Ekonomia e Turqisë është forcuar pavarësisht krizës politike. Instituti Shtetëror i Statistikave, Turkstat tregoi se në tremujorin e parë të vitit ajo është rritur me 5%.
Ekspertët mendojnë se ky hov i pjesës së parë të vitit i detyrohet rritjes së eksporteve, projekteve të infrastrukturës të mbështetura nga shteti dhe konsumit të brendshëm.
“Finacial Times” vëren se Turqia është kthyer në vendin e preferuar të tregtarëve të interesuar për të ardhurat nga investimet, të cilët duan të përfitojnë nga normat e saj të larta të interesit.
Edhe pse lira, kujton gazeta prestigjoze, ishte ende një prej monedhave me performancën më të ulët ekonomike gjatë vitit 2017, ajo është fuqizuar me mbi 5% që prej referendumit kushtetutes të muajit prill.
Vendi vazhdon të përballet me sfida të mëdha, sipas “Financial Times”, por situata duket se po vjen në përmirësim. Besimi është në nivelin më të fortë të 18 muajve dhe inflacioni ka nisur të bjerë nga rekordi i tetë viteve që arriti muaj më parë.
Disa ekonomistë vendas i shqetëson imazhi i keq i Turqisë në Europën që përbën tregun më të rëndësishëm të eksporteve për produktet turke. Të tjerë megjithatë kujtojnë sesi prej shumë dekadash mes ekonomisë turke dhe asaj gjermane ekzistojnë lidhje të ngushta, e ndajnë bindjen se debati politik në këtë mes, luan vetëm një rol të dorës së dytë.