Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rritja e kërkesës për bunkerë antibërthamorë

Rritja e kërkesës për bunkerë antibërthamorë

Në një botë që përjeton rritje të kërcënimeve bërthamore dhe tensioneve ndërkombëtare, shumë individë po i shohin bunkerët si mbrojtje të mundshme ndaj pasojave katastrofike. Teksa liderët e sigurisë globale paralajmërojnë për rritjen e kërcënimeve bërthamore, ekspertët dhe kritikët kanë pikëpamje tjetër: ndërtimi i bunkerëve mund të krijojë iluzion sigurie, por nuk janë zgjidhje e duhur për mbijetesën afatgjatë në një botë të shkatërruar nga armët bërthamore

Kur Bernard Joner Jr. dhe gruaja e tij, Doris, kanë ndërtuar shtëpinë e ëndrrave, ata nuk janë përmbajtur. Një pishinë me ujëvarë për ditët e nxehta të verës. Një teatër shtëpie për netët e ftohta të dimrit. Një pemishte frutash për ta korrur në vjeshtë. Dhe një bunker të gjerë nëntokësor në ndonjë rast fatkeqësie.

“Bota nuk po bëhet vend më i sigurt”, ka thënë ai. “Ne donim të ishim të përgatitur”.

Nën një kupolë metalike të papërshkrueshme pranë fushës private të basketbollit, ka shkallë të fshehura që të çojnë në dhoma me shtretër për rreth 25 persona, disa banja dhe dy kuzhina, të gjitha të mbështetura nga një burim energjie i qëndrueshëm.

Me ujë, elektricitet, ajër të pastër dhe ushqim, ata janë ndier të gatshëm për çdo fatkeqësi, madje edhe shpërthim bërthamor, në shtëpinë e tyre të fshatit në rajonin Inland Empire të Kalifornisë.

“Nëse do të kishte një sulm bërthamor, a do të shkonit në dhomën e ndenjës apo në bunker? Nëse do ta kishit një, ju do të shkonit atje”, ka thënë Jones, duke shtuar se e ka shitur pa dëshirë shtëpinë dy vjet më parë.

Liderët e sigurisë globale po paralajmërojnë se kërcënimet bërthamore po rriten, meqë shpenzimet për armë janë rritur në 91.4 miliardë dollarë vitin e kaluar. Në të njëjtën kohë, janë rritur edhe shitjet e bunkerëve privatë, nga kuti të vogla të metalit për t’u futur brenda e deri te pallatet ekstravagante nëntokësore.

Kritikët paralajmërojnë se këta bunkerë krijojnë perceptimin fals që lufta bërthamore është e mbijetueshme. Ata argumentojnë se njerëzit që planifikojnë t’i mbijetojnë shpërthimeve bërthamore, nuk po fokusohen te rreziqet e tanishme të pozuara nga kërcënimet nukleare, si dhe nevojën kritike për ta ndaluar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Ndërkohë, ekspertët qeveritarë të fatkeqësisë thonë se bunkerët nuk janë të nevojshëm. Një udhëzues prej 100 faqesh i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) për reagimin ndaj shpërthimit bërthamor fokusohet në qëndrimin në ambiente të brendshme, në mënyrë ideale në bodrum dhe larg mureve të jashtme për të paktën një ditë. Ato hapësira ekzistuese mund të ofrojnë mbrojtje nga rrezatimet radioaktive, thotë FEMA.

Por gjithnjë e më shumë, blerësit thonë se bunkerët ofrojnë ndjenjë sigurie. Tregu i bunkerëve parashikohet të rritet nga 137 milionë dollarë vitin e kaluar në 175 milionë dollarë deri në vitin 2030, sipas raportit nga BlueWeave Consulting. Raporti thotë se faktorët kryesorë të rritjes përfshijnë “kërcënimin në rritje të sulmeve bërthamore ose terroriste dhe trazirat civile”.

Ndërtimi i bunkerëve

“Njerëzit janë në siklet dhe duan një vend të sigurt për familjen e tyre. Dhe kanë idenë që është më mirë ta kesh e të të mos nevojitet, sesa të të nevojitet e të mos e kesh”, ka thënë Ron Hubbard, drejtori ekzekutiv i “Atlas Survival Shelters”, fabrikë që ndërton bunkerë.

Hubbard ka thënë se mbylljet gjatë Covid-19, pushtimi rus i Ukrainës dhe shpërthimi i konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit kanë rritur shitjet.

Më 21 nëntor, në orët pas përdorimit të parë të raketës balistike hipersonike nga Rusia për ta sulmuar Ukrainën, Hubbard ka thënë se telefoni i tij i binte pa pushim.

Katër telefonues kanë blerë bunkerë në një ditë, ka thënë ai, dhe shumë të tjerë kanë porositur dyer dhe pjesë të tjera të strehimoreve, që veç po i ndërtonin.

Hubbard ka thënë se bunkerët ndërtohen për të gjitha llojet e fatkeqësive.

Brooke Buddemeier, duke treguar ndikimin e shpërthimit bërthamor në ndërtesa të ndryshme Foto: AP

“Janë të mirë për gjithçka, nga tornadoja deri te uragani e shpërthimi nuklear, pandemia e deri te shpërthimi i vullkanit”, ka thënë ai, duke treguar vendin ku ndërtoheshin bunkerë të ndryshëm.

Me një armë gjahu të mbushur dhe mburoja të dritareve me rrjeta metalike për t’i bllokuar koktejet molotov, Hubbard ka thënë se ai ka hapur kompaninë e tij pasi ka ndërtuar bunkerin e tij rreth 10 vjet më parë. Ai ka thënë se telefonuesit pyesin për çmimet – 20 mijë dollarë deri në shumë milionë dollarë, mesatarisht 500 mijë dollarë – dhe instalimet. Ai ka thënë se shumicën e ditëve shet të paktën një bunker.

Sipas skenarit të fundit të Hubbardit, tensionet globale mund të çojnë në luftën e tretë botërore, situatë në të cilën është i përgatitur të mbijetojë.

“Lajmet e mira për luftën bërthamore”, ka thënë ai, “nëse do të ketë një, është se mbijetueshme nëse nuk vritesh në shpërthimin e parë”.

Ai nuk e ka gabim, sipas ekspertëve të gatishmërisë ndaj fatkeqësive të Qeverisë amerikane.

“Ju duhet të shkoni në ndërtesën më të fortë”

“Shikoni, ky ekspozimi ndaj shpërthimit është plotësisht i parandalueshëm, sepse është diçka që ndodh pas shpërthimit”, ka thënë Brooke Buddemeier, specialist i sigurisë ndaj rrezatimit në Laboratorin Kombëtar “Lawrence Livermore”, ku Qeveria e SHBA-së harton armë bërthamore. Buddemeier dhe kolegët e tij kanë për detyrë të vlerësojnë se çfarë mund të ndodhë pas sulmit dhe si të mbijetojnë më mirë. “Do të ketë dukurinë e shpërthimit bërthamor, renë e madhe. Kështu që vetëm hyrja në ambiente të brendshme, larg vendit ku bien ato grimca, mund t’ju mbajë ju dhe familjen tuaj të sigurt”.

Buddermeier dhe të tjerët në Qeverinë amerikane po përpiqen t’i edukojnë amerikanët – që dekada më parë janë fshehur nën tavolina gjatë stërvitjeve të sulmi bërthamor – si të veprojnë saktë.

Pas shpërthimit vdekjeprurës dhe shurdhues, blicit të shndritshëm dhe resë si kërpudhë, do të duhen rreth 15 minuta që grimcat radioaktive të arrijë një milje ose më shumë larg nga toka zero, ka thënë Michael Dillon, shkencëtar në Laboratorin Kombëtar “Lawrence Livermore”.

“Do të ketë rërë që bie mbi kokën tuaj dhe ju do të duhet të largoheni nga ajo situatë. Ju duhet të shkoni në ndërtesën më të fortë”, ka thënë ai. Në modelet e tyre, ata vlerësojnë se njerëzve do t’u duhet të qëndrojnë brenda për një ose dy ditë përpara se të evakuohen.

Përpjekjet e qeverisë për ta edukuar publikun janë ringjallur pas një alarmi të rremë për raketa në Hawaii në vitin 2018, që ka shkaktuar panik të gjerë.

Për 40 minutat e ardhshme ka pasur trafik, punonjës që vraponin brenda dhe jashtë ndërtesave, familje të fshehura në banja, studentë të mbledhur në palestra, vozitës që bllokonin tunelet, të gjitha në përpjekje për të gjetur strehim, pa ia pasur idenë se çfarë nënkuptonte në të vërtetë “strehohuni menjëherë”.

Sot, qeveria federale ofron një udhëzim për t’i përgatitur banorët për sulm atomik, i cili i këshillon njerëzit të gjejnë bodrum ose qendrën e një ndërtese të madhe dhe të rrinë aty, po qe e mundur për disa ditë, derisa të marrin vesh se ku të shkojnë pastaj.

“Me kujdes krihni gëzofin e kafshës shtëpiake për t’i hequr grimcat e rëna”, thotë aty, duke shtuar se vonesa 15-minutëshe mes bombës dhe rënies së grimcave radioaktive të lejon “mjaft kohë për të qenë në gjendje ta parandalosh ekspozimin e lartë ndaj radioaktivitetit”.

Jeffrey Schlegelmilch, drejtues i Qendrës Kombëtare për Përgatitjen ndaj Fatkeqësive në Universitetin e Kolumbisë, ka thënë se “skenarët e një shpërthimi bërthamor nuk janë të gjitha përnjëherësh ose asnjë”.

Nëse një numër i vogël armësh shpërthejnë në vend të një lufte të plotë, sipas tij, strehimi brenda një ndërtese të madhe për t’i shmangur pasojat mund të shpëtojë jetë.

“Bunkerët nëntokësorë nuk do t’i mbrojnë njerëzit”

Mbrojtësit e mospërhapjes së radioaktivitetit shpërfillin bunkerët, strehimoret ose ndonjë sugjerim që lufta bërthamore është e mbijetueshme.

“Bunkerët në fakt nuk janë mjet për t’i mbijetuar luftës bërthamore, por mjet që lejon popullsinë ta durojë psikologjikisht mundësinë e luftës bërthamore”, ka thënë Alicia Sanders-Zakre nga Fushata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore.

Sanders-Zakre e ka quajtur rrezatimin “aspektin më unik e të tmerrshëm të armëve bërthamore” dhe ka vënë në dukje se edhe mbijetimi i pasojave nuk i parandalon krizat shëndetësore afatgjata, ndër breza. “Në fund të fundit, zgjidhja e vetme për ta mbrojtur popullsinë nga lufta bërthamore është eliminimi i armëve bërthamore”.

Sam Lair, studiues në Qendrën “James Martin” për Studime të Mospërhapjes së armëve ka thënë se liderët amerikanë kanë ndaluar së foluri për bunkerët dekada më parë.

“Kostot politike të shkaktuara nga nxitja e njerëzve që të mendojnë për strehimoret nuk ia vlen për udhëheqësit, sepse i detyron njerëzit të mendojnë se çfarë do të bënin pas luftës bërthamore”, ka thënë ai. “Kjo është diçka për të cilën shumë, shumë pak njerëz duan të mendojnë. Kjo i bën njerëzit të ndihen të pambrojtur”.

Lair ka thënë se ndërtimi i bunkerëve duket i kotë, edhe nëse ato funksionojnë në periudhë afatshkurtër.

“Edhe pse shpërthimi nuklear është ndoshta më i mbijetueshëm sesa mendojnë njerëzit, mendoj se edhe pasojat do të jenë më të shëmtuara sesa mendojnë njerëzit”, ka thënë ai. “Goditja kryesore që do t’i bënte mënyrës së jetesës do të ishte e rëndë”.

Ky ka qenë shqetësim serioz i kongresistit të Massachusetts, James McGovern për gati 50 vjet.

“Nëse ndonjëherë arrijmë në një pikë ku të ketë luftë bërthamore, bunkerët nëntokësorë nuk do t’i mbrojnë njerëzit”, ka thënë ai. “Në vend të kësaj, ne duhet të investojmë burimet dhe energjinë tonë duke u përpjekur të flasim fillimisht për ndalimin e armëve bërthamore”.

Më pas, ka thënë ai, “duhet të punojmë për ditën kur t’i heqim qafe të gjitha armët bërthamore”.

Vit pas viti ai prezanton legjislacionin që shtyn për mospërhapjen e armëve, por duke parë nga dritarja e zyrës së tij në Kapitol, ai ka thënë se është i zhgënjyer nga mungesa e debatit mbi shpenzimin prej 1 bilion dollarësh për ta ndërtuar dhe modernizuar arsenalin e SHBA-së.

“Shanset, nëse përdoret ndonjëherë një armë bërthamore, është se miliona dhe miliona e miliona njerëz do të vdesin. Është vërtet tronditëse që kemi liderë botërorë që flasin rastësisht për përdorimin e armëve bërthamore. Dua të them, do të ishte katastrofike, jo vetëm për ata që janë të përfshirë në shkëmbimin e armëve bërthamore, por për të gjithë botën”.

McGoverni i ka kundërshtuar përpjekjet e FEMA-s për ta përgatitur publikun për sulm bërthamor, duke i këshilluar njerëzit të strehohen.

“Çfarë marrëzie të thuash se ne të gjithë duhet të dimë se ku të fshihemi dhe ku t’i shmangim ndikimet më të mëdha të rrezatimit bërthamor. Dua të them, me të vërtetë, është rrëqethëse kur i dëgjon njerëzit teksa përpiqen ta racionalizojnë luftën bërthamore në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Lufta bërthamore ishte larg mendjes së një çifti kur kanë shkuar për të kërkuar shtëpi në Kaliforninë Jugore disa vjet më parë. Ata kanë dashur një shtëpi për t’u vendosur dhe për ta rritur familjen dhe kishin nevojë për hapësirë shtesë në garazh. Ata kanë vënë re një reklamë në internet për një shtëpi me të paktën tetë vende parkimi. Në fushën e basketbollit kishte një kapak metalik. Poshtë tij ishte një bunker.

Kjo ishte shtëpia e mëparshme e Jonesit, të cilën Jonesi ka thënë se e ka nxjerrë në shitje për arsye familjare.

Burri, i cili ka folur në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve për privatësinë e familjes së tij, e ka blerë shtëpinë e Jonesit, bunkerin dhe gjithçka. Ata nuk janë veçanërisht të shqetësuar për luftën bërthamore dhe nuk kanë kaluar ndonjë natë në bunker, por kanë ruajtur ushqime dhe furnizime mjekësore aty.

“Ne u kemi thënë disa miqve tanë, se nëse situata bëhet e keqe, ejani këtu sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë burri. “Ofron një ndjenjë sigurie”.


Përktheu: Latra Gashi /koha

Exit mobile version