Tharja e rrobave rekomandohet të bëhet në ajër të pastër, edhe nëse jashtë temperaturat janë në minus.
Tharja e rrobave gjatë dimrit në mjedis të brendshëm rrit nivelin e lagështisë deri në 30 për qind.
Kjo nuk është aspak e mirë për shëndetin e njerëzve që marrin frymë në lagështinë e krijuar me këtë rast dhe kimikatet e detergjentit dhe zbutësit.
Sipas disa studimeve, në ajër mund të gjenden edhe kimikalet kanceroze. Përveç kësaj, te disa njerëz lagështia në ajër shkakton dhimbje koke dhe probleme të frymëmarrjes. Kjo gjithashtu mund të ndikojë ndjeshëm tek astmatikët.
“Ambienti i lagësht inkurajon krijimin e mykut që lëshon spore, të cilat shkaktojnë reaksione alergjike te disa njerëz. Kërpudhat e buta dhe sporet zakonisht nuk janë të dukshme për syrin e njeriut.
Në situata normale, njerëzit do të teshtijnë ose do të kolliten. Por nëse nuk jeni të ndjeshëm ndaj mykut, kurrë nuk do të keni ndonjë reagim ndaj tij. Njerëzit me astmë, të cilët janë të ndjeshëm ndaj sporeve fungale mund të vuajnë në këto situata,” tha Pheena Kenny nga Shoqata irlandeze për astmë.
Nëse rrobat thahen në radiator, atëherë përveç shëndetit të familjes, ato do të ndërhyjnë në rrjedhën e ngrohjes së shtëpisë, duke zvogëluar efikasitetin e radiatorit për ngrohje.
Po ashtu, lagështia e bën ajrin më të ftohtë dhe shtëpia do të jetë më e ftohtë se zakonisht.
Rrobat e ndjeshme, të cilat kur janë të lagshta vendosen në radiatorë, mund të dëmtohen përmes shpërthimit të fibrave elastike që përmbajnë.
Tharësja e rrobave është një zgjedhje e shkëlqyeshme nëse për këtë ekzistojnë mundësitë financiare dhe hapësinore.
Për ditët e dimrit të thatë, rrobat e lara vendosen edhe jashtë, në oborr ose ballkon. Tharja e tillë është më e ngadalshme se sa në verë, por rrobat thahen edhe nëse jashtë është në minus. Por duhet pasur kujdes që rrobat e ngrira të mos i hekurosni, pasi mund t’i dëmtoni./Mesazhi/