te Albini i akuzuar për antiamerikanizëm, ku me argumente e ku pa to, ka një shpërputhje ndoshta dhe ideologjike, për çka kam shkruar edhe më herët. Sepse, në rrethin e tij, jorastësisht, ka ca këshilltarë të cilët ndonëse me orientime ideologjike të kundërta mes vete (islamistë e ish-nostalgjikë komunistë), ata i bashkon një gjë e përbashkët – antiamerikanizmi. Me gjithë besimin fjalëve të Albinit se nuk ka prishje në këto relacione, emetimi i një videoje të para disa vitesh tregon konceptin filozofik të Albinit, ku ai amerikanët i trajton si partnerë që i kalojnë së kaluarës, kurse e ardhmja nuk është me ta. Në të vërtetë, shumë albinistë nëpër rrjetet sociale, kanë shprehur kahmoti dyshim në qëllimet amerikane në Kosovë, që do të thotë, sipas tyre, ata nuk e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet dhe bëhet shtet për shkak të miqësisë, por për shkak të interesave të tyre gjeostrategjike!
Bingo! Pikërisht kjo dilema e shpifur, siç do të shpreheshin në Shqipëri, sepse edhe ta lëmë anësh miqësinë, por ta shohim vetëm interesin amerikan, pyetja është kjo: a nuk realizohet interesi shqiptar dhe ai i Kosovës, në veçanti, pikërisht në kuadër të atij interesi amerikan që kanë në rajon? Cila do të ishte alternativa? Siç dihet, këtu përplasen interesat ruse dhe amerikane. E a ka dilemë se me kë duhet të rreshtohet Kosova? Zaten Kosova është rreshtuar kaherë, por këto vonesa, që janë dhe me faj të Albin Kurtit, e bëjnë Kosovën gjithnjë e më të ndjeshme pikërisht për shkak të lojërave gjeopolitike… Nëse Albin Kurti në këtë moment bie ndesh me interesat amerikane, sigurisht se nuk do të rreshtohet me interesat ruse. Këtë mund ta bëjnë vetëm naivët. Mënyra e vetme që i mbetet është që ta provojë “rrugën e vet”, atë që e mban emri i partisë, që Kosova të VENDOSË VETË për gjithçka, edhe për Veriun, edhe për Asociacionin, edhe për njohjet e reja, edhe për pranimin në OKB e BE apo NATO… pa le të dalë ku të dalë!
Nëse të gjitha këto Kosova mund t’i arrijë me forcat e veta, pa aleatët strategjikë, Kryeministrit të Kosovës do të duhej në Prishtinë t’i ngrihet një bust dhjetëfish më i madh se ai i “imperialistit” Klinton. /revistashenja