Rritja e pagave në sektorin publik – Murati tregon se nga sa do të përfitojnë policët, mësuesit, zjarrfikësit dhe të tjerët

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pagave në sektorin publik me fillim të vitit të ardhshëm.

Rritja e pagave do të përfshijë dy faza, ku do të rritet njësia e koeficient, në janar e pastaj në korrik.

Kështu bëri të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media, duke thënë se kjo rritje është bërë falë maturisë sa i përket politikave fiskale.

“Rritja bëhet në dy faza, pra fillimisht rritja do të bëhet me gjysmë njësi të koeficientit nga janari apo 55 euro bruto për të gjithë të punësuarit. Kurse nga korriku hyn në fuqi edhe pjesa e dytë e rritjes pra gjysma tjetër e koeficientit për të rezultuar në një koeficient të plotë pa 110 euro shtesë për secilin të punësuar në sektorin publik”, ka thënë Murati.

Ministri shtoi se ka rritje prej 17.85% për mësuesin e ushtarin e deri në 20 % për policët, zjarrfikësit dhe infermierët.

“Ka edhe pozita me koeficientin 4 punëtorët teknikë, ku rritja e shprehur në përqindje do t’i bie mbi 25%. Pra, kemi dashur që ato para që i kemi në dispozicion t’i shpërndajmë sa më shumë te ata që kanë pagat më të ulëta”, tha Murati.

Sipas tabelës që prezantoi ministri, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagë bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.

Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.