Rritja e pasurisë së 10 më të pasurve gjatë pandemisë mjafton për vaksinimin e të gjithë njerëzve

Rritja e pasurisë së 10 personave më të pasur në botë gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) do të mjaftonte në mbulimin e shpenzimit të vaksinimit për çdo person në planet, theksoi organizata humanitare botërore Oxfam, transmeton Anadolu Agency (AA).

Oxfam në raportin e saj thekson se pasuria e 10 personave më të pasur është rritur për 540 miliardë dollarë nga mesi i muajit mars deri në fund të vitit të kaluar.

Raporti i Oxfam-it thotë se reduktimi i programeve globale të ndihmës hapën rrugën për një “dekadë të humbur në luftën kundër varfërisë”.

Organizata humanitare njoftoi se pasuria e përgjithshme e miliarderëve në dhjetor arriti 12 trilionë dollarë, që është ekuivalent me shpenzimin e përgjithshëm gjatë pandemisë të vendeve të G20.

Theksohet se “Taksa e përkohshme mbi fitimet e tepërta të bëra nga 32 korporatat globale që kanë fituar më së shumti mund të kishte mbledhur 76 miliardë paundë (104 miliardë dollarë) në vitin 2020.

“Kjo do të mjaftonte për të siguruar përfitime të papunësisë për të gjithë punëtorët dhe mbështetje financiare për të gjithë fëmijët dhe njerëzit e moshuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thuhet më tej.

“Miliarda njerëz po jetonin buzë rënies kur filloi pandemia dhe nuk kanë pasur burime ose mbështetje për të përballuar këtë stuhi të ashpër”, tha Danny Sriskandarajah, drejtori ekzekutiv i Oxfam GB.

Ai tha se: “Në të njëjtën kohë, një numër i vogël individësh kanë futur në xhep më shumë para në nëntë muaj sesa mund të shpenzonin gjatë gjithë jetës. Këto fakte janë të turpshme. Qeveritë duhet të veprojnë. Taksimi i drejtë për njerëzit më të pasur mund të ndihmojë në rimëkëmbjen globale, të mbledhë më shumë para për të luftuar varfërinë dhe të ndihmojë në formësimin e shoqërive më të barabarta”.

Sipas raportit, Banka Botërore ka llogaritur që nëse vendet veprojnë tani për të zvogëluar pabarazinë, atëherë varfëria mund të kthehet në nivelet e para krizës për vetëm tre vjet, sesa në më shumë se një dekadë.

Raporti i Oxfam-it po ashtu tha se nëse nuk trajtohet pabarazia në rritje, 501 milionë njerëz më shumë se në fillim të pandemisë do të jenë në varfëri, duke fituar vetëm 5.50 dollarë në ditë, vitin në 2030, duke shtuar se gratë do të goditen më shumë sesa burrat.