Sipas të dhënave të reja, India, Arabia Saudite, Franca dhe Turqia po udhëheqin rimëkëmbjen nga COVID-19 në të gjithë forumin e G20 të ekonomive kryesore të botës.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE), një grupim prej 38 vendesh që këshillon politikëbërësit, vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2021, India pati një rritje prej 12.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) – vlera e shtuar nga prodhimi i mallrave dhe shërbimeve në një vend.
Kjo rritje “erdhi kryesisht si rrjedhojë e investimeve fikse dhe konsumit privat”, tha OBZHE në publikimin e Llogarive Kombëtare Tremujore të Rritjes së PBB-së G20, krahasuar me një kontraksion prej 11.6% në tremujorin e kaluar.
Në total, 20 vendet anëtare të G20 patën një rritje të PBB-së me 1.7% ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2021. Ky është një përmirësim krahasuar me rritjen “e moderuar” prej 0.4% në tremujorin e dytë dhe është në kontrast me një tendencë ngadalësuese të rritjes ekonomike në zonën me 38 anëtarë të OBZHE. Norma e rritjes në këtë zonë ra ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë, nga 1.7% në 1.1%.
A do të ndikojë Omicron në rritjen e PBB-së
Përhapja e variantit Omicron të COVID-19 pritet të çojë në një ulje të projeksioneve të rritjes ekonomike globale nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) më 25 janar.
Rastet e konfirmuara të COVID-19 kanë kaluar shifrën 307.1 milionë në rang global, sipas Universitetit Johns Hopkins. Zhvillimet e fundit tregojnë një rritje të shpejtë të numrit të rasteve në vende si Meksika, Australia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe vendosje të kufizimeve të reja në vende si Kina dhe India.
Disa vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme – të ulëta, po përballen me “sfida serioze” në procesin e vaksinimit, paralajmëroi në dhjetor të vitit 2021 Task Forca Shumëpalëshe e Udhëheqësve, e drejtuar nga FMN.
Më pak se 5% e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta është plotësisht e vaksinuar, ndërsa te vendet me të ardhura të mesme – të ulëta, kjo shifër është rreth 30%, shtoi ai.
Raporti i Rreziqeve Globale 2022 nga Forumit Ekonomik Botëror shqyrton sfidat me të cilat po përballet ekonomia botërore nga “ndikimet e paparashikueshme” të pandemisë, por edhe nga rreziqet në zhvillim e sipër, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe “vulnerabilitetin kibernetik”. /monitor