Rruga e suksesit ka nevojë për shëmbëlltyrë frymëzuese

Ai nuk është dërguar që të jetë i kalueshëm e as i krahasueshëm me këdo qoftë tjetër. Ai, me tiparet e tij ideale, nuk toleron tejkalimin përtej tij. Pa mëdyshje fare, ai u dërgua për t’i pushtuar zemrat e njerëzve në mënyrë të pakrahasueshme. Por, megjithëkëtë, ç’është gjithë kjo tërheqje magnetike dhe ky impakt i papërshkrueshëm që ngacmon ndjenjën e myslimanit bashkëkohor.
Hulumtimi për njeriun që pasqyron shëmbëlltyrën ideale, është një ndjenjë e mbjellë thellë në shpirtin e secilit që synon ngritjen dhe fisnikërimin e personalitetit-unit të tij. Çdo njeri aspiron të përfytyrojë në mendjen e tij dikë që do t’i shërbente si frymëzues e model, dhe me ndihmën e këtij përfytyrimi të ecë drejt realizimit të aspiratave të ndryshme në jetë.
Kureshtja për të arritur këtë synim nuk shuhet asnjëherë, përderisa të mos arrijë cakun e synuar. Një vështrim i hedhur në të kaluarën e njerëzve që lanë gjurmë të pashlyeshme në rrjedhat e historisë njerëzore, na e bën të qartë se nuk kishte asnjë njeri me peshë historike i cili të mos kishte dikë që për të konsiderohej inspirues dhe frymëzues i tij. Nuk do të apostrofoj emra të përveçëm, ngase ata mund të jenë shumë dhe theksi ynë në këtë trajtim nuk bie mbi ta, me gjithë veprat kolosale që kanë mundur t’i lënë si trashëgim civilizimit njerëzor. Po kursehemi nga emrat, ngase ata në rastin më të mirë ishin modele të një profili ose fushëveprimi të caktuar jetësor , dhe kurrë nuk arritën të ofronin një personalitet të sublimuar në të gjitha tiparet humane, që kërkohet të jetë i stolisur një njeri shembull. Madje, dobia dhe efekti i të arriturave e kontributeve të tyre rrallëherë tejkalon kufijtë e epokës kur jetuan. Rëndom, njeriu ka nevojë edhe për këso modelesh për ngritjen e tij , por ata nuk janë kurrsesi të mjaftueshëm për të shuar atë etje dhe aspiratë kurioze që buron nga intuita jonë e thellë njerëzore.

Muhamedi a.s. shëmbëlltyrë përtejhistorike

I gjendur para një vargu të gjatë personalitetesh që ka mundësi të kenë rol inspirues , myslimani i të gjitha kohëve, por edhe ai bashkëkohor në veçanti, pa u hamendur fare, e ngulit mendjen e tij në personalitetin e pashembullt dhe mahnitës të Muhamedit a.s.. Ai s’pranon kurrfarë alternative të çfarëdo figure tjetër që do të mund t’i zhvendoste vëmendjen përtej Muhamedit a.s.,. Ai nuk është dërguar që të jetë i kalueshëm e as i krahasueshëm me këdo qoftë tjetër. Ai, me tiparet e tij ideale, nuk toleron tejkalimin përtej tij. Pa mëdyshje fare, ai u dërgua për t’i pushtuar zemrat e njerëzve në mënyrë të pakrahasueshme. Por, megjithëkëtë, ç’është gjithë kjo tërheqje magnetike dhe ky impakt i papërshkrueshëm që ngacmon ndjenjën e myslimanit bashkëkohor? Pse bëhet tërë ai tejkalim i gjithë atyre njerëzve”kolosë” për një periudhë katërmbëdhjetëshekullore dhe fokusi të mos ndalet në askënd tjetër përveçse në emrin e Muhamedit a.s.. Me ç’gjë e imponoi ai këtë impakt të pashembullt në ndjenjën tonë? Ne s’arritëm ta takonim atë, e as të çmalleshim me njerëzit që e shoqëruan dhe jetuan pranë tij. Madje nuk ekziston as edhe një përshkrim vizual o autentik që do të mund t’i pushtonte zemrat e njerëzve që shikojnë atë. Atij asnjëherë nuk iu ngrit ndonjë shtatore e as skulpturë, që ta portretizonte në mënyrë reale! Një gjë të tillë madje vetë Muhamedi a.s. e ndaloi prerazi, për të shmangur çdo rrugë që do të mund të shpinte në shenjtërimin ose hyjnizimin e tij, ngjashëm siç kishte ndodhur me disa nga pejgamberët e mëhershëm. Ai nuk dëshiroi që portreti i tij fizik të mbetej statik para nesh , po dëshiroi që gjurmët e tij të mbeteshin shenja udhërrëfyese për ne deri në amshim. Muhamedi a.s. barti mbi supet e veta misionin më të shenjtë, dhe njëkohësisht më të vështirin, në historinë e njerëzimit. E për t’u kristalizuar dhe për të kumtuar këtë amanet-mision, ai përjetoi gjithë ato vuajtje që s’do të mund t’i duronte asnjë reformator tjetër. Ishin përjetimet e tij të rralla ato që lanë gjurmë të pashlyeshme në mendjet dhe zemrat e çdo besimtari. Pa mëdyshje fare, në radhë të parë Fjala e Allahut, e mandej rrëfimet e detajuara të jetës, që u ruajtën me besnikëri dhe përpikëri të skajshme – ato që mbjellin në shpirt dashurinë e madhe dhe vendosmërinë për ta pasuar atë. S’ishte e rastësishme përzgjedhja e tij, ndonëse çdo hap i jetës së tij ishte nën vëzhgimin dhe përgatitjen hyjnore të Atij Që e zgjodhi të jetë udhërrëfyes i njerëzimit për të gjitha kohët. Ai ishte i dërguar nga mesi i njerëzve, që bartte me vete mesazhe udhëzuese për njerëzit përreth tij , por më pastaj edhe për njerëzimin mbarë. Allahu e përshkroi kështu në një ajet kuranor: ”Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët”. (Et-Tevbe, 128)
Këto tipare ishin vetëm disa prej atyre shumë virtyteve që gëzonte i Dërguari i Allahut. Ai ndiente dhembshuri dhe shprehte mall jo vetëm për besimtarët që kishte pranë vetes, po për të gjithë ata që do të vinin pas tij e që s’do ta kishin rastin kurrë të takoheshin fizikisht me të në jetën e kësaj bote. Një ditë ishte vërejtur duke qajtur dhe ishte pyetur: Çfarë të bën të qash, o i Dërguar i Allahut? Ai tha : Jam përmalluar për vëllezërit e mi. Ata i thanë : A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguar i Allahut? Ai tha: Jo.
Ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit e mi janë ata që do të më besojnë mua e që s’më kanë parë (takuar)” . Ai qau nga malli për ata që s’do t’i takonte kurrë në këtë botë, u mallëngjye për ta. Ky është vetëm një nga tiparet e tij të mahnitshme, që e bën një mysliman të cilësdo kohë të ndjekë me konsekuencë hapat e jetës së atij që Zoti e dërgoi të jetë mëshirë për ta. Nëse i konceptojmë drejt këto reflektime profetike të karakterit të tij prej një të Dërguari të Allahut, nuk habitemi nëse shohim se si shoqëruesit e tij bënin gara se cili po shprehte dashuri dhe respekt më të madh ndaj tij. Atyre nuk u iku as detaji më i vogël i jetës së tij publike pa e evidentuar. Çdo fjalë dhe vepër e tij ishte e rëndësishme për ta. Prandaj, përshkrimet dhe pikëpamjet e tyre ndaj tij, janë tejet impresionuese.
Rrëfen Amr ibn Asi r.a. dhe thotë: “Asnjë njeri nuk ishte më i dashur dhe më i respektuar në sytë tonë se ai. Unë asnjëherë nuk kam mundur ta ngopë shikimin tim nga mirësia madhështore që posedonte ai dhe, sikur të më kërkohej ta përshkruaja , nuk do të arrija ta bëja këtë, sepse syri kurrë s’më është ngopur së shikuari atë (gjithnjë kisha dëshirë ta kisha para syve)”. Ndoshta ajo që e bën një mysliman bashkëkohor të marrë shembull përherë Muhamedin a.s., është fakti se virtytet e larta etike- morale që përsosi ai, nuk vjetërsohen kurrë dhe nuk konsumohen asnjëherë. Ato mbesin të gjalla ashtu siç ka mbetur i gjallë në mendjet dhe shpirtrat tanë edhe përkujtimi i bartësit të këtyre cilësive të pavdekshme- vetë Muhamedit a.s..

Muhamed , emri më i thirrur ndër myslimanë

Për ta manifestuar lidhshmërinë e fuqishme me personalitetin e tij, myslimanët u munduan që, edhe me emërtimet e shpeshta që vazhdojnë t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emrin e tij, dëshironin ta përjetësonin përgjithmonë atë, dhe secili për vete të familjarizojë personalitetin e tij. E nëse kjo tregon për diçka, domosdo tregon për vendosmërinë e tyre që emri i tij të mbetet më i thirruri në gjirin e tyre të ngushtë familjar. Po i tërë ky fenomen s’është për t’u çuditur për ne, ngase secili aspiron që fëmija i tij që bart emrin e krijesës më të dashur tek Allahu, t’i ngjasojë sado pak atij, nëse jo më shumë, atëherë së fundi edhe në emrin e tij të shumëlavdëruar. Por kjo ndjenjë e vetëmjaftueshme nga disa myslimanë bashkëkohorë që Muhamedit a.s. t’i ngjasojmë vetëm me emra, është jo e çiltër dhe joparimore, dhe aq më pak e kënaqshme për aspiratën e Muhamedit a.s., i cili mallëngjehej për t’i parë vëllezërit tek ecnin rrugës dhe gjurmëve të tij. Ajo që është konstatuar shumë herë, dëshmon se figura , tiparet, karakteri, virtytet, fjalët dhe pëlqimet e Muhamedit a.s. – kanë qenë pikë interesimi dhe objekt studimi gjatë gjithë historisë deri tash dhe kësisoj do të vazhdojnë të jenë deri në amshim. Figura e tij ka zgjuar kureshtjen e të gjitha shtresave e të të gjitha racave, madje edhe të të gjitha feve, pavarësisht se pasuesit e tyre nuk kanë besuar misionin e tij. Historia njerëzore nuk njeh ndonjë personalitet që të tjerët të janë interesuar dhe të kenë regjistruar aq me përkushtim porositë e tij, sikurse ka ndodhur me Muhamedin a.s., prandaj le të jemi edhe ne ata që në jetën tonë ta kemi në fokus dhe ta marrim shëmbëlltyrë të jetës Muhamedin a.s., ashtu siç na porositi Allahu xh.sh. në këtë ajet kuranor: ”Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke E përmendur shumë shpesh Allahun”. (El Ahzabë, 21).
Bekimet dhe përshëndetjet tona të përzemërta qofshin për atë, familjen e tij fisnike dhe të gjithë ata që udhëzohen me dritën e tij deri ne Ditën e Gjykimit!

Dituria Islame 259
Prof. Driton Arifi